Këtë të hënë mbushet plot një vit nga agresioni i barbar i organizatës terroriste islamike « Hamas » ndaj qytetarëve izraelitë. Mbi 1 200 prej tyre u vranë gjatë një sulmi të beftë të militantëve islamistë, që kapi gjithë botën në befasi. Që nga ajo ditë tensioni në Lindjen e Mesme, sidomos në kufijtë e Izraelit, nuk ka rreshtur asnjë çast. Përkundrazi ai vetëm është rritur dhe forcuar, aq sa sot me të drejtë ekziston frika e një lufte të gjërë ku mund të përfshihen edhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Para këtij rreziku shtrohet pyetja: Si është mundur që gjendja u la të arrinte deri në këtë pikë?! Sepse sot nuk flitet më veçse për konfliktin Izrael – Gaza, por tani „zjarri“ është shtrirë dhe përhapur si në Bregun Perëndimor të Palestinës, por po aq edhe në Liban me organizatën tjetër terroriste fetare „Hezbollah“ apo me forcat e armatosura „Huthi“ në Jemen. Por më e rrezikshmja nga të gjitha pritet të jetë përplasja e egër dhe shkatërruese ndërmjet Izraelit dhe Iranit.
Është e qartë se ishte „Hamas-i“ ai që i hodhi benzinë një zjarri që dukej se po shuhej. Bota pak nga pak po e harronte dramën e popullit palestinez. Vendet arabe po rilidhnin dhe po forconin marrëdhëniet me Izraelin. Aq sa askujt nga udhëheqësve në Egjipt, Jordani, Arabinë Saudite, Marok etj etj nuk u interesonte që kjo çështje të ridilte në skenë. Vetë udhëheqësit izraelitë shpreheshin se tani nuk ekzistonte më « problemi palestinez » !
Dhe pikërisht atëhere kur po mendohej se kjo çështje u mbyll dhe u harrua një herë e mirë ngjau tragjedia e 7 tetorit 2023. Siç thamë « Hamasi » ndërmorri një sulm sa të beftë aq edhe të pamëshirshëm ndaj popullsisë izraelite.
E vërteta është se palestinezët jetonin në Gaza si në një burg të hapur. 2,2 milionë palestinezë ishin ngjeshur në një territor jo më të gjërë se 360 kilometra katrorë. Që i bie sa një e 80-ta e sipërfaqes së Shqipërisë që ka sot afërsisht të njëjtin numër popullsie ! Palestinezëve që jetonin si në një kopësht zoologjik ushqimi, barnat deri edhe uji i pijshëm u sigurohej kryesisht nga ndihmat e organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Kjo është edhe arsyeja që mbrojtësit e kauzës palestineze në botë, siç është psh presidenti turk, Erdogan, e kanë cilësuar organizatën terroriste islamike « Hamas » si një lëvizje çlirimtare dhe rezistence. Ndërsa vendet perëndimore e cilësojnë si organizatë terroriste.
Është e vërtetë se Izraeli hëngri një dackë të mirë më 7 tetor të vitit të kaluar. Por ai u betua se do ia nxirrte nga hundët këtë fitore organizatës palestineze. Dhe që atëhere numri i të vrarëve ndërmjet popullsisë palestineze i ka kaluar 42 mijë viktima ! Njëkohësisht Izraeli po eliminon njëri pas tjetrit të gjithë udhëheqësit e “Hamasit” dhe “Hezbollahut” si Nasrallahun, Ismaël-in etj etj.
Dhe nesër bota do të përkujtojë masakrën e 7 tetorit, ashtu siç përkujtohet tani çdo përvjetor edhe masakra e 11 shtatorit në Amerikë, e kryer nga një tjetër organizatë islamiste dhe terroriste, Al Qaida.
Por konflikti izraelito /palesinez nuk ka filluar vjet më 7 tetor, por ka nisur që me krijimin e shtetit izraelit në vitin 1948. Nga ajo kohë mbahet mend edhe dëbimi nga trojet e tyre qindravjeçare të mbi 700 000 palestinezëve nga 1.4 million prej tyre që banonin në ato treva. Si pasojë ata u detyruan të gjenin strehim në Bregun Perëndimor, në rripin e Gazës si dhe në vendet fqinje dhe ato europiane.
Madje thuhet që 2 milionë banorët e sotëm të Gazës janë thjesht pasardhësit e atyre që u dëbuan nga shtëpitë e tyre rreth 80 vjet më parë. Kjo ngjarje përkujtohet sot nga palestinezët si « Nakba », që do të thotë katastrofë. Milicët izraelitë vunë atëhere nën kontrollin e tyre rreth 700 fshatra dhe qyteza palestineze, 531 prej të cilave i rrafshuan përtokë për të ndërtuar kibutzet e tyre.
Dhe që atëhere vrasjet, bombardimet, dëbimet nuk kanë ndalur. Dhe bashkë me to edhe konfliktet e armatosura të vendeve të rajonit si Egjipti, Jordania, Siria me Izraelin. Luftëra që vendet arabe i kanë humbur pothuajse të tëra. Si pasojë sipërfaqja e shtetit izraelit sot në krahasim me vitin 1948 është pothuajse katërfishuar.
Megjithatë duket se synimi i Izraelit ende nuk është arritur plotësisht. Dhe ky synim është as më shumë dhe as më pak se rilindja e Izraelit biblik. I atij izraeli që ka ekzistuar që nga koha e faraonëve të Egjiptit të lashtë dhe deri në vitet 1 000 të erës sonë. Kur banorët e atëhershëm hebrenj u detyruan të largohen nga vendi i tyre dhe të shpërndahen në të katër anët e botës si pasojë e kryqëzatave të krishtera. Dhe që atëhere progromi, shfarosja, ndaj hebrenjve vazhdoi pa ndërprerje në Europë për rreth 10 shekuj, duke arritur kulmin gjatë epokës së Hitlerit që zhduku rreth 6 milionë çifutë.
Ndërsa për planet apo projektin e krijimit të Izraelit biblik është shprehur para pak javësh edhe vetë presidenti tashëm i Izraelit, Isaak Herzog, gjatë një interviste dhënë një rrjeti televiziv francez. Dhe ka shumë gjasa që ky projekt të vihet në jetë. Pasi situata sot paraqitet tërësisht në favor të Izraelit. Dhe kjo jo vetëm se ai është i pajisur me armët më moderne të kohës, por edhe sepse gëzon mbështetje të plotë ekonomike, financiare dhe ushtarake edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe nga disa vende perëndimore europiane. Veçse pak javë më parë SHBA-të i ofruan Izraelit një ndihmë financiare shtesë prej 9 miliardë dollarësh.
Ndërkohë vendet europiane janë më të lëkundura dhe të paqarta në qëndrimin e tyre ndaj këtij konflikti. Spanja psh është shumë pranë qëndrimeve palestineze, ndërsa Britania e Madhe apo edhe Hungaria mbështesin plotësisht politikat e Tel Avivit.
Çuditërisht jo më larg se dje, presidenti francez, Macron, kreu një piruetë 180 gradëshe në qëndrimin e tij politik ndaj këtij konflikti, kur deklaroi se vendi i tij do t’i ndërpriste tani furnizimet me armatime për Izraelin ! Kjo lëvizje e papritur u ra shumë keq në stomak udhëheqësve izraelitë aq sa kryeministri izraelit nuk gjeti asgjë më të mirë për tu shprehur sesa thënien drejtuar presidentit të Francës : « Turp të kesh » !
Por pavarësisht këtyre kthesave Izraeli gjendet sot në pozicion force ndaj të gjithë kundërshtarëve të tij. Sidomos ndaj Iranit që vazhdon me politikën e tij antiizraelite. Por Irani sot gjendet i vetmuar para Izraelit. Aleatët e tij të dikurshëm që mbronin kauzën palestinee, siç ishin Libia, Siria apo Iraku janë shkatërruar njëri pas tjetrit. Me shumë gjasa ky fat pret edhe Iranin që guxoi para pak ditësh të sulmonte Izraelin me një breshëri prej mbi 180 raketash. Izraeli tani veçse po përgatitet t’ia kthejë 10-fish këtë sulm. Ashtu siç veproi edhe me sulmin kundër Hamasit.
Ndryshe duket se 7 tetori shërbeu edhe si një « casus belli » për të zgjidhur një herë e mirë problemet që Izraeli ka pasur gjatë këtyre 80 viteve të fundit me popullin palestinez. Prandaj tani luftimet dhe konflikti përveç se në Gaza është shtrirë dhe përhapur edhe në Bregun Perëndimor të Palestinës, që nuk ka lidhje gjeografike me Gazën. Por po ashtu edhe në Liban. Me një fjalë në të gjithë territorin e dikurshëm të Izraelit biblik që atëhere quhej Kanaan
Por Izraeli duket se këtu po gabon rëndshëm. Se ai nuk mund të vazhdojë edhe 80 vjet të tjera luftën kundër palestinezëve dhe popujve arabë. Edhe nëse realizon dëbimin e gjithë palestinezëve nga tokat e tyre. Se nesër situata gjeopolitike në botë mund të ndryshojë dhe ky vendi i vogël do të gjendet i rrethuar përgjithmonë nga vendet arabe që nuk do të kenë harruar historinë.
Ndryshe historia nuk mund të kthehet 1 000 vite prapa. Hebrenjtë kanë jetuar në ato toka dikur, por u larguan dhe vendin e tyre e zunë pasardhësit e faraonëve të lashtë. Dhe dihet se që në ato kohëra historike hebrenjtë nuk shkonin mirë dhe ishin të persekutuar nga faraonët e Egjiptit antik, që i dëbuan ata deri në Mesopotaminë e largët. Për këtë mjafton të lexosh Gjenezën apo pasazhet e tjera të Biblës.
Dhe në rast se izraelitët kanë të drejtë të kthehen në tokat që kanë pasur para kryqëzatave, i bie që amerikanët e sotëm të largohen drejt vendeve nga kanë shkuar dhe tua lëjnë tokat amerindianëve. E njëjta gjë me australianët. Me turqit në Anadoll apo edhe me sllavët në Ballkan. Por siç thuhej një herë e një kohë: rrota e historisë nuk mund të kthehet prapa.
E vetmja zgjidhje e arsyeshme për mbijetesën e popullit çifut në Izrael duhet të mbetet bashkëjetesa me palestinezët dhe popujt e tjerë arabë në rajon. Pra krijimi i shtetit të pavarur palestinez apo krijimi i një konfederate izraelito/palestineze nën mbikqyrjen e OKB-së ku të përfshihen të dy entitetet. Çdo zgjidhje tjetër, sidomos ajo ushtarake, veçse do të zgjaste vuajtjet sa të izraelitëve aq edhe të palestinezëve. Fantazia nacional-romantike mbi Izraelin biblik e udhëheqêsve të sotëm izraelitë nuk ofron asnjë shpresë për një paqe të përhershme në këtë rajon të përgjakur dhe të cfilitur nga luftërat e pafundme.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment