Deklarata e fundit e kryeministrit Rama te „New York Times“ se selia ndërkombëtare e bektashizmit në Tiranë mund të fitojë statusin e një shteti të pavarur brenda shtetit shqiptar, ka ngjallur një stuhi të tërë reagimesh në mjedisin shoqëror vendas. Shumica e akuzojnë Ramën se po krijon një shtet brenda shtetit, dhe se kjo ide vjen nga larg, nga Soros-i apo Rotchildët etj etj.
Por synimi i këtij veprimi, nëse do realizohet, për mendimin tim është me qitje të largët. Është e sigurt se kurrë nuk do të ketë shtet të pavarur bektashi. Do të jenë ca metra katrorë që do administrohen nga Baba Mondi! Dhe asgjë tjetër. Kjo nismë, ndër të tjera, duket se ka si synim edhe dhënien e një farë rëndësie shtetit shqiptar në botën e jashtme. Me shpalljen si të pavarur të një institucioni fetar ndërkombëtar me seli në Tiranë.
Por kjo lëvizje përbën edhe një goditje indirekte ndaj myslimanëve synitë brenda dhe jashtë vendit. Sidomos atyre radikalë që i mbulojnë gratë, nuk pinë alkol, që nuk martohen me të krishterët etj etj.
Për bashkësinë bektashiane në Tiranë janë shkruar edhe disa libra nga autorë të huaj si dhe janë kryer edhe shumë intervista televizive. Bota habitet që ekzistojnë edhe myslimanë tolerantë, që këndojnë dhe kërcejnë, që nuk i mbulojnë gratë, që pinë raki etj etj.
Prandaj sunitëve nuk u pëlqen nxjerrja në pah e sektit bektashian. Prandaj na kanë çarë kokën me dekada me rradhë rreth Shqipërisë me tri fe! Ndërkohë që Shqipëria përbëhet veçse nga dy fe: të krishterët me apostull Jezu Krishtin dhe myslimanët me profetin Muhamet. Çdo një nga këto fe ndahet në dy degëzime: katolikë dhe ortodoksë dhe shitë dhe sunitë. Ndryshe duhet theksuar se bektashinjtë kanë luftuar gjithmonë për pavarësinë e Shqipërisë.
Madje, sipas disa burimeve, feja bektashiane është përhapur në Shqipëri që para pushtimit turk. Kjo duket se është edhe arsyeja që ky sekt zgjodhi kryeqytetin e Shqipërisë si seli të tij për mbarë botën bektashiane.
Bektashinjtë sot janë të shpërndarë në mbi 30 shtete. Por pak e dinë që selia e tyre gjëndet në Tiranë. Njëlloj si selia e katolikëve që gjendet në Vatikan.
Për bektashinjtë, apo alevitët, siç thirren ndryshe, u fol shumë edhe në Turqi para afro 3 vitesh, kur Kemal Kiliçdaroglu, rivali kryesor i Erdoganit për postin e presidentit të vendit, pohoi se ai është me origjinë alevit/bektashi.”Besoj se kjo nuk përbën krim?” – pyeti ai.
Siç dihet sekti alevi bektashi është një degëzim i shitëve, i krijuar pas ndarjes së madhe dhe të përgjakshme me sunitët arabë gjatë betejës së famshme të Qerbelasë në vitin 680 të erës sonë. Ndryshe themeluesi i këtij riti është Haxhi Bektash Veliu, prejardhja e të cilit shkon deri tek imami i 5-të pas profetit Muhamet.
Respekti për Zotin dhe frika prej tij, dashuria për mbarë njerëzimin është thelbi (quint-esenca) e alevizmit bektashian, që beson në krijimin e Njeriut nga Zoti dhe në pavdekësinë e tij. Por për të arritur këtë pavdekësi shpirti i njeriut duhet të dalë nga lëvozhga trupore nëpërmjet veprave të mira të kryera që në gjallesë, që do i mundësojnë shpirtit arritjen e të Vërtetës Hyjnore dhe shndërrimin e tij në Insami Kamil, ose Njeri i Përsosur!
Ky spiritualizëm ngjan shumë me atë të Nirvanas te feja budiste ! Te një nga suratet e njohuara të bektashizmit pohohet se : « Njeriu gjendet në të Vërtetën e Zotit, dhe e Vërteta e Zotit gjendet tek Njeriu » !
Vitet e fundit, sidomos pas përhapjes së terrorizmit islamik, nga organizatat Al Qaida dhe ISIS, vërehet një ringjallje e interesimit të botës perëndimore ndaj këtij sekti që ndryshon kaq shumë sa nga radikalizmi sunit, por po aq edhe nga shitët konservatorë.
Bektashizmin ata po e konsiderojnë sot si një urë që lidh krishtërimin me botën myslimane. Ky është një myslimanizëm “cool” shkruante kohë më parë e përjavshmja “Slate”.
Perëndimi ka filluar vërtet të çuditet se si ekzistoka edhe një rrymë myslimane ku gratë nuk detyrohen të mbajnë ferexhe, ku ato falen së bashku me burrat, të cilët mund të pijnë edhe pije alkolike dhe të këndojnë dhe vallëzojnë, në një kohë që këto praktika janë të ndaluara në fenë sunite.
Njëlloj si në fenë e krishterë që i falet trinitisë së shenjtë: Zotit, Krishtit dhe Shën Mërisë, edhe bektashinjtë kanë trinitinë e tyre të shenjtë e përbërë nga Allahu, Muhameti dhe pasuesi i profetit, Aliu.
Madje edhe organizata e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, duket se është e mrekulluar nga sekti bektashi. Sidomos nga deklaratat e themeluesit të saj, Haxhi Bektash Veliu.
“Predikimet e filozofit të shekullit të 13 përmbajnë një mesazh që tetë shekuj më pas u përputhën me Deklarën Universale të të Drejtave të Njeriut aprovuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1948” – vë në dukje me çudi organizata e Kombeve të Bashkuar për arsimin, shkencën dhe kulturën. Kjo habi është shkaktuar nga pohimi i Haxhi Bektash Veliut se “nuk ekziston asnjë dallim dhe ndarje në përballjet femër/mashkull” !
Ndërsa për botën, sidomos atë të krishterë, bektashizmi po përbën një risi dhe mrekulli, për shqiptarët ai është thjesht një nga katër besimet fetare që jetojnë në harmoni të plotë me njëri tjetrin.
Në Shqipëri bektashinjtë përbëjnë afro 20 për qind të popullsisë së përgjithshme. Afërsisht aq sa kanë mbetur edhe në Turqi. Njëlloj si në të kaluarën në Shqipëri, në Turqi edhe sot e kësaj dite ata nuk njihen si bashkësi fetare e veçantë dhe nuk gëzojnë asnjë mbrojtje nga shteti. Që kur më 1923 Qemal Ataturku i përndoqi, i masakroi dhe i përzuri një pjesë të madhe të tyre. Sot bektashinjtë alevitë jetojnë të shpërndarë në 31 shtete të botës.
Krijimi i një lloj Vatikani bektashi në zemër të Shqipërisë, nuk e dëmton vendin. Përkundrazi. Ai veçse e ndriçon dhe e ngre statusin e Shqipërisë edhe më lart në shoqëritë perëndimore dhe orientale.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment