Deputeti Eduard Ndreca ka propozuar që 2 marsi 1444, data kur u themelua Kuvendi i Besëlidhjes së Lezhës, i cili çmohet të jetë pika e nisjes së krijimit të shtetit shqiptar, të shpallet ditë feste zyrtare.
“Me kthimin e 2 marsit 1444, që përkon me Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës, ne jo vetëm vlerësojmë figurën më madhështore të historisë së kombit tone, Gjergj Kastrioti por dhe periudhën më të lavdishme të historisë kombëtare dhe brenda kësaj periudhe datën më të rëndësishme të historisë sonë kombëtar, dita ku princat u mblodhën nën drejtimin e Gjergjit të madh dhe vendosën piketat më të rëndësishme që i duhen një kombi në rrezik asgjësimi për të shpëtuar veten dhe vlerat që ai trashëgon”, tha ai.
Deputeti Ndreca theksoi më pas se ky propozim do t’i shtojë më tepër rëndësi forcimit të identitetit kombëtar, gjithashtu do të nxisë dhe studiuesit e fushës së historisë shqiptare dhe të huaj për të vijuar me hulumtime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje të epokës së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Nga ana e tij Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miratoi projektligjin i cili propozon shpalljen e 2 marsit 1444 festë zyrtare, njoftoi dje, 11 shtator, Agjencia Telegrafike Shqiptare, ATSH.
Deri këtu gjithçka në rregull. Madje ky deputet duhet përgëzuar për idenë e tij. Sepse me të vërtetë 2 marsi i vitit historik 1444 përbën një datë të rëndësishme në historinë e … Arbërisë! Atë ditë heroi ynë Kombëtar bashkoi gjithë princat e vendit në një aleancë madhore për t’i bërë ballë dyndjes osmane. Lek Dukagjini, Balshajt, Muzakajt, Lek Zaharia, Topiajt, Gjergj Aranitasi, Vrana Konti dhe të tjerë feudalë shqiptarë u mblodhën rreth Gjergj Kastriotit për të mbrojtur vendin, zakonet dhe kulturën e tyre arbërore dhe pa asnjë dyshim edhe fenë e tyre të krishterë! Dhe pikërisht këtu qëndron problemi. Dhe po këtu rëndon një pyetje e madhe. A janë shqiptarët e sotëm pasardhës të mirëfilltë të arbërorëve të dikurshëm. A janë pasardhës të arbërorëve ata të cilët bllokojnë dy herë në vit sheshin e heroit kombëtar për tu falur me fytyrë nga Meka?! Madje arrijnë deri atje sa të mbulojnë edhe statujën e Skënderbeut me një cohë të zezë se u vret sytë?!
E di që këto janë pyetje të rrezikshme. Aq sa disa mund të mendojnë se po cënoj unitetin kombëtar! Por gjërat duhen thënë ashtu si janë. Dhe të vërtetës i duhet dalë përballë. Në librin e tij “Shkodra në mote” studiuesi Hamdi Bushati përshkruan sesi u përzje qyteti i tij me kolonë të ardhur nga Turqia, Irani, Egjipti dhe përtej. “Siç dihet historikisht, kur Sulltan Mehmeti II e pushtoi Shkodrën, shumë familje kristjane e lanë vendin dhe u larguan nga qyteti. Shtëpitë që lanë kristjant ua dhanë myslimanëve. Nga kjo kuptohet mirë se ata mysliman, të cilve iu dorëzuan shtëpitë e kristjanëve të ikur nuk ishin të gjithë shqiptarë të konvertuar në islam, ndër ato vitet e okupacionit, ata ishin turq ose me kombësi të tjera jo shqiptare. Instalime myslimanësh me prejardhje të huaj kanë vazhduar të vertetohen deri në kohët e fundit të pushtimit osman të Shkodrës. Krahas myslimanëve erdhen edhe kristjanët.
1) Të ardhur nga Turqia, Egjypti, Arabia, Dardanelet, Maroku, Tunizia, Algjeria, Siria, Dagistani, Sudani etj:
Familjet e ardhura nga këto vende përbëjnë numrin më të madh të familjeve të ardhura në Shkodër. Në këtë studim nuk përmenden të gjitha familjet e ardhuna nga këto vende, por vetëm ato familje që janë ma të njohtunat si: familja Raxhimi (imam nga Egjypti), familja Djepaxhija (tregtar nga Konje e Anadollit), familja Berdicaj (të ardhun nga Anadolli qyshe në fillim të invazionit osman dhe të vendosun në fshatin Berdicë), familja Derguti (nga Vilajeti i Ajdinit në Anadoll të vendosun në lagjen Dergut), Çukejt (artilier nga Turqia), Çakejt (përsonalitet zyrtar nga Çanak-Kalaja-Dardanele), Kashejt (nga Spanja mbas zhgatrrimit të dinastisë islame), Sheh Muhamet Magribi (imam nga Maroku), Dilaverit (ushtarak nga Turkia), Bilanet (përgatitës ilaçesh nga krahina Bilan e Anadollit), Kalajajt (oficer jeniçersh të ardhun që në kohët e para të invazionit osman), Abdurrahmanet (oficier turk nga Egjipti), Rust (nëpunës), familja Kalact, familja Shehi (shehler me origjine arabe), familja e Nelit te Molla Dautit (origjinë egjiptjane), familja Dizdart (dizdar në kalà i ardhun nga Izniku i Bruzes së Anadollit), fisi i Sheh Qazim Hoxhës (ushtarak nga qyteti i Kastamonit të Anadollit), familja Axhemi (ushtarak nga Trabzuni i Azisë së Vogël), familja Boksejt (ushtarakë nga Anadolli), familja Muhamet Shehu (hoxhë nga viset e Azisë së Vogël), familja Jenishehri (nga qyteti i vilajetit Hudaveqindar të sanxhakut Ortugal), familja Hysejt (oficier nga Izmiri i Anadollit), familja Xhemil Tulejmani (tekstilist nga qyteti Humus i Sirisë), familja Mexhidi (me prejardhje nga Degistani), familja Behrej (ushtarakë që nga fillimi i pushtimit osman), familja Allajbegve (kolonel me origjinë turke), familja Hadrejt (mytevli-administrator kujdestar), familja Sala-Isuft (grekë i bamë musliman). – Zezakët e shqiptarizuar (të mbiquejtunit “Harapët”) në Shkodër, që formojnë nji numër të vogël, janë përgjithësisht me origjinë nga Sudani egjiptian. Janë të sjellur si skllevër nga tregtarët, sidomos nga detarët ulqinakë. Këto janë blerë ndër tregjet e Algjerisë, Tunizisë, Sirise etj. Këto përmenden veçanërisht pranë vezirëve Bushatllinj”.
Gjate viteve 1850 – 1860 erdhi edhe nje tjeter vale e madhe me popullsi qerkeze
Ja dhe një dëshmi tjetër që tregon sesi u ndryshua popullsia vendase pas pushtimit turk.
“Unë, Fjor Jonima, qytetar i Scutarit (Shkodrës) dhe në këto momente ambasador i këtij komuniteti, u pyeta, me urdhër të Lordit të Madhërishëm Administrator i të Ardhurave, se çfarë dija në lidhje me bëmat e turqve në këtë pjesë të Shqipërisë, për vitet 1466 dhe 1467.
Mund të deklaroj se në fundin e prillit 1466, Turku i Madh erdhi në këtë vend personalisht dhe dërgoi përpara kapitenin e tij, i cili siguroi vendin dhe e plaçkiti. Ai grabiti shumë kafshë dhe rrëmbeu shumë njerëz.
Kur u largua, Ballabani arriti të rrethojë Croian (Krujën). Ai gjithashtu grabiti dhe plaçkiti qytetet e Signorias, dhe rrëmbeu shumë njerëz.
Pak kohë më vonë, erdhi Sinan Beu, i cili solli edhe më shumë rrënim e shkatërrim. Ai kishte rrëmbeu kafshë dhe nejrëz dhe i vuri flakën vendit.
Pas kësaj erdhi Vojvodi i Serbisë, i quajtur Amur Beu, i cili shkaktoi shkatërrim të madh. Jo vetëm që grabiti një numër shumë të madh kafshësh, por edhe ai i vuri flakën vendit dhe rrëmbeu shumë njerëz.
Turku i Madh u rikthye në këtë vend në vitin 1467 dhe dërgoi Pashanë e Romanias (Rumelisë) me një ushtri të madhe për ta nënshtruar. Ai grabiti, plaçkiti, dhe mori me vete një numër të pafund njerëzish. Kur kish mbaruar me grabitjet dhe plaçkitjet, ai vazhdoi në rajonin e Scutarit, ku u përplas me njerëzit. Më në fund, arriti të hyjë në qytet brenda kështjellës, të cilën e grabiti dhe plaçkiti.
Më pas erdhi një vojvod i quajtur Feriz Beu, i cili gjithashtu grabiti dhe plaçkiti.
Pas kësaj, Vojvodi i Serbisë erdhi për herë të dytë për të vjedhur, plaçkitur dhe rrëmbyer më shumë njerëz.
Më pas erdhi Vojvodi i Dibrës, që grabiti, plaçkiti dhe rrëmbeu shumë njerëz.
Si përfundim, unë mund të them së në periudhën në fjalë, ky vend u kthye në një tokë të shkretë. Kështu ka mbetur deri sot. Kanë ikur jo vetëm vendbanimet, por edhe njerëzit, me përjashtim të atyre pak fshatrave që janë rindërtuar. Kështu që, do të ishte e nevojshme që të burgosurit, të cilët janë dënuar ose ndaluar, të falen dhe të rikthehen në këtë vend për ta ripopulluar atë.
28 Dhjetor 1470
[Nga Arkivi i Shtetit të Venecias, ribotuar në librin e Oliver Jens Schmitt: “Das venezianische Albanien (1392-1479)”, Mynih 2001]
. Si pasojë e kësaj dhune të paparë të turqve ndër arbërorët, shumë prej tyre morën arratinë. Një pjesë u vendos në jug të Greqisë dhe sot ata njihen me emrin arvanitas dhe një pjesë tjetër iku në Itali, ku edhe sot jetojnë pasardhësit e kohës së Skënderbeut. Këta të fundit vetquhen arbëreshë. Arbërorë, arvanitas, apo arbëreshë janë një. Po shqiptarët e sotëm?
Shqipëria, përveç xhamive, medreseve dhe teqeve që trashëgoi nga pushtimi osman, këto vitet e fundit është mbushur edhe me xhami të tjera të ndërtuara nga vendet arabe. Sikur të supozonim një çast se Skënderbeu ose ndonjë nga bashkëluftëtarë e tij do të ishte ngritur nga varri, si Konstandini, dhe të kishte parë Shqipërinë e sotme. Me siguri do të kthehej menjëherë andej nga doli.I dëshpëruar. Gjithë lufta dhe sakrificat e tyre paskan shkuar dëm, do të mendonte ai.
Për fat të mirë shqiptarët, me përjashtim të një pakice, nuk ia ndjejnë shumë për fenë. Pavarësisht nga përpjekjet e vendeve arabe, urqisë apo edhe Greqisë që të rindezin zjarrin e shuar. Zjarr që në qoftë se do të merrte përsëri flakë do të digjte dhe shkatërronte një herë e mirë Shqipërinë.
Prandaj para se të shpallim 2 marsin si një ditë feste kombëtare, studiuesit dhe akademikët tanë duhet të saktësojnë lidhjet e sotmetë shqiptarëve me arbërorët e djeshëm. Kur quhesh Hasan, Kasem, Zyber,Muhamet, Kamber etj etj, kur falesh herë në ditë, kur një dy shkon në xhami për të marrë avdes, kur nuk do dhe nuk mund të martohesh me një shqiptar/e të fesë së krishterë – a je vërtet pasardhës i Skënderbeut dhe arbërorëve të tij?!
Ndryshe do të jemi pasardhës të arbërorëve veçse kur të vëmë në jetë porosinë e të madhit Pashko Vasa se:”Feja e shqiptarit është Shqiptaria. Dhe mos shikoni kisha dhe xhamia”! Kur fetë të mbeten si relike personale dhe familjare dhe të mos zënë vend në shoqërinë publike, atëherë, me të drejtë, duhet ta shpallim 2 Marsin si festë shtetërore.
Nga Viron Gjymshana.

Lini një koment