Një fitore me Ukrainën dhe një emër që tregon shumë

        Në këtë shkrim nuk kam si synim të komentoj fitoren e çmuar ndaj Ukrainës. Ka specialistë futbolli që e kanë analizuar shumë mirë këtë ndeshje të luajtur në një fushë asnjanjëse për shkak të luftës në Ukrainë. Që kanë vlerësuar një nga një rolin e lojtarëve në fushë. Sidoqoftë ishte një fitore që na ngrohu zemrat.

        Si gjithmonë, edhe kësaj rradhe isha përgatitur ta shihja këtë ndeshje te “Klani”.  Por çudi e madhe “Klani” e transmetonte kësaj rradhe ndeshjen falas veçse në kanalin tokësor. Në të tjerët, që jetojmë jashtë, nuk kishim mundësi ta ndiqnim si gjithmonë këtë spektakël sportiv. 

         Pasi u mendova pakëz thashë të kaloj njëherë andej nga kanalet sportive të Ukrainës për ta ndjekur ndeshjen, por nuk qe e thënë. Asnjë kanal ukrainas, nga 10 të tillë, nuk po e transmetonte këtë ndeshje. U mendova pakëz dhe thashë me vete të kërkoj një herë te kanalet turke. Se “turku” ka shumë kanale sportive, politike, kulturale që transmetohen në internet. Dhe çudi e madhe kanalet turke po transmetonin njëkohësisht Gjermaninë, Hollandën dhe … Shqipërinë.

        U kënaqa pa masë dhe zura vend mirë te divani i shtëpisë. Kisha humbur vetëm 3 minuta e 25 sekonda nga ndeshja, e cila mbetej gjithmonë në rezultatin 0-0. Më pas fillova të qesh kur dëgjonja komentatorin turk që me aq zjarr dhe afsh komentonte ndeshjen. Arnautllëk, arnautllëk ishte fjala që ai përdorte më shumë dhe ndofta e vetmja që unë kuptonja. Nga komentet e tij ndihej hapur që komentatori turk anonte nga Shqipëria. Sa herë që ne kishim topin, zëri i tij kapte oktavat më të larta.  Ishte një afërsi që ndofta vinte edhe nga emrat e shumë futbollistëve tanë. Turkut emrat Ramadani, Bajrrami, Ismaili, Hysaj e disa të tjerë dukej se i tingëllonin shumë të afërt dhe ai komentonte me pasion sikur po luante Turqia kundër Ukrainës. Por me disa emra të tjerë shihej se kishte vështirësi në shqiptim, siç ishte psh rasti i Kumbullës. Normale. Por te një emër ai nuk gabonte kurrë, madje e kishte në majë të gjuhës. Dhe ky ishte emri Kristian Asllani. Një lojtar kyç ky i kombëtares sonë.  Ndërsa emrat Bajrrami, Ramadani, Hysaj, Ismalaj i shqiptonte thjesht dhe lehtësisht, emrin e futbollistit tonë të mirënjohur që los me Interin, e shqiptonte të plotë, Kristian Asllani !

        Me siguri që turku bënte çudi me vete. Tobestrafullah ! Çfarë emri është ky ?! – pyeste me siguri ai veten. Kristian = i krishter dhe Asllan,  në turqisht =Luan!  Si ka mundësi të kesh emrin e krishter dhe mbiemrin turk?! Por ja që kështu jemi ne shqiptarët. Jo se jemi gjysëm perëndimorë dhe gjysëm orientalë ! Jo. Ne jemi thjesht shqiptarë, një popull në shumicën e tij dërrmuese laik, me emra të gjithfarëllojshëm, duke filluar nga Izaura, Xhovani, Xhuzepina, Edmond etj etj. Madje edhe kryetari i sektit botëror të bektashinjve, me qëndër në Tiranë, quhet saktësisht Edmond ! Allah, Allah,ka thënë turku me vete. Si janë këta shqiptarët !

          Jemi të tillë se mbi ne kanë kaluar furtuna të mëdha. Kemi qënë pushtuar për qindra vjet nga perandoria romake, pastaj nga sllavët dhe për 450 vjet nga turqit. Këto pushtime sigurisht që do të linin gjurmë. 450 vjet ! Afro 18 breza pa ndërprerje. Të shtypur, të konsideruar « raja », duke na marrë fëmijët për jeniçerë, duke qënë të shtypur dhe poshtëruar nga agai dhe pashai turk, shqiptarët u detyruan të përshtateshin, të merrnin fenë e pushtuesit. Sepse 18 breza do të thotë që nuk mbahet mend se cili ka qënë stërgjyshi yt i largët. Jo më se si quhej ai, etj etj.

         Kthimi u bë me dhimbje. Saqë në zonën e Shpatit në Elbasan, por edhe në pjesë të tjera të vendit, u përdor një rreng i veçantë. Njerëzit ruajtën emrin e krishterë, atë të pagëzimit dhe morën mbiemra myslimanë ! Pasi turqit kishin mbiemrin si kryesor, që tregonte fenë, ndërsa kisha kishte parësore emrin! Kështu psh një njeriu im i afërt, hartues i gramatikave të gjuhës shqipe, quhej saktësisht Petër Elezi !

        450 vjet robëri turke, u pasuan më vonë  (1945 – 1990)  nga 45 vjet komunizëm, nga sundimi i një partie unike që kishte për busull marksizëm – leninizmin… dhe ateizmin ! Feja – opium për popullin. Dhe Shqipëria u kthye në shtetin e parë ateist në botë. U mbyllën të gjitha institucionet e kultit, kishat ortodokse dhe katolike, xhamiat synite dhe teqet shite.

        E vërteta është se shqiptarët nuk kanë qënë asnjëherë fetarë të mëdhenj. Pavarësisht pushtimeve të shumta, shqiptarët vazhdonin të ruanin në përrallat dhe gojëdhënat e tyre perënditë pagane, shtojzovallet dhe zanat të malit, t’i faleshin malit të Tomorit etj etj. Prandaj edhe ateizmi zuri vend pa shumë mundim tek ne. Busulla dhe frymëzimi i shqiptarëve ishte dhe mbetet Perëndimi. Jo më kot rilindasit tanë të shquar janë shprehur se për shqiptarët Dielli lind andej nga perëndon ! Prandaj emrat me tingëllim oriental – turq u hoqën shpejt nga qarkullim duke u zëvendësuar me emra puro shqiptarë, apo edhe perëndimorë. Prandaj sot në Shqipëri gjen më shumë Elvisa sesa Sulejmanë!

     Këto gjëra më shkonin ndërmend ndërsa ndiqnja ndeshjen. Për fat të mirë te ne nuk është as emri dhe as mbiemri që përcakton  kombësinë. Janë shqiptarë ata që flasin shqip, që betohen para flamurit kuq e zi, që kanë për hero Skënderbeun. Të tjerat nuk kanë asnjë pikë rëndësie.

    Prandaj kombëtarja jonë përbëhet nga djem të ardhur nga të gjitha trojet amtare. Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe sigurisht Diasporë. Se shqiptarët kanë vetëm një kombëtare: atë të Shqipërisë. Është e vërtetë se edhe Kosova ka “kombëtaren” e vet, por ajo është më shumë një “përfaqësuese” e shtetit më të ri shqiptar në Ballkan, sesa një kombëtare gjithpërfshirëse.

     Dhe u bë shumë mirë që tifozët shqiptarë shpalosën në ndeshjen kundër Ukrainës një pankartë ku ishte shkruajtur Kosova është Shqipëri.  Dy javë më parë, kam shkruajtur te ky blog se si duhet që shqiptarët t’i përgjigjen provokacionit serb se Kosova është Serbi. Dhe atëhere titulli i shkrimit ishte pikërisht: “Kosova është Shqipëri”!  Mund ta lexoni apo rilexoni te te artikulli paraardhës i këtij blogu.

     Ja pra që edhe një ndeshje futbolli  përfaqëson jo vetëm një ngjarje sportive, por ajo ngërthen ngandonjëherë brenda saj edhe probleme politike, fetare apo edhe etnike. Në fund të fundit prandaj quhet edhe « Ligue des nations » ! Prandaj luhet edhe hymni kombëtar i çdo shteti.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment