Në një letër të hapur drejtuar personit që bleu rrjetin social « Twitter » në vitin 2022, sot « X », Thierry Breton, komisioner i Bashkimit Europian, paralajmëroi Elon Musk të hënën, pak para intervistës së tij të shumëpritur me Donald Trump, kundër shpërndarjeve të “përmbajtjeve që inkurajojnë urrejtjen, çrregullimin, nxitjen e dhunës ose raste të caktuara dezinformimi”.
Si të ishte një mësues që po i drejtohej një nxënësi, zyrtari i lartë francez dhe europian, ndër të tjera nënvizon se “Me audiencë të madhe vijnë edhe përgjegjësi të mëdha”. Z. Breton i kujtoi veçanërisht miliarderit amerikan detyrimet e tij sipas legjislacionit të ri evropian për shërbimet dixhitale (DSA), duke theksuar në veçanti se ky imperativ për moderim vlen për të gjithë përdoruesit e X-it, “përfshirë edhe ju”!
Pastaj ai paralajmëron Elon Musk-un se “Shërbimet e tij dhe ai vetë do të jenë jashtëzakonisht vigjilentë (…) në lidhje me shkeljet e mundshme të DSA dhe nuk do të hezitojnë të përdorin të gjitha mjetet që kanë në dispozicion, duke përfshirë masat e përkohshme, nëse kjo rezulton e nevojshme për të mbrojtur qytetarët evropianë”!
T’i mbrojë nga çfarë?! -Nga e vërteta?! Kaq budallenj i di komisioneri i BE-së popujt e Europës?! Që u dashka t’i mbrojë ai?! Nga ana tjetër ç’punë ka komisioneri europian me një debat që zhvillohet në Amerikë për zgjedhjet amerikane?!
Dhe nuk është hera e parë që Elon Musk dhe Thierry Breton i tregojnë muskujt njeri – tjetrit. Sidomos përsa i takon lirisë së shprehjes. “Ti në Amerikë ka të drejtë të thuash çfarë mendon për çfarë do gjë, por në rast se ti fyen apo shan dikë qëllimisht atëhere të pret gjyqi”. Ky është ligji amerikan rreth lirisë së pakufishme të fjalës. Liria e fjalës, së bashku me të drejtën për të mbajtur armë në shtëpi apo edhe për t’i përdorur këto armë kur dikush hyn te shtëpia jote për të të vjedhur ose sulmuar, janë disa nga shtyllat e demokracisë amerikane.
Zoti Musk iu përgjigj z. Breton të hënën në mbrëmje me një meme të marrë nga filmi i vitit 2008 “Thunder in the Tropics”, (Rrufe në Tropik) në të cilin Tom Cruise bërtet ( “Take a big step back and literally fuck your own face!” ) “Bëni një hap të madh prapa dhe fjalë për fjalë fuck fytyrën tuaj”! “Për të qenë i sinqertë, doja shumë të përgjigjesha me atë meme të Tropical Thunder, por nuk do të bëja kurrë diçka kaq të vrazhdë dhe të papërgjegjshme,” shtoi miliarderi. Por është sikur e bëri!
Ndaj letrës së zotit Breton ka reaguar edhe Linda Yaccarino, drejtore e përgjithshme e “X”. “Kjo është një përpjekje e paprecedentë për të vënë në jetë, në aktivitetet politike në Shtetet e Bashkuara, të një ligji që synohet të zbatohet në Evropë,” shkroi ajo, “Breton gjithashtu tregon përbuzje ndaj qytetarëve evropianë, duke sugjeruar se ata janë të paaftë për të dëgjuar një bisedë dhe për t’i nxjerrë ata vetë konkluzionet prej tij” – komenton Yaccarino.
Sidoqoftë sipas Financial Times, nisma e zotit Breton nuk është miratuar as nga Brukseli, i cili e konsideroi atë të papërgjegjshme. “Koha dhe formulimi i letrës nuk ishin as të koordinuara dhe as të rëna dakord me presidentin apo komisionerët”, tha Komisioni Evropian të martën. “Thierry ka mendjen e tij dhe mënyrën e tij të punës dhe të menduarit”, tha një zyrtar i BE-së, për të përditshmen britanike të biznesit dhe financiare.
Donald Trump dhe mbështetësi i tij i pasur, Elon Musk, shkëmbyen një antologji të teorive radikale të hënën, duke krahasuar emigrantët e paligjshëm me “zombët” ose duke folur për një “grusht shteti” kundër presidentit amerikan Joe Biden, gjatë një bisede në X, i vonuar disi në kohë si pasojë e një “sulmi masiv kibernetik”!
Bosi i rrjetit social, gjithashtu në krye të Tesla dhe Space X, kishte premtuar një moment “shumë argëtues” gjatë kësaj interviste të shumë pritur. Mbi të gjitha, ai i lejoi zotit Trump të ripërmendte temat e fushatës së tij në prani të një bashkëbiseduesi miqësor, i vendosur për të mos e kundërshtuar atë.
Ish-presidenti republikan premtoi edhe një herë “dëbimin më të madh në historinë” e Shteteve të Bashkuara, duke pretenduar se fluksi masiv i emigrantëve nën administratën e Biden-it ka rritur krimin.
“Ne kemi njerëz që grumbullohen sikur të ishte një apokalips (…) zombish,” pranoi zoti Musk, i cili ka pasur prej kohësh një marrëdhënie të ndërlikuar me zotin Trump, por e ka mbështetur publikisht atë që nga atentati kundër tij muajin e kaluar. Pronari i ndërmarrjeve hiperteknologjike shfrytëzoi rastin edhe për të etiketuar Kamala Harris, konkurrentin e ri të zotit Trump në garën për Shtëpinë e Bardhë, si një kandidate e “ ekstremit të majtë”.
Për dy orë, dy miliarderët u shfaqën si dy shokë që po bëjnë muhabet në një kafene pa e kundërshtuar kurrë njëri-tjetrin. Zoti Trump, për shembull, bëri shaka për ndryshimin e klimës, duke shpjeguar se rritja e oqeaneve do të rezultojë në “më shumë prona buzë plazhit”. Gjë që nuk e pengoi atë të lavdëronte makinat elektrike Tesla të prodhuara nga bashkëbiseduesi i tij, të cilat i dukeshin atij si “të pabesueshme”.
Zoti Trump shfrytëzoi rastin për të promovuar marrëdhëniet e tij me liderë autoritarë si presidenti rus Vladimir Putin dhe ai i Koresë së Veriut Kim Jong Un. “Unë mendoj se njerëzit e nënvlerësojnë rrezikun e një lufte të tretë botërore,” iu përgjigj zoti Musk.
Më pak se tre muaj para zgjedhjeve presidenciale, zoti Musk përfundoi duke dramatizuar aksionet e zgjedhjeve. “Unë mendoj se jemi në një pikë kthese në fatin e qytetërimit dhe mendoj se duhet të marrim rrugën e duhur. Dhe unë mendoj se ju jeni rruga e duhur.” – i deklaroi ai ish-presidentit dhe kandidatit sërish për president, Donald Trump-it.
Siç shihet kemi të bëjmë me një intervistë pothuajse të zakonshme, por ajo që nuk kuptohet është zëmërimi dhe frika e komisionerit të Bashkimit Europian, se mos Trump dhe Musk thonë gjëra, që europianët nuk u duhet t’i dinë! Dhe kjo flet shumë.
v.gj.

Lini një koment