Pak nga pak dhe si pa u kuptuar Serbia po kthehet përsëri në epiqëndrën e Ballkanit Perëndimor. Ka qënë një projekt i lashtë i Serbisë që ajo të dominonte gjithmonë në këtë zonë të Gadishullit ballkanik. Që në kohën e Car Dushanit, të Jugosllavisë së parë, që gjatë kohës së Titos dhe deri më sot.
Viti 1999 ishte viti më i zi në historinë e saj. Ajo atëhere u bombardua nga forcat e NATO-s si përkrahje e dëshirës dhe luftës për pavarësi të popullit të Kosovës. Ishte koha kur Beogradi sundohej nga një nacional- socialist si Sllobodan Millosheviçi, i cili për më shumë gruan e tij e kishte edhe kryetare të Partisë Komuniste Jugosllave! Ishte koha kur Perëndimi ishte pështirosur nga krimet e nacionalistëve serbë në Bosnjë. Dhe vendet perëndimore atëhere morën vendimin e madh të dhënies së një mësimi të mirë për klikën nacional socialiste që sundonte në Beograd.
Muri i Berlinit kishte 10 vjet që ishte shembur dhe vetëm në Jugosllavinë e Millosheviçit gjallonin ende mbetjet e komunizmit. Me një fjalë Beogradi e kishte mbushur dhe derdhur kupën. Dhe siç dihet, falë ndërhyrjes së NATO-s, Kosova u çlirua nga çizmja serbe.
Kjo ishte një disfatë tejet e hidhur për një shtet që përgjatë 200 vjetëve vetëm ishte shtrirë dhe zgjeruar në kurriz të fqinjëve të tij. Oreksi ekspansionist kishte arritur deri aty saqë ky vend historikisht agresor po lakmonte edhe Shkodrën për ta pasur si liman në det! Dhe për herë të parë që nga beteja e Fushë-Kosovës afro 600 vjet më parë, ajo po detyrohej tani të tkurrej dhe mblidhej përsëri.
Bota e civilizuar kishte krijuar atëhere një përshtypje dhe imazh tejet negativ për këtë vend. Dhe pikërisht në atë kohë personalitetet dhe figurat më të njohura serbe menduan se për të fituar përsëri ishte e domosdoshme ndryshimi i këtij imazhi. Serbia duhej të rikthehej përsëri në “dashnoren e Perëndimit dhe gruan e Lindjes”! Si masë e parë u ndërmorr eleminimi i Millosheviçit. Ai me nacionalizmin e tij serbomadh përbënte pengesën kryesore për afrimin e Serbisë me Perëndimin. Dhe serbët e dorëzuan atë në Hagë. Ndërsa gruaja e tij u arratis në Rusi.
Në Perëndim këto ndryshime u përshëndetën me entuziazëm. Madje ish –sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe kryediplomati i Bashkimit Europian, Havier Solana, deklaroi në ato kohë, që tani që klika e Millosheviçit u përmbys, Mali i Zi as nuk kishte më nevojë të shpallte pavarësinnë e tij nga Serbia !
Ditë për ditë Beogradi punoi që të afrohej me kancelaritë perëndimore. Duke u sjellë me përulësi si një vend viktimë e pamerituar. Dhe kjo politikë dha frutet e veta. Marrëdhëniet politike dhe ekonomike të Serbisë me vendet perëndimore tash janë forcuar. Krerët e Beogradit priten sot në shumicën e vendeve europiane me nderimet e duhura. Pak ditë më parë edhe ministria e jashtme e Shteteve të Bashkuara lëshoi një deklaratë tepër pozitive për Beogradin. Sipas saj Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson partneritetin e vazhdueshëm të Serbisë “në luftimin e agresionit të Rusisë në Europë dhe në ndihmën humanitare për popullin ukrainas”. DASH-i theksoi po ashtu se bashkëpunimi i Shteteve të Bashkuara me udhëheqësit serbë është i fokusuar në “forcimin e partneritetit strategjik mes dy shteteve tona, teksa Serbia ndërton të ardhme të sigurt dhe të begatë në Europë që është e paprekshme nga shantazhi politik dhe ekonomik i Rusisë”.
Në fakt kjo deklaratë dëshmon tash vetëm forcimin e lidhjeve ndërmjet Beogradit dhe Uashingtonit, por aty nuk flitet as për mirë dhe as për keq për Kosovën. Megjithatë vërehet se kohët kanë ndryshuar. Tani duket se është Kosova që gjendet nën presion. Sa herë që ajo ndërmerr ndonjë hap për vendosjen e sovranitetit të saj psh në veri të Mitrovicës, perëndimorët duket se rrudhin buzët. Madje edhe kur ajo i vendos dogana mallrave që hyjnë atje nga Serbia! Veprim ky normal për çdo shtet.
Por kulmi i kulmeve të kundërshtive ndëmjet Prishtinës dhe vendeve perëndimore është qëndrimi i kryeministrit Kurti ndaj kërkesave perëndimore për asosacionin. Që në fakt do ta kthenin Kosovën në një shtet me dy etnitete brenda tij. Dhe kjo ngjan në një kohë që Serbia e ka bërë të qartë se ajo nuk ka ndërmend të heqë dorë nga Kosova. « Kosova është Serbi » ! Kjo është shprehja e preferuar sot e nacionalistëve dhe politikanëve serbë. Shprehje që ata po e promovojnë me të gjitha format edhe në Perëndim.
Ndërkohë që Kosova duket se nuk ka një kundërstrategji. Sidomos në lidhje me perëndimorët. Sepse Rusia, Kina, India, Brazili, vendet arabe etj dihet se janë dhe kanë qënë në mbështetje të kahershme ndaj Serbisë. Sepse Kosova vetë është e ndarë dhe e përçarë në dy rryma. Në Kosovë-centristët dhe unionistët. Të parët flasin tashmë për një komb kosovar, për një gjuhë kosovare dhe për një pavarësi të plotë nga Shqipëria. Këta janë pasuesit e politikës së Ibrahim Rugovës së Prishtinës të barazlarguar nga Tirana dhe Beogradi ! Të dytët që përfaqësohen nga Rexhep Qosja kanë qënë dhe janë përkrahës të vendosur të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Por këta të fundit janë më pak të zëshëm tani. Shkaku i kësaj heshtjeje ndaj kësaj strategjie kombëtare qëndron edhe në marrëdhëniet e tendosura ndërmjet qeverive në Prishtinë dhe Tiranë.
Dhe këtu Prishtina nuk ka faj. Gjithçka nisi me projektin serb të “Ballkanit të hapur”, një lloj minishengeni ku mallrat dhe njerëzit do të qarkullonin pa pengesa ndërmjet të 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor. Serbia si shteti më i zhvilluar ekonomikisht do të ishte edhe përfituesi kryesor i kësaj strategjie. E cila nuk u pranua nga Prishtina, Maqedonia dhe Bosnja. Ndërkohë Edi Rama u tregua mbrojtësi më i flaktë i kësaj ideje. Por hendeku u thellua edhe më shumë sidomos për shkak të refuzimit nga Prishtina të projektit të bashkimit të komunave serbe në Kosovë në një lloj autonomie dhe pavarësie nga Prishtina. Rama si ndjekës i zellshëm i gjithçkaje që vjen apo mbrohet nga Perëndimi edhe kësaj rradhe u shpreh në mbështetje të këtij asosacioni. Ndërsa Kurti ishte dhe mbetet krejtësisht kundër këtij projekti.
Por më e keqja është mungesa e një politike të qartë kosovare kundër Serbisë. Deri më tani nuk ekziston asnjë projekt sesi mund t’i kundërvihesh parullës serbe se Kosova ka qënë gjithmonë pjesë e Serbisë, madje djepi i saj. Dhe se shqiptarët aty i ka çuar turku! Dhe ata u shumuan dhe sot përbëjnë shumicën e popullsisë. Madje kjo përrallë po përkrahet fuqimisht edhe nga segmente të të djathtës nacionaliste në Europë. “Ja thonë ata, shembulli i Kosovës që nuk duhet ndjekur. Myslimanët aty u bënë shumicë falë barkut të grave të tyre. Nesër edhe në Europë myslimanët do të shtohen dhe do të kthehen në shumicë. Dhe atëhere nuk do të ketë më Europë”!
Pikërisht kundër kësaj strategjie Kosova nuk po lufton dot si duhet. Asnjë ent, institucion apo edhe Akademia e Kosovës nuk ka ndërmarrë gjatë këtyre 20 vjetëve qoftë edhe një studim të mirëdokumentuar të krimeve serbe në Kosovë që para 200 vjetësh dhe deri më sot! Asnjë ent, institucion apo edhe vetë Akademia nuk ka ndërmarrë po ashtu ndonjë studim mbi autoktoninë e shqiptarëve në këto zona. Ti thua që je autokton, por bota kërkon fakte. Dhe xhamitë apo teqetë nuk përbëjnë fakte. Janë kishat dhe manastiret, zbulimet arkeologjike, studimet historike ato që provojnë autoktoninë e kosovarëve në këto troje. Ku janë këto studime?! Në sa gjuhë janë përkthyer?! A njihen nga e gjithë bota masakrat e hershme serbe në Kosovë të përshkruara nga Edith Durham apo Lev Trocki?! Ku është historia e mesjetës e Kosovës, princat shqiptarë me zotërimet e tyre atje?! Duke i rënë topanave nuk fiton gjë. Duhet që mëndjet më të ndritura të Kosovës, me mbështetjen e gjithanshme të qeverisë, të punojnë në këtë drejtim. Siç ka punuar akademia serbe që para 150 vjetëve dhe sot. Madje me plane konkrete për shpërnguljen e shqiptarëve të Kosovës psh në Turqi! A i janë bërë të ditura këto plane dhe këto praktika serbe botës mbarë?!
Sot Kosova është, fatkeqësisht, në pozita mbrojtëse përballë “yxhymit” serb në të gjitha drejtimet. Për të qënë një komb ti duhet të kesh fakte, histori. Të dëshmosh lidhjet e tua historike me të kaluarën. Cili ka qënë psh roli i princërve të Kosovës në luftën e Skënderbeut kundër turqve?! Nëse ka fakte këto duhen bërë botërisht publike.
Një tjetër gabim i pafalshëm i Kosovës ka qënë edhe djegia e kishave dhe manastireve serbe në fillim të viteve 2 000. Të nxitur nga disa demagogë islamistë dhe ndonjë gazetë pranë tyre, kosovarët dogjën atëhere disa manastire dhe kisha. Shërbim më të mirë dhe më të mbarë Serbisë nuk mund t’i bëhej. Dhe kështu papritur një luftë etnike për çlirim mori ngjyra fetare ndërmjet myslimanëve të Kosovës dhe të krishterve serbë. Është e kotë të themi se si u tmerrua në atë kohë Havier Solana. Bashkë me kancelaritë perëndimore. Pikërisht në atë kohë, kur bota ishte tronditur nga sulmet e fondamentalistëve islamikë ndaj kullave binjake në Uashington, filloi edhe ndryshimi i qëndrimit të perëndimorëve ndaj Kosovës.
Prandaj ka ardhur koha për një strategji mbarëkombëtare. Thirrjes “Kosova është Serbi” i duhet përgjigjur me kushtrimin “Kosova është shqiptare”. Miqve dhe armiqve duhet tu bëhet e ditur se në rast të shkëputjes me forcë të katër komunave serbe në veri të Mitrovicës, marrëveshja e Ahtisarit bie poshtë dhe Kosova rigjen të drejtën të bashkohet me Shqipërinë.
Bashkimi kombëtar duhet të jetë një strategji kombëtare për mbarë politikën shqiptare. Me një largpamësi qoftë edhe 100 vjeçare. Siç po punon Serbia. Ajo veç po pret kohë më të mira për të për të rifutur trupat e saj në Kosovë. Sigurisht jo sot, por pas 25, 50 apo 100 vitesh. Kështu veprojnë kombet e zhvilluara. Ato vështrojnë larg.
Shembulli i Izraelit është në këtë rast shumë domethënës. 1 000 vjet pasi u larguan apo u dëbuan nga tokat e tyre si pasojë e kryqëzatave, çifutët po kërkojnë sot rilindjen e Izraelit biblik. Prandaj që kur u krijua si shtet më 1948, Izraeli e ka tashmë katërfishuar sipërfaqen e tij!
Albini dhe Rama nuk janë të përhershëm. Por strategjia mbarëkombëtare e bashkimit duhet t’i kapërcejë grindjet dhe dasitë individuale, madje edhe dekadat dhe të mbetet gjithmonë e gjallë në zemrat e shqiptarëve në të dyja anët e Drinit. Koha nuk pret më. Madje tashmë duket sikur është edhe disi vonë. Bota nuk është ideale. Peshku i madh gjithmonë e ha të voglin. Kosova që tani duhet të shohë mundësinë se si mund të ekzistojë edhe pas 10 apo 50 vitesh, kur konfiguracioni botëror mund të ketë ndryshuar. Për mbijetesën e saj ajo duhet të luftojë çdo ditë. Momentin kur atë do ta zërë gjumi duke menduar se fitorja është e siguruar, pikërisht atëhere mund të humbasë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment