Kur do fillojë dëbimi i emigrantëve nga Europa?

      Dje, e dielë 29 shtator, ishte një tjetër ditë e zezë për demokracinë liberale dhe globaliste europiane. Në zgjedhjet e sapo mbajtura në Austri, partia e ekstremit të djathtë FPO zuri vendin e parë me 29 për qind të votave. Vendin e dytë e zuri partia konservatore me 26.5 për qind dhe të tretin socialdemokratët me 21 për qind. Liberalët dhe të gjelbërit morën përkatësisht 9 dhe 8 për qind të votave.

       Megjithëse e parashikuar, kjo fitore tjetër e ekstremit të djathtë në Austri,  hodhi një hije të zezë në kancelaritë e vendeve demokratike europiane si dhe në Bruksel.

     Sepse fitoret e ekstremit të djathtë në Europë po vijnë njëra pas tjetrës. Pak ditë më parë partia ekstremiste gjermane AfD doli me rezultate tejet të kënaqshme në të tre landet ku u mbajtën zgjedhjet rajonale, përkatësisht në Thuringe, Sachs dhe Brandenburg. Në Thuringe madje ajo zuri vendin e parë, ndërsa në dy landet e tjera e humbi vendin e parë veçse për një pikë më pak!

     Edhe në Hollandë para pak muajsh partia e ekstremit të djathtë fitoi vendin e parë dhe sot bën pjesë në koalicionin qeverisës! Suksese të tilla ishin krejt të paimagjinueshme vetëm deri 10 vjet më parë.

    Po si spjegohet ky forcim i këtyre partive ?! Cilat janë arsyet e këtij suksesi ? Dhe po ashtu cilat janë karakteristikat e përbashkëta të tyre. Dhe e fundit fare: çfarë pasojash do të kenë këto fitore në jetën e qytetarëve të vendit të tyre dhe të Europës së Bashkuar në përgjithësi?

      Suksesi I këtyre partive mbështetet thjesht në dy “këmbë”: Luftë kundër emigracionit të paligjshëm dhe urrejtje ndaj fesë islame. Njëkohësisht këto parti njihen edhe si antiglobaliste dhe anti Europë. Dhe parti të tilla gjen sot në të gjitha vendet e Europës perëndimore, duke filluar nga Portugalia, Spanja, Franca, Suedia, Finlanda, Italia etj ku ato janë në rritje të pandalshme.

      Deri më tani qeveritë demokratike dhe liberale, që kanë qeverisur Europën këto 50 vitet e fundit, e kanë pasë bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh ndaj pakënaqësive dhe kundërshtive në rritje të popullsive të tyre. Arroganca e elitave liberale arriti deri aty aq sa kur populli votonte « Jo », për shembull për një projekt european, ato e kthenin JO-në në “Po”!  Siç ka ngjarë para pak vitesh në Francë kur u votua për një përforcim të mëtejshëm të Bashkimit Europian. Francezët votuan kundër, por elita me anë marifetesh e transformoi Jo-në në Po!

     Edhe emigracioni i pakontrolluar, sidomos ai me prejardhje nga vendet myslimane, ka ngjallur pakënaqësi në popujt e vendeve europiane. Sepse shpesh herë ky emigracion ka qënë i lidhur edhe me rritjen e kriminalitetit në vend si dhe me përzierjen e etnive, kombeve, feve dhe racave të ndryshme brenda një shteti.

     Me shumë zhurmë dhe forcë elitat politike kanë predikuar dhe punuar gjatë këtyre dekadave të fundit në krijimin e shoqërive multikulturore në vendet e tyre. Një botë pa kufinj ku të mund të qarkullonin lirshëm mallrat, njerëzit dhe idetë ishte edhe kredoja e tyre.

       Mirëpo kohët kanë ndryshuar dhe po ndryshojnë me shpejtësi. Europa e sotme nuk është më, përsa i takon fuqisë ekonomike dhe politike, ajo që ka qënë para më shumë se 50 apo edhe 30 vitesh më parë.  Kriza po ndihet gjithandej. Fuqia blerëse dhe niveli i jetesës i popujve po mbahet me zor, veçse falë borxheve të shumta që qeveritë europiane marrin sa majtas dhe djathtas.

       Europa që ishte dikur simboli i shpikjeve dhe zbulimeve edhe në fushën e teknologjisë, ka mbetur sot me vite drite prapa. Dhe kjo edhe për shkak të politikave globaliste të ndjekura veçanërisht gjatë këtyre 30 viteve të fundit.

      Popujt e Europës kanë kohë që kanë vërejtur me shqetësim se uzinat dhe fabrikat e tyre po mbylleshin njëra pas tjetrës për tu hapur në tregje të reja, ku krahu i punës paguhej deri 30 herë më pak. Por mbyllja e tyre shkaktoi jo vetëm pakënaqësi dhe papunësi tek popullsitë vendase, por u shoqërua edhe me transferimin e teknologjive të tyre të përparuara drejt këtyre shteteve.

      Është e njohur psh se si Europa transferoi teknologjinë e avionëve të saj Airbus në Kinë para më shumë se 20 vitesh. Dhe sot Kina prodhon avionët e saj me teknologjinë e Airbus-it, që kanë kosto edhe më të ulët se ato europiane. E njëjta gjë ka ngjarë edhe me  gjigantët e teknologjisë gjermane të automjeteve “Benz – Mercedes” dhe “Wolksvagen”. Aq sa sot këtyre markave, që dikur përbënin krenarinë e Gjermanisë, tani po u mbyllen tregjet, si pasojë konkurrencës nga Kina të automjeteve elektrike. Dhe raste dhe shembuj të tillë ka plot.

        Atëhere dikush duhet të bëhet “kokë turku”. Ndaj tani në shumicën e vendeve europiane janë emigrantët e paligjshëm dhe sidomos myslimanët që janë vënë në shënjestër. Kjo edhe për arsye se këto etni dhe grupe fetare e kanë të vështirë dhe thuajse të papranueshme për ta, të asimilohen në shoqëritë vendase. Dhe megjithëse kanë dy apo tre breza që jetojnë në Europë, këto popullata kanë krijuar shoqëri paralele me ato të vendasve, duke sjellë dhe ruajtur me fanatizëm zakonet e vendeve nga kanë ardhur të parët e tyre. Që shpesh herë bien në kundërshtim me zakonet dhe ligjet e vendeve pritëse.

     Kësaj politike dhe këtij qëndrimi duket se tashmë po i vjen fundi. Dje, vetë ministri I brendshëm i Francës, i sapo emëruar në këtë detyrë, Retailleau, u shpreh se multikulturalizëm do të thotë  multikonfliktualizëm!

    Kjo shprehje përmbledh dhe tregon sot edhe trajektoren e ndryshimeve radikale të politikave europiane ndaj imigracionit dhe islamizmit. Sepse ndërsa  deri më tani kishim mbetur në politikën e fjalëve dhe konstatimeve, duket se  në mënyrë të pandalshme po vjen koha e ndryshimit të këtyre politikave. Që nuk do të thotë veçse ndalim pothuajse i plotë i emigracionit të paligjshëm, por edhe fillimi i rikthimit të detyruar në vendin e tyre të origjinës të popullsive me prejardhje nga emigracioni !

    Dhe fitorja e plotë në Austri e partisë FPO dhe asaj gjermane AfD e mbështet dhe e provon këtë tezë. Pasi këto parti, ndër të tjera, kanë në programin e tyre pikërisht riatdhesimin apo riemigracionin e popullsive me origjinë të huaj! Dhe jo vetëm të emigrantëve të paligjshëm, por edhe të atyre që kanë marrë prej vitesh nënshtetësinë e vendit ku jetojnë. Dhe më e rënda dhe më e keqja është se termi “riatdhesim” po normalizohet tashmë edhe në jetën politike europiane.

     Sigurisht që është ende shpejt për të vënë re familje të tëra emigrantësh të ngarkuar me plaçka, duke u rikthyer me dashje apo pa dashje, në vendet e tyre të origjinës. Por vetë fakti që tani po flitet haptazi për këtë projekt, të bën të mendosh që pas 10 apo 20 vitesh ai do të vihet në jetë.

        Europa sot gjendet në krizë. Dhe dihet që në kohë krizash fitojnë gjithmonë populistët dhe demagogët. Siç ngjau para afro 100 vitesh kur një nacional – socialist i tërbuar, i quajtur Adolf Hitler, i lindur pikërisht në Austri, i vuri flakën botës duke shkaktuar mbi 50 milionë viktima. Që do të thotë 50 milion jetë njerëzish të shkuara për dhjamë qeni. Të rinjsh dhe të rejash, baballarë dhe nëna, pleq dhe fëmijë etj etj.

     Nga ajo kohë kanë mbetur edhe pamjet e tmerrshme të vagonave që transportonin drejt kampeve të çfarosjes me miliona njerëz të pafajshëm. Dhe nëse vazhdon ky trend, i fitoreve të partive fashiste apo të ekstremit të djathtë në europë, nesër ose pasnesër të rinjtë e sotëm mund të jenë dëshmitarë të largimit me automjete, tragete dhe vaporë të qindra mijëra familjeve të dëbuara drejt vendeve të tyre të origjinës.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment