Pas demonstratës së fundit të opozitës, analistë dhe ndjekës të politikës shqiptare u shprehën se kjo protestë nuk ia arriti qëllimit të saj. Jo vetëm se ajo nuk gjeti mbështetjen e shumicës së banorëve të kryeqytetit, por më shumë për mosplanifikimin si duhet të saj. Protestuesit shëtisnin nga një pikë në një tjetër të kryeqytetit si një turmë pa kokë. Nuk ishte e qartë se çfarë ata duhet të bënin, përveç se hedhjes së mollotovëve drejt institucioneve shtetërore, thyerjes së xhamava apo djegies së kazanëve të plehrave. Pikën kulmore kjo protestë e arriti kur iu sul selisë së Partisë Socialiste dhe i vuri flakën!
Por këto ishin dëmet më të vogla që kjo protestë shkaktoi brenda vendit. Dëmi më i madh, pa asnjë dyshim, ishte jehona që pati kjo demonstratë në masmediat kryesore perëndimore. Përveç Euronews-it, WSJ edhe plot media të tjera komentuan zhvillimet e së hënës që kaloi në Tiranë. Konkluzioni kryesor i tyre ishte se Shqipëria vuan ende edhe sot e kësaj dite nga destabilizimi politik dhe social. Madje një media televizive perëndimore, shumë e vlerësuar për analizat dhe qëndrimet e saj, i kushtoi një reportazh të posaçëm kësaj proteste në rubrikën e saj të lajmeve. Është fjala për stacionin televiziv franko/ gjerman Arte. Kjo medie me reputacion kishte marrë në intervistë me këtë rast edhe njohësin e mirë të çështjeve ballkanike, profesorin Jacques Rupnik.
„ Shqipëria është një nga vendet që shpreson të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Madje pas pak ditësh ajo duhet të hapë edhe kapitujt e parë të negociatve me Brukselin. Por kur vërejmë se çfarë ngjan në Shqipëri krijojmë bindjen se rruga e saj drejt Europës mbetet ende e gjatë dhe me plot pengesa“, u theksua që në fillim të intervistës. Nga ana e tij politologu Rupnik e cilësoi përplasjen pozitë – opozitë si luftë për pushtet. Ku të dyja palët akuzojnë njëra – tjetrën se kush është më e korruptuar. „Shqipëria po na mbushte me shpresë, por me çfarë vërejtëm të hënën kuptojmë se kemi të bëjmë me një lloj regresi dhe kthimi prapa përsa i takon stabilitetit politik dhe luftës kundër korrupsionit“ – shpreh profesori i Sorbonës dhe drejtuesi i një think – tank-u për Ballkanin. „Vendi duket se nuk është ende i gatshëm të sillet si një vend i vërtetë demokratik ku të mbizotërojë mirësjellja në jetën parlamentare“ – u shpreh Jacques Rupnik.
Ja pra që protesta ia arriti plotëisht qëllimit të saj : pengimit apo vonimit sa të jetë e mundur më shumë të çeljes së kapitujve të parë të negociatave për anëtarësim të Tiranës mee Brukselin. Një proces i rëndësishëm ky që do fillojë me mbajtjen e një ceremonie zyrtare të hënën e ardhshme, saktësisht më 14 tetor!
Dhe ky ishte edhe qëllimi kryesor I kësaj demonstrate. Që Europa të shprehej se Shqipëria nuk është ende gati jo vetëm për anëtarësim në BE,parashikuar në rastin më të mire andej nga vitet 2030, por as për çeljen e kapitujve të parë të këtij procesi!
Dhe nuk është hera e parë që udhëheqësi i opozitës, i mbyllur si zogu në kafaz në shtëpinë e tij, i vë gurë në rrota kësaj perspektive. Aq sa mund të shprehemi se po të mos ishte ky person në krye të vendit, herë në krye të pozitës dhe herë në krye të opozitës, Shqipëria sot do të ishte anëtare me të drejta të plota e Bashkimit European, njëlloj si Sllovenia, Lituania, Qipro etj etj.
Pikërisht 28 vjet më parë, në vitin e largët 1996, komisioneri i atëhershëm i Bashkimit European, hollandezi Hans van den Broek, u shpreh, pas një vizite të zhvilluar në Tiranë, se edhe Shqipëria mund të futet në grupin e 10 vendeve të ish- Europës Lindore që pritej të anëtarësoheshin në BE deri në fillim të vitit 2 000.
Ishte fjala për vendet e sapodala nga zgjedha e ish- paktit të Varshavës si Polonia, Çekia, Hungaria, Sllovakia, tri vendet balltike si dhe Rumania, Bullgaria dhe Qipro. Ky propozim u mirëprit atë kohë edhe nga kolegjiumi i komisionerëve të Bashkimit European si dhe nga Këshilli i tij i ministrave të shteteve anëtare.
Por manipulimi, vjedhja e votave dhe rrahja në mes të sheshit Skëndërbej të udhëheqësve të opozitës në zgjedhjet e 26 majit 1996, piramidat e fajdeve dhe sidomos “viti i mbrapshtë 1997” e larguan një herë e mirë dhe i shuan shpresat për një anëtarësim të mundshëm edhe të Shqipërisë në BE, siç ngjau me 10 vendet e sipërcituara.
Ishte etja e pakufishme për pushtet e Sali Berishës që i shkaktoi këto drama të paharrueshme në historinë e shtetit shqiptar. Saqë për herë të parë, që pas vitit 1944, trupa të huaja u futën përsëri në vend, kësaj rradhe për të rivendosur rendin!
Dhe sa herë që ka pasur mundësi të afrimit të Shqipërisë me BE-në, në vend ka ngjarë gjithmonë ndonjë gurgule, sidomos kur Berisha ka qënë në opozitë.
Kështu po ngjan edhe këto ditë me këtë bandë shkatërruese që quhet PD dhe kryebanditin e saj ngelur në majë të penxheresë. Dhe sikur të mos mjaftonin keqbërjet e këtij njeriu të zi, edhe Rama po ndikon me veprimet e tij të pastudiuara si prej axhamiu, që çelja e këtyre kapitujve të vonohet, të vështirësohet apo të ashpërsohet!
Mediat kanë bërë të ditur se të enjten, pra nesër, Shqipërinë do ta vizitojë presidenti turk, Erdogan. Vizita e tij, në raste dhe kohë të tjera, do shihej dhe konsiderohej thjesht si forcim i marrëdhënieve mes dy vendeve. Por ajo ka një synim tjetër: përurimin e njërës prej xhamive më të mëdha në Ballkan, atë që thërritet si Namazgja! Një fjalë kjo që pak shqiptarë ia dinë kuptimin. Pra vizita e Erdoganit nuk përbën një vizitë thjesht politike apo ekonomike, por ajo ka synime të qarta fetare.
Dhe dihet që Europa nuk e do fare Erdoganin. Për 1001 arsye. Ky është edhe shkaku që Turqia ka vite që po mbahet “pas dere” nga shtetet e Bashkimit Europian. Tani që ky vend të rishtrijë ndikimin e tij fetar edhe në Shqipëri, ish koloni e tij, kjo mund të konsiderohet në Bruksel si një dackë që Erdogan i jep Europës. Në bashkëpunim edhe me Edi Ramën! Kjo sidomos tani kur në të gjithë kontinentin tonë po fryn një erë antiislam dhe antiemigracion!
A nuk mund të gjendej një dtë tjetër, pas 14 tetorit , për vizitën e Erdoganit në vend?! Ndryshe a jemi një vend me lidhje me Orientin apo me Perëndimin ?! Sepse jemi shumë të vegjël dhe të parëndësishëm për të luajtur me dy porta.
Sali Berisha e futi dikur Shqipërinë në Lidhjen Islamike, ndërsa Edi Rama i ka forcuar sa më s’bëhet lidhjet me një « sulltan » me prirje të qarta antiperëndimore dhe proislamike!
Atëhere si do të pritet të hënën kryeministri Rama nga zyrtarët e lartë të BE-së?! Ndryshe a nuk janë vetë politikanët shqiptarë ata që pengojnë, me dashje apo pa dashje, realizimin e aspiratës së kombit shqiptar për tu lidhur me Perëndimin ?! Siç kanë ëndërruar dhe kërkuar dikur edhe Rilindasit tanë të lavdishëm?!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment