Pas dënimit të deputetit Salianji me një vit burg për mashtrim, kolegët e tij në PD u sollën sikur të kishte ardhur fundi i botës. Njëri pas tjetrit ata nuk ngurruan asnjë sekondë për të kërcënuar gjykatësit që e morën këtë vendim si dhe kryeministrin, se do iu bjerë gjëma, se do e pësojnë si mos më keq etj etj.
Një veprim i tillë të lë një mbresë të hidhur. Që do të thotë se këta mytyberë, që e mbajnë vetn për « baballarë » të kombit, e kanë ndjerë veten e tyre deri më tani si të paprekshëm nga ligji që është i barabartë për të gjithë. Por më shumë se për Salianjin ata kanë frikë për veten e tyre. Se mos Salianji tërheq « këmbën zvarrë » ! Jashtëzakonisht frikë ka sidomos Berisha që gjendet një hap larg burgut. Por edhe të tjerët nuk janë pa gjë.
Dhe po t’i hapen « petët lakrorit” me shumë gjasa një pjesë e madhe e tyre janë për në burg. Aq shumë kanë vjedhur dhe përfituar gjatë këtyre 34 viteve demo-anarshi.
Për më shumë vetë PS-ka ka çuar disa nga zyrtarët e saj më të lartë në burg. Siç është psh rasti i ish-ministrit të saj të brendshëm, Saimir Tahirit. Apo edhe ai i zëvendëskryeministri Ahmetaj, që shpëtoi vetëm sepse mori « arratinë ».
Atëhere përse PD-ja vepron sot në një mënyrë të tillë ?! A përbën kjo sjellje një « parathënie » se çfarë mund të ngjasë nëqoftëse gjykata dënon me burg edhe Sali Berishën ?! Prandaj politikanët e PD-së duket se kanë vendosur tani të kalojnë në veprime konkrete. Duke kërcënuar se do të bllokojnë qarkullimin në rrugët e vendit. Dhe ata e kanë treguar disa herë veten të aftë të mbjellin çoroditje dhe pështjellim në vend.
Nuk ka asnjë dyshim se ata i ka pllakosur frika. Dhe më shumë dëshpërimi. Sidomos që kur Rama deklaroi se PS-ja do të qeverisë vendin edhe100 vjetë, se ata janë më të mirët, atyre sikur u ra pika.
Se ideja e tyre deri më tani ka qënë : « 8 vjet ju në pushtet dhe 8 vjet ne. Një herë vidhni ju, një herë vjedhim ne » ! Sikur rotacioni të ishte diçka e vendosur apo e shkruar në librat e shenjtë. Vërtet rotacioni është i domosdoshëm, por atë duhet ta vendosë populli se kur dhe si do të kryhet. Nuk është shkruar asgjëkundi se rotacioni është i detyrueshëm. Me rëndësi është që zgjedhjet të jenë domosdoshmërisht të lira dhe të drejta. Dhe pastaj është dytësore se kush udhëheq apo sa vite do të qeverisë. Dihet psh se partia socialdemokrate në Suedi ka qeverisur rreth 70 vjet që pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.
Shqiptarët e kanë shprehur disa herë, qoftë me vepra, qoftë me votë, se nuk e durojnë dot PD-në në pushtet. Dhe kjo ka ngjarë që në vitin 1992, atëhere kur PD_ja mori pushtetin për herë të parë, pas vitesh të tëra të sundimit të partisë unike. Dhe pa kaluar disa muaj nga kjo fitore plebishitare, PD-ja humbi zgjedhjet lokale, që u fituan nga PS-ja.
Dhe sikur të mos mjaftonte me kaq më pas humbi edhe referendumin që do i siguronte Berishës një sundim absolut për sa kohë të ishte gjallë. Që nga ajo ditë nisi edhe autarizmi i Berishës : « Nuk e dashkeni ju demokracinë?! Jua tregoj unë qefin » !
Dhe në zgjedhjet e 1996-tës ngjau katastrofa e pamenduar. Zgjedhjet u vodhën nga një regjim që vetëquhej demokratik dhe antikomunist !
Po le të kthehemi te « demokratët“ e sotëm. Duke e ndjerë se nuk fitojnë më kurrë me zgjedhje, deri sa familja Berisha të jetë në krye të PD-së, ata tani po tregojnë dhëmbët si rruga e fundit që u ka mbetur.
Është e vërtetë se me Ramën në krye të PS-së, „demokratët“ nuk kanë më asnjë shpresë të fitojnë ndonjëherë. Aq më shumë tani që janë bërë „çorap“ njëri me tjetrin. Rama me siguri nuk është më i miri. Larg kësaj ideje. Por ai mbetet megjithatë më i miri nga këta që kanë pushtuar sot skenën politike shqiptare.
Ai nuk kërcënon se do ua bëjë surratin më keq se sholla e këpucës! Ai nuk vret në bulevard. Nuk merret me gratë e të tjerëve. Shqipëria nën sundimin e tij ka fituar një reputacion të këndshëm edhe në arenën ndërkombëtare. Ai takohet dhe sillet me udhëheqësit e shteteve të fuqishme, sikur të jetë i barabartë me ta.
As ekonomia nuk po ecën keq për një vend të vogël, me 2.5 milionë banorë, si Shqipëria. Këtë fakt e dëshmon edhe forcimi i lekut si dhe pakësimi i borxhit publik. Po a është turizmi shkopi magjik që do ta nxjerrë ekonominë shqiptare nga balta?! Asgjë nuk është më e pasigurt.
Por me gjysmën e popullsisë jashtë vendit, dhe me futjen në vend në sasi të mëdha të parasë së zezë, rrogat dhe pensionet po rriten. Dhe kjo nuk është pak. Jo se kemi kapur qiellin me dorë, por vendi po përparon. Periudha e shkatërrimeve ka marrë fund dhe ka filluar rindërtimi. Sidomos në pasuritë e patundshme.
Sepse duke u forcuar leku, forcohet edhe ekonomia e familjeve dhe e bujqërve. Sepse tregu ka kërkesë mallrash. Kërkesë që nuk plotësohet dot nga prodhimi vendas, prandaj ka edhe rritje të importeve.
Të gjitha këto janë lajme të zeza për PD-në. Prandaj ajo ka vendosur të radikalizohet dhe të kapë drunin. Një mënyrë tjetër për t’i larguar edhe më shumë zgjedhësit nga ajo. Dhe pavarësisht nga kërcënimet e saj, dera e burgut duket se do të ngelet e hapur edhe për shumë politikanë të tjerë. Të cilët janë bërë me pasuri të tundshme e të patundshme të paimagjinuara deri 30 vjet më parë. Se e kanë nxjerrë Shqipërinë në ankand për 1 euro.
Se i kanë shitur apo dhënë me koncesion pasuritë publike kombëtare sikur t’i kishin të babait. Dhe kjo nga të dy krahët. Me çfarë parash i çojnë fëmijët jashtë shtetit me studime?! Me rrogën e tyre është thjesht e pamundur.
Pa dyshim që ka ardhur dhe po kalon koha për një veting të thelluar ndaj të gjithë politikanëve, ministrave dhe deputetëve që kanë qeverisur vendin këto 32 vitet e fundit. Ka nevojë po ashtu për një hetim se ku kanë përfunduar pasuritë mbi e nëntokësore të vendit .
Prandaj futja në burg e Salianjit duket se përbën veçse hapin e parë në drejtimin e duhur. Të shpresojmë se SPAK do të vazhdojë në këtë rrugë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment