Papa : Nuk është mirë kur femrat duan të kthehen në meshkuj

      Vizita e Papës së Romës në Belgjikë ngjalli reagime të shumta sa në opinionin publik vendas, por po aq edhe në atë ndërkombëtar. Shkak i këtyre reagimeve u bënë kumtet që i pari i Kishës Katolike i bëri të njohura gjatë kësaj vizite 3 – ditore.

      Që në fillim të vizitës së tij Papa dënoi me forcën më të madhe dhe pa asnjë mëdyshje sjelljet abuzive dhe deri kriminale ndaj fëmijëve të disa klerikëve katolikë. Ai i bëri thirrje kishës belge të tregohej tejet e rreptë dhe e patolerueshme  ndaj atyre priftërinjve që kanë kryer veprime të tilla monstruoze. Këtu Papa u tregua mëse i qartë dhe i prerë.

        Por ajo që ngjalli polemika të paparashikuara ishin disa shprehje të shefit të kishës katolike ndaj abortit. Papa edhe këtu u tregua tejet i rreptë. Ai e cilësoi abortin as më shumë dhe as më pak por thjesht si vrasje, ndërsa mjekët që e ushtrojnë atë i cilësoi si “vrasës me pagesë”.

       Kaq mjaftoi që ndaj kryepeshkopit të Romës të niste dhe të ngrihej një stuhi e tërë kundërshtimesh dhe denigrimesh.Duke filluar që nga përfaqësues të lartë të politikës, të mediave, universiteteve, të shoqërisë civile etj etj.   Sepse këto qëndrime janë në kundërshtim të plotë me politikat societale të këtyre 30 viteve të fundit në fushën e moralit të ndjekura në vendet perëndimore!

        Këto kumte u cilësuan si tejet reaksionare dhe të prapambetura. Madje pati edhe ndonjë politikan të lartë që bëri thirrje për “çpagëzim”. Pra që njerëzit që ishin pagëzuar dikur tani të hiqnin dorë dhe ta mohonin këtë pagëzim duke u kthyer kështu në paganë apo laikë. Deri këtu vajti reagimi i këtyre qarqeve laike dhe antifetare.

       Tema që trajtoi Papa në Belgjikë, pra ajo e jetës apo e eleminimit të saj, pra çështja societale e abortit,  çuditërisht është rikthyer përsëri në kryetemë të ditës, qoftë në vendet europiane, por po ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës!  Dhe kjo pas më shumë se 40 vitesh që kur aborti është legalizuar.

      Kjo pasi vitet e fundit në shoqëritë perëndimore po vërehet një lloj “kthimi prapa” apo një lloj i ashtuquajtur “regresi” në problemet shoqërore dhe morale. Qëndrimi ky që vjen si kundër reagim ndaj politikave liberale të vëna në jetë gjatë këtyre dekadave të fundit.

       Aq e vërtetë është një trend i tillë në shoqëritë perëndimore saqë çështja e abortit zuri një vend të rëndësishëm edhe në debatin presidencial ndëramerikan ndërmjet kandidatëve për president dhe zv.presidentë  ¨Trump/Harris dhe Vance/Walz.

      Prandaj nuk kishte si të mos ndizte debate edhe në Belgjikë. Papa po ashtu duket se  iu kundërvu këtyre ndryshimeve të fundit në shoqëri kur deklaroi se “nuk është mirë që femrat të kërkojnë të kthehen në meshkuj”. “Femra përfaqëson butësinë, kujdesin, lindshmërinë dhe përkushtimin njerëzor” – pohoi prelati më i lartë i botës katolike.

     Këto deklarata, duke iu shtuar atyre të kumtuara më parë nga ai, u morën dhe u cilësuan si një provokim i pastër ndaj shoqërive dhe ligjeve liberale të vëna në jetë vitet e fundit në vendet perëndimore. Siç janë e drejta e njerëzve të njëjtit seks që të martohen apo edhe të adoptojnë fëmijë si dhe ndaj teorive se përtej mashkullit dhe femrës gjallojnë edhe sekse dhe gjini të tjera të ndërmjetme!  

       Dhe Papa mori si shembull domethënës mbretin Budouin (1930 – 1993) të cilit kur qeveria i paraqiti për aprovim ligjin e abortit, u shpreh se ai më parë heq dorë nga froni se të aprovojë këtë ligj vrasës së jetës, ligj që bie në kundërshtim me parimet e tij morale dhe fetare!

        Dhe pikërisht për këtë arsye, në respekt të këtij qëndrimi dinjitoz dhe parimor, shefi i kishës katolike u kërkoi prelatëve të lartë belgë të fillojnë menjëherë nga puna për ta shpallur këtë mbret, mbrojtës i jetës, në shenjtor.

        Por qëndrimet e Papa Françeskut patën edhe ato mbështetësit e tyre. Dhe ajo që ra më shumë në sy gjatë kësaj vizite ishte edhe pritja madhështore që iu dedikua Papës në stadiumin më të madh të vendit, që mban pikërisht emrin e mbretit Bodouin, nga afro 40 000 të rinj dhe të reja katolikë të ardhur nga Belgjika dhe vende të tjera europiane.

       Dhe pikërisht duke vizituar universitetin e famshëm të Lëven-it, me rastin e 600 vjetorit të krijimit të tij, Papa u bëri thirrje të rinjve si dhe trupit pedagogjik që universitetet ta tejkalojnë racionalizmin dhe materializmin dhe të hedhin një sy edhe ndaj shpirtërores.

         Kjo fjalë dhe këto polemika si dhe pritja që të rinjtë i bënë kryepeshkopit të Romës,  dëshmojnë se edhe ndër të rinjtë europianë fryma e Jezu Krishtit vazhdon të gjallojë, pavarësisht politikave sekulariste të ndjekura gjatë këtyre 40 – 50 viteve të fundit.

        Madje një opinionist i njohur vendas, duke iu kundërvënë reagimeve negative të shoqërisë civile apo disa politikanëve u shpreh se: “Kur e fton Papën në shtëpinë tënde, duhet të kesh zgjuarsinë të pranosh edhe bindjet e tij dhe të mos përpiqesh t’i imponosh edhe atij si të vetmen të drejtë absolute pikëpamjet e një Perëndimi tashmë secularist dhe antifetar”!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment