Ishte vetë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që u shpreh dje drejt dhe qartë se Kosova „është vend i pavarur dhe sovran“. Me thënë lavdi Zotit që u kujtuan më në fund. Por siç i thonë edhe një fjale të urtë „më mirë vonë se kurrë“.
Se deri më tani, dhe sidomos këto 10 vitet e fundit, shumëkush është përpjekur ta vendosë Kosovën me shpatulla pas murit. « Nuk jeni çliruar me forcat tuaja , prandaj duhet të bindeni dhe ta mbani kokën ulur » – është taktika e atyre që brenda dhe jashtë kombit shqiptar duan ta vënë Kosovën në pozitë të vështirë.
E vërteta është se Kosova u çlirua me ndihmën e Perëndimit dhe sidomos të NATO-s të udhëhequr nga Amerika. Ishte koha kur në Beograd sundonte « kasapi i Ballkanit », Sllobodan Millosheviç. Ishte koha kur bota e qytetëruar ishte tmerruar nga krimet e forcave paramilitare serbe në Bosnjë dhe sidomos në Srebrenicë.
Europa kishte rënë në qetësi dhe begati që prej 45 vjetësh, që kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore. Dhe askush nuk mendonte se shpërbërja e Jugosllavisë do të pasohej nga luftëra etnike dhe fetare.
Dhe kur Serbia mendoi se kishte ardhur koha tu jepte një mësim të mirë edhe forcave çlirimtare të Kosovës, të udhëhequra nga Adem Jashari, Perëndimi tha « enogh is enogh ». Dhe NATO nisi atëhere aksionet e saj luftarake kundër diktatorit të fundit nacional – socialist të Europës. I cili pastaj u çua i lidhur me pranga në tribunalin e Hagës ku dhe vrau veten. Është histori më vete pastaj që Putini apo Lukashenko zëvendësuan më pas Millosheviçin.
Por që atëhere kanë kaluar 25 vjet. Shumë gjëra kanë ndryshuar. Gjatë kësaj periudhe Serbia nuk ka pushuar një sekondë së ankuari se ja bënë me pa të drejtë. Se tani që Millosheviçi nuk është më, Kosova duhet t’i kthehet asaj ! Etj etj.
Por për Kosovën problemi nuk ka qênë vetëm Millosheviçi. Sepse pavarësisht se kush ka sunduar në Beograd politika ndaj shqiptarëve në Jugosllavinë e Parë apo të Dytë nuk ka ndryshuar. Shqiptarët atje kanë qënë gjithmonë të shtypur, të përbuzur dhe të poshtëruar. Dhe hera herës edhe degdisur me forcë dhe gjak drejt Turqisë.
Po le të kthehemi te situata e sotme. Kosovës duket se ia kanë vënë përsëri të dyja këmbët në një këpucë. Sidomos që kur e detyruan të nisë bisedimet me Serbinë! Apo kur e tërhoqën prej hunde me vite të tëra me pretekstin e « standarteve para statusit »!
Më kujtohet shumë mirë në atë kohë, kur punonja si korrespondent i radios gjermane në gjuhën shqipe « Deutsche Welle », kur kam shkruajtur disa artikuj te gazeta e atëhershme « Epoka e Re », ku bënja thirrje qartë që Prishtina kurrsesi nuk duhet të hyjë në bisedime me Beogradin se do dalë me humbje » ! Serbët, shkruanja asaj kohe, (ishte fillimi i viteve 2 000 kur Havier Solana ishte shefi i politikës së jashtme të BE-së), në fillim do të kërkojnë të çojnë në Kosovë veçse ndonjë lulishtar, më pas ndonjë zyrtar dhe pak nga pak do të përpiqen të rivendosin sundimin e tyre të plotë atje.
Por Hashim Thaçi me shokë ranë në grackë. Atyre filloi tu pëlqente shumë Brukseli, pritja që u bëhej nga zyrtarët e lartë të BE-së të asaj kohe etj etj. Dhe ndaj tyre përveç miklimeve dhe rrahjes së shpatullave u përdor edhe politika e “kulaçit dhe kërbaçit”.
Çlirimtarët e Kosovës u kërcënuan, siç ngjau edhe në të vërtetë, se do përfundonin në Hagë si Millosheviçi për shkak të të ashtuquajturave krime lufte! Akuzat morën tipare groteske kur çlirimtarët u akuzuan se kishin kryer deri edhe operacione kirurgjikale për grabitjen dhe shitjen e organeve të serbëve në një shtëpi të verdhë në Kukës!
Pak nga pak serbët po ktheheshin kështu në viktima dhe kosovarët në agresorë. Madje u bënë edhe filma ku viheshin ballë për ballë ushtarakët hijerëndë serbë me luftëtarët e UCK-së që paraqiteshin sikur të ishin talibanë islamikë të etur për gjak! Ideja ishte që lufta popullore për çlirim të merrte ngjyrat e një lufte fetare!
Siç thamë Kosova sot gjendet përsëri në një pozitë shumë të vështirë. Vuçiçi sillet në Bruksel sikur është në shtëpinë e vet, ndërsa Kurti është gjithmonë në mbrojtje. Kryeministri i Kosovës, që duhet pranuar se po qëndron i paepur, por fatkeqësisht ai ndjehet sot dhe është në fakt tejet i vetmuar. Ai po sulmohet nga opozita, por nuk po gjen as edhe mbështetjen më të vogël as nga qeveria e Tiranës!
Tashmë është koha e fundit dhe vendimtare që Kosova të dalë nga çarku që i kanë ngritur. Presidentja Vjosa Osmani pati shumë të drejtë kur deklaroi me forcë dhe bindje se Kosova është sot “shtet i pavarur dhe sovran”. Do të thoshim se pavarësia e saj është njohur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e OKB-së si dhe nga asambleja e saj.
Është e domosdoshme që udhëheqësit kosovarë të sillen tani në Bruksel apo Uashington si përfaqësuesit e një shteti të pavarur, njëlloj si 180 shtetet e tjera të botës. Kosova nuk është më gjysëm shtet apo kuazi shtet. Minoritetet atje duhet të mbrohen më së miri, njëlloj siç mbrohen pakicat kombëtare kudo në Ballkan dhe në Europë. Prandaj nuk ka nevojë fare për krijimin e një shteti tjetër brenda saj në formë asosacioni. Me një fjalë të një Bosnjeje të dytë!
Ndërsa miqve tanë u duhet thënë: “Faleminderit shumë për gjithçka keni bërë për ne nga 1999-ta dhe deri më sot, por tani edhe ne jemi rritur. Do të mbetemi pêrjetësisht miq dhe aleatë, por tani nuk kemi më nevojë të mbahemi nga dora se mund të ecim me këmbët tona”. Pikë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment