Si kalliri bosh me kokën përpjetë

       Ai me siguri që e bën qëllimisht. Që njerëzit të kenë me çfarë të merren dhe të mos mërziten. Se nuk ka si spjegohet ndryshe kjo mungesë e madhe e mbikqyrjes dhe kontrollit ndaj punës së personave dhe organizmave qeverisëse, ndaj njerëzve të vënë në poste me rëndësi, që abuzojnë dhe vjedhin me të dyja duart !

      Ndokush do të thotë që për të zbavitur apo droguar njerëzit mjaftojnë këllirat e « Top Chanel »-it, por ai duket se mendon ndryshe. Siç duket është i bindur se nuk ka si konkurrenca në qorollapsjen e njerëzve. Prandaj edhe ai luan pjesën e tij në këtë « panair kotësish ».

      U bë disa herë vetëm gjatë këtij muaji që kemi shkruar rreth skandaleve të njëpasnjëshme që po i plasin në dorë qeverisë. Në fillim plasi skandali i onkollogjikut. « Mafia me bluzë të bardhë » që nuk të shihte me sy, po nuk e paguanje si duhet. « Me 5 operacione kap Maldivet » ! ishte praktika dhe parulla e mjekëve atje. Dhe shteti që rrinte dhe vështronte. Pastaj plasi skandali i mikrokredive. Lojë e bankave me qytetarët e varfër që nuk arrinin dot të paguanin kredinë e marrë. E cila pastaj kthehej në një mal borxhesh të tilla që e kalonin disa dhjetra herë borxhin fillestar.  Dhe përsëri mbyllje sysh nga ana e qeverisë. Asnjë lloj kontrolli.  Asnjë lloj ligji. Asnjë lloj mase për të mbrojtur kreditorët nga fajdexhinjtë gjakpirës. Të gjithë të lirë të vidhnin, të rripnin dhe të mashtronin qytetarët !

       Por ka edhe më keq. Kur qytetarëve u serviren fruta dhe perime të ndotura aq shumë me pesticide, saqë i kalojnë dhjetëfish normat e lejuara. Apo edhe shitja hapur dhe pa asnjë lloj kontrolli e prodhimeve blegtorale si qumështit, mishit, djathit etj etj. Disa madje flasin edhe për miell serb të destinuar për bagëtinë që shitet në Shqipëri si miell për bukë!

        Ndërkohë revista e famshme amerikane “Forbes” e rradhiste Shqipërinë si vendin europian që ka ujërat më të ndotura në det, lumenj dhe liqene! A doni më për Belulin?!

       Dhe ja e fundit fare.  SPAK-u arreston në flagranc shefin e antidrogës në Durrës, që i kishte vënë një gjobë prej 20 000 eurosh një pronari kazinoje. Një “gjobë” paratë e së cilës shkonin në xhepat e vetë shefit. Ky oficer policie, i emëruar në këtë post me rëndësi strategjike, ( kur mendon se sa vaporë dhe anije hyjnë në portin e këtij qyteti ), vetëm dy vjet më parë ishte proceduar për favorizime ndaj kultivuesve të kanabisit, kur ishte komisar në Mallakastër!   I “vlerësuar” siç duket nga shefat e tij për këtë “veprimtari”,  pak më vonë ai gradohet si shef antidroge në Durrës! Derisa arrestohet pak ditë më parë!

      Ndërkohë i pari i qeverisë vazhdon të përshëndesë qytetarët me kartolina për çdo mëngjes. Asnjë fjalë për zullumet e zyrtarëve të tij. Në një kohë që normalisht duhej të ishte mbledhur urgjentisht Këshilli i Sigurisë Kombëtare për të shqyrtuar, marrë masa të rrepta  dhe kuptuar se si ky oficer policie me rëndësi, në vend që të ishte pushuar nga puna ose të ishte degraduar për bashkëpunimin me kultivuesit e hashashit në Mallakastër, ishte transferuar dhe graduar në Durrës! Si, pse, nga kush?!  Askush nuk e di. Ndërkohë që ky emërim duhet të përbënte shqetësimin numër një të ditës, për një kryeministër serioz dhe i përgjegjshëm për postin që mban.

          Por jo. Me kë e ke?! Në rastin konkret këtu kemi të bëjmë me një kryeministër i dalluar si sportist dhe artist me botë të gjërë, por që vetëm burrë shteti nuk është. Që dallohet sa për mungesën e përgjegjësisë, aq edhe për një arrogancë të paparë. Hiq dhe vë ministra pa pyetur kënd. Madje edhe pa spjeguar se pse u hoq njëri dhe u vu tjetri! Hiq dhe vë shefa policie si Ardian Vehbiu apo Gledis Nano pa spjeguar se përse !

      Dhe pastaj na dalin zëvendëskryeministra hajdutë dhe të korruptuar deri në palcë,  ministra rendi apo shëndetësie po të tillë etj etj. Por kryeministri vazhdon tu gëzohet pamjeve mahnitëse të lindjes së Diellit apo të shiut të meteorëve. Shihet se ai e ka kokën në qiell. Si kalliu bosh me kokën përpjetë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment