Po të perifrazonim Marksin do të pohonim se një fantazëm po endet në Europë. Por jo fantazma e komunizmit, por fantazma e fashizmit. Tash e 2 vjet kudo në Europë forcat ekstremiste dhe nacionaliste po fitojnë çdo ditë e më shumë terren. Popullariteti i tyre po rritet fuqishëm. Prova e fundit erdhi nga Gjermania. Në zgjedhjet e para 10 ditëve në dy nga landet (shtetet) e Federatës Gjermane, konkretisht në Sachs dhe Thuringe forcat ekstremiste u rritën ndjeshëm. Madje në Thuringe, AfP-ja, Alternativa für Deutschland, doli e para. Ndërsa në Sachs ajo u rendit e dyta, veçse një pikë më pak se partia fituese CDU, Bashkimi Kristian Demokrat. Këtë të dielë, do të mbahen zgjedhjet në një tjetër land të ish- Gjermanisë Lindore, Brandenburg. Edhe këtu pritet të fitojë përsëri AfD-ja.
Establishmenti politik në Berlin ndjehet tashmë i kërcënuar nga kjo valë ksenofobe dhe nacionaliste që po kërcënon përsëri rendin demokratik në vend. Prandaj edhe kancelari Scholz vendosi të marrë masa të jashtëzakonshme. Kështu që nga dje, e hënë 16 shtator, ai rivendosi kontrollet në çdo postë kufitare të vendit. Dhe jo vetëm në kufirin me Poloninë, por edhe me Austrinë, Francën, Luksemurgun, Belgjikën, Hollandën dhe Danimarkën.
Vrasja para pak javësh e 3 qytetarëve europianë nga një terrorist ilegal sirian, i rekrutuar nga organizata islamike ISIS, tronditi mbarë Gjermaninë. Kancelari Scholz u zotua atëhere se ai do të bëjë gjithçka mundet për të përzënë nga vendi të gjithë emigrantët ilegalë.
Por jo gjithçka mbaron me kaq. Suedia për shembull, një nga vendet më mikpritëse për të huajt gjatë viteve 1980- 2020, tani po përpiqet të largojë sa më shumë prej tyre. Dhe jo vetëm të atyre pa letra, por edhe atyre që kanë fituar tashmë të drejtën e qëndrimit në vend. Dhe për këtë ky vend nuk po ngurron të nxjerrë para nga xhepi. Që do të thotë që kushdo që ka fituar të drejtën e qëndrimit në vend, por që dëshiron të largohet, do të dëmshpërblehet me parat të thata në dorë. Keto masa vijnë pas rritjes së paparë të kriminalitetit në vend. Një vend i bukur, i qetë dhe mikpritës si Suedia tash rrezikon të bjerë në dorën e grupeve kriminale, një pjesë e rëndësishme e të cilëve përbëhet nga të huajt.
Edhe kryeministri britanik Keir Starmer përgëzoi dje kryeministren italiane, Giorgia Meloni, për politikën e saj të vendosur kundër emigracionit të paligjshëm. Madje ai shkoi aq larg saqë pranoi se edhe ai mund të nënshkruante me Shqipërinë një marrëveshje për dëbimin e emigrantëve, njëlloj si ajo që Meloni ka nënshkruar me kryeministrin shqiptar!
Shihet qartë se Europa është në ethe. Duket sikur asgjë nuk po shkon si duhet. Edhe Gjermania, që konsiderohej deri më tash, si lokomotiva e Europës, po jep shenja lodhjeje. Të gjitha këtë vende janë të përmbytura nga borxhet. Dhe nga emigracioni. Bilancet ekonomike dhe financiare janë të gjitha negative. Autoriteti i elitave ka rënë përtokë. Europianët ndihen sot të pasigurtë për të ardhmen.
Dhe sikur të mos mjaftonin këto parashikime ogurzeza u desh edhe raporti i ish kryeministrit Italian dhe ish drejtorit të Bankës Qëndrore European, BCE, Mario Draghi, i cili paralajmëroi këto ditë për një agoni të zgjatur të Europës nëse nuk ndërmerren reforma të thella, të shpejta dhe radikale.
Nga shumë anë Europa sot po i ngjan çdo ditë e më shumë Europës së viteve ’30 të shekullit të kaluar. Nuk thojnë kot që historia veçse përsëritet në formë spiraleje. Emigracioni, terrorizmi dhe rënia ekonomike janë problemet kryesore me të cilat po përballet Europa sot. Njerëzit nga ana e tyre duket se nuk janë të ndërgjegjshëm për gjendjen katastrofike që po afron dhe kërkojnë veçse “bukë dhe lojëra”, njëlloj si në Romën e lashtë para se ajo të shembej. Ka veçse një ndryshim të vogël në krahasim me vitet 1930. Kësaj rradhe “kokë turku” nuk janë më çifutët si në kohën e Hitlerit, por do të jenë myslimanët.
Ndërkohë e majta socialiste klasike duket sikur po jep shpirt. Zgjedhësit po largohen prej saj çdo ditë e më tepër. Aq më shumë që ajo nuk ofron më sot asnjë alternativë bindëse. Pasi lejoi dezindustrializimin dhe transferimin e teknologjisë, fabrikave dhe uzinave nga vendet europiane ku ato ishin krijuar rreth 150 vjet më parë, drejt Kinës apo Indisë në emër të globalizmit, ajo mbeti pa mbështetës, pa klasë punëtore. Dhe atëhere ajo u hodh në mbrojtjen e emigrantëve, LGBTQ-ve, uokizmit, etj etj.
Si rezultat shumë votues janë kthyer sot drejt të majtave nacionaliste dhe antiemigracion. Ishte partia e majtë e Danimarkës, e para që u shpreh dhe veproi që para 4 vitesh në pengimin e emigracionit në vendin e saj.
Shembulli i fundit në këtë drejtim vjen përsëri nga Gjermania. Në zgjedhjet e përmendura më sipër, pra në Thuringe, një parti e majtë e krijuar më 8 janar të këtij viti: “Aleanca Sahra Wagenknecht – Pour të drejtën dhe të vërtetën, (në gjermanisht : Bündnis Sahra Wagenknecht – Für Vernunft und Gerechtigkeit, shkurt BSW) u rendit e treta me afro 16 përqind të votave, duke lënë pas partinë e majtë klasike “Die Linke”, e cila kësaj rradhe fitoi vetëm 13 përqind të votave.
Duhet kujtuar se 5 vjet më parë, 2019, “Die Linke” ishte partia udhëheqëse në këtë land me 31 përqind të votave. Shihet se elektorati i majtë preferoi kësaj rradhe të votonte për një parti të majtë nacionaliste antiemigracion sesa për partinë proemigracionit “Die Linke”! Çuditërisht numri i votuesve të majtë në këtë land mbeti afërsisht i njëjtë, afro 30 përqind e elektoratit, por shihet qartë se ai u zhvendos drejt së majtës nacionaliste.
Pas një politike 30 vjeçare të « dyerve të shqyera” Perëndimi duket se ndjehet sot i lodhur dhe i frikësuar nga një emigracion i papërmbajtshëm dhe i pakontrolluar. Prandaj sa në Shtetet e Bashkuara aq edhe në Europë tani duket se kanë vendosur t’i mbyllin dyert me shul.
Shihet qartë pra se Europa e sotme nuk është më ajo e djeshmja. Si për qytetarët e saj, por po ashtu edhe për emgrantët që janë tashmë vendosur në këtë kontinent ose që shpresojnë të shkojnë atje. Bota po ndryshon dhe historia, fatkeqësisht, duket se do përsëritet.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment