Sa i pasur është Papa ?! Po shteti i Vatikanit ?!

      Papa i Romës ka arsye sot të ndjehet tejet i shqetësuar. Që kur kryeministri Rama shpalli krijimin e një Vatikani tjetër me qëndër në Tiranë. Ky do të jetë, siç edhe kemi shkruar, një lloj Vatikani bektashian, që do udhëhiqet nga Baba Mondi. Po sa paguhet sot Baba Mondi dhe sa do paguhet nesër, kur do të kthehet në një lloj kryetari shteti ?! Po le të shohim më parë se sa është pasuria e Papës së Romës, sa paguhet ai në muaj dhe sa pasuri të patundshme zotëron. Dhe pastaj të bëjmë një krahasim me Baba Mondin !

       Si udhëheqësi shpirtëror i gjithë katolikëve në botë,  Papa nuk është vetëm kryepeshkopi i Romës dhe kreu i Kishës Katolike, ai është gjithashtu “CEO” (drejtori i përgjithshëm) i Vatikanit dhe kreu i shtetit të këtij qyteti  sa i veçantë aq edhe i vogël. I pyetur njëherë se sa fitonte në muaj, pra sa e kishte rrogën mujore, Papa u përgjigj : “Sa fitoj? Absolutisht asgjë. Më ushqejnë dhe kur kam nevojë për diçka, e kërkoj”.

        Papa Françeskut, emri i vërtetë i të cilit është Jorge Mario Bergoglio, i takon, si kreu i shtetit të Vatikanit, të paguhet. Pra të ketë një rrogë. Në fakt rroga e tij është zero euro në muaj.  Kjo është ajo që ai tregoi në maj 2020, gjatë një interviste me organizatën franceze kundër varfërisë « Lazare ». “Unë nuk fitoj asgjë. Asgjë fare! Ata më ushqejnë dhe kur kam nevojë për diçka, e kërkoj”, shpjegoi Papa në atë kohë.

        Papa i Romës duket se i ngjan në këtë pikë  Enver Hoxhës, që nuk kishte nevojë për rrogë, se e kishte gjithë Shqipërinë pronë të tij. Megjithatë thuhet se diktatori shqiptar i kishte caktuar atëhere vetes një pagë mujore prej 17 000 lekësh të vjetra, afërsisht 2 herë më e madhe se rrogat më të mira dhe deri 4 herë më e madhe se rrogat më të ulta.  Dhe njëlloj si papët, ai nuk kishte dhe nuk mori me vete dhe as u la fëmijëve të tij asnjë lloj prone. Nuk e di se pse këto të dhëna më sjellin ndërmend komunistin/kapitalist Sali Barishën me vajzën, djalin dhe dhëndrrin e tij !

       “Papa Françesku në fakt nuk merr  rrogë,” konfirmon Rik Torfs, doktor i së drejtës kanonike në KU Leuven. “Megjithatë, si kreu i Kishës, ai mund t’i paguante fare mirë vetes një rrogë. Por çfarë do të bënte ai me këto para? Papa nuk duhet të paguajë kurrë asgjë. Për më tepër, mungesa totale e privatësisë do ta pengonte atë të shpenzonte paratë e tij kudo. Nuk është se ai mund të bëjë pazar apo të shkojë të shohë një ndeshje futbolli”, thekson doktori i  së drejtës kanunore dhe fetare.

      Për krahasim, rreth njëzet kardinalët në kurinë romane marrin një rrogë të këndshme: deri në 5000 euro neto në muaj, ndërsa strehohen dhe ushqehen pa pagesë.  “Françesku ishte fillimisht një jezuit dhe u zotua për varfëri, duke premtuar se do të qëndronte sa më larg pasurisë materiale”, vazhdon Rik Torfs.

       Jo më kot Papa Françesku përsërit shpesh se “paratë duhet të shërbejnë dhe jo të qeverisin”. Në këtë kuptim, Papa 87-vjeçar argjentinas veçohet nga paraardhësi i tij Benedikti XVI, i cili kishte një shije të theksuar për luksin. Gjatë kurorëzimit të tij në vitin 2013, Françesku refuzoi të jetonte në dhomën e gjërë papale në Pallatin e Vatikanit. Në vend të kësaj, ai u vendos në një apartament më të thjeshtë në rezidencën Santa Marta, që ndodhet pranë Bazilikës së Shën Pjetrit.

       Dhe ndryshe nga shumë presidentë apo oligarkë,  Papa Françesku nuk ka  as aeroplanin të tij. Në udhëtimet jashtë, ai në përgjithësi përdor linjat ajrore italiane si ITA Airways. Për kthimin, ai u beson linjave ajrore vendase.

          Për udhëtimet e tij me makinë, Papa preferon të udhëtojë me një KIA modeste ndërsa për udhëtime të shkurtra në Vatikan dhe Romë, ai përdor një Ford Focus të vjetër. Dhe kur i dhuruan një Lamborghini Huracan në 2017, ai e shiti atë drejtpërdrejt në ankand dhe më pas i dhuroi  715,000 eurot e fituara për bamirësi në Itali, Irak dhe Afrikë.

          Për Françeskun, pasuria shihet si të jetë mëkat. “Ne duhet të mbrohemi nga prirja për të idhulluar paratë. Kjo mund të na dobësojë besimin dhe të na shtyjë drejt tundimeve e dëshirave të pakuptimta dhe lënduese që i çojnë njerëzit drejt shkatërrimit dhe asgjësimit”, tha ai një herë gjatë një lutjeje.

          Këtu duket se ai i ngjan apostullit të tij, Jezu Krishtit, i cili duke folur për ethen për para dhe pasuri është shprehur 2 000 vjet më parë se «  Më kollaj hyn gamilja në vrimën e gjilpërës sesa i pasuri në mbretërinë e Zotit ».  Apo kur u predikonte pasuesve të tij se « nëse keni 2 këmisha, njërën faljani atij që nuk ka ».

     Por për hir të transparencës, më së fundmi janë bërë të njohura edhe shifrat e xhiros vjetore të dy burimeve më të mëdha tregtare të Vatikanit. Dhe këto janë marramendëse. Së pari në Vatikan vepron  Administrata e Trashëgimisë së Selisë Apostolike,. Ajo menaxhon pasuritë e paluajtshme dhe investimet e Vatikanit në aksione, obligacione, ar, etj. Në total, vlera e saj aktualisht vlerësohet në 2.7 miliardë euro, por vlera  e pasurive të paluajtshme i kalon këto shifra

        Kështu, Papa, po të dojë mund të mburret se është pronari i më shumë se    5.372 (!) ndërtesave, që së bashku përfshijnë jo më pak se 1.5 milion metra katrorë hapësirë ​​banimi dhe pune. Ndërsa 4.249 nga këto prona janë në Romë dhe Itali, manjati i shenjtë i pasurive të patundshme zotëron gjithashtu edhe një numër pronash në Francë (752), Zvicër (344) dhe Mbretërinë e Bashkuar (27). Shumica e këtyre pronave jepen me qira.

      Pavarësisht kësaj perandorie të pamasë të pasurive të paluajtshme, Administrata e Trashëgimisë mezi realizoi 73.6 milionë euro të ardhura vitin e kaluar, duke përfshirë 35 milionë euro fitim neto. “Nuk duhet të harrojmë se shumë ndërtesa nuk shiten me çmimin e tregut. Për më tepër, personalitetet e larta shpirtërore ose organizatat fetare që banojnë në këto prona nuk paguajnë qira normale,” thotë Rik Torfs.

          Nëse i shtojmë edhe fitimin neto nga investimet, Administrata e Trashëgimisë ka shënuar 45.9 milionë euro fitime në vitin 2023. Nga kjo shumë, 37.9 milionë euro janë paguar në formën e “dividentëve” për Selinë e Shenjtë. Këto dividentë zakonisht përdoren për shpenzimet ditore operative.

        Në të njëjtën kohë, Instituti për Punët e Fesë (IOR), i njohur si “Banka e Vatikanit”, është institucioni kryesor financiar i Selisë së Shenjtë. Me 12.361 klientë super të kamur nga 112 vende, banka e Vatikanit menaxhoi shumën kolosale prej 5.4 miliardë euro vitin e kaluar, por gjeneroi vetëm 30.6 milionë euro fitime neto. Në çdo bankë tjetër drejtori do të ishte shkarkuar për rezultate kaq të dobëta. “Por në Vatikan, ne jemi gjithmonë të frikësuar nga ndërmarrja e rreziqeve financiare,” thotë Rik Torfs. “Në realitet, ata investojnë vetëm për të ruajtur asetet e tyre”, nënvizoi ai.

        Madje, qyteti i Vatikanit regjistroi një deficit buxhetor në vitin 2023. Kjo për shkak të turizmit, i cili dukshëm nuk është kthyer në nivelin e tij përpara pandemisë së koronavirusit. Shitjet e pullave, monedhave dhe suvenireve fetare janë gjithashtu më të pakta. Normalisht, të gjitha këto të ardhura turistike sjellin lehtësisht 100 milionë euro në vit për arkën e Vatikanit.

        Natyrisht, shitja e ndonjë vepre artistike me vlerë për të mbuluar humbjet as që diskutohet. Edhe pse trashëgimia e Vatikanit është e paçmuar, vetë Bazilika e Shën Pjetrit është regjistruar zyrtarisht në regjistër për 1 euro. Po kështu, thesaret e panumërta artistike të Muzeut të Vatikanit, vlera totale e të cilave vlerësohet në disa miliardë euro, janë të pashitshme.        

         Nën Musolinin, një dekret i veçantë përcaktonte se Vatikani nuk mund të shiste as edhe një vepër të vetme arti si shkëmbim i sovranitetit që fitoi që nga viti 1929. Një sovranitet që i jep atij një avantazh të madh: asnjë banor zyrtar i Shtetit të Qytetit të Vatikanit – aktualisht ai numëron 497 – nuk është i tatueshëm në asnjë mënyrë. Kështu, ashtu si fletëpagesa e tij edhe deklarata tatimore e Papa Françeskut është veçse një fletë e bardhë.

       Dhe tani pasi u njohëm me pasurinë e Papës dhe Vatikanit mbetet tani të shohim se si do ta administrojë pasurinë e tij të sotme dhe të ardhme kryeshtetari më i ri në botë, Baba Mondi !

v.gj.

Lini një koment