Islamizmi – si kanceri i shqiptarëve të Maqedonisë

      Lajmi mori dhenë dhe u përhap me shpejtësinë e rrufesë. Pop-stari më i njohur në botë,  amerikania Taylor Swift, anulloi tri koncertet e parashikuara për tu mbajtur dje, sot dhe nesër në Vienë të Austrisë. Taylor Smith është sot këngëtarja më e famshme në botë dhe revista « Times » e ka cilësuar atë si personazhin më me ndikim në planet. Numri i ndjekësve, followers, të saj llogaritet në miliona. Vetëm në Vienë biletat për të trija koncertet ishin shitur brenda pak minutave. Dhe pritej që ylli i pop-it botëror të pritej nga mbi 200 000 spektatorë. Gjatë tri koncerteve të saj.

          Por pakkush mund ta mendonte se disa dru me pre, pa asnjë lloj formimi intelektual dhe kulturor, përveç atij që u ishte yshtur nga hoxha dhe sitet myslimane në internet, kishin vendosur të kryenin atentate vetëvrasëse gjatë njërit prej këtyre koncerteve, me synimin që të derdhnin gjakun e sa më shumë njerëzve që të ishte e mundur!

            Si pasojë Taylor Smith i anulloi të gjitha koncertet që do mbante në kryeqytetin e Austrisë. Zhgënjimi dhe idhnimi te fansat e saj në mbarë botën ishte i madh dhe i vetëkuptueshëm. Por askush nuk e bëri me faj në këtë rast këngëtaren amerikane. Përkundrazi. Zëmërimi i ndjekësve të saj u drejtua ndaj atyre personave që kishin bërë në plan të vrisnin  spektatorët e pafajshëm.

            Po si spjegohet një urrejtje e tillë?! Autori kryesor, për fat i arrestuar nga policia vendase në kohën e duhur, Beran Aliu,  një 19 vjeçar i lindur në Austri, por me prejardhje familjare nga Gostivari, deri disa muaj më parë konsiderohej si një i ri normal, që nuk trazonte kënd. Por papritur ai ndryshoi sjellje, veshje dhe pamje dhe u shndërrua në një radikal të rrezikshëm islamist, i gatshëm të vriste dhe të vritej për idetë e një organizate terroriste si ISS-i.

       Dhe nuk ishte i vetëm në këtë çmenduri. Një turko- kroat, një çeçen dhe një kosovar bënin pjesë në rrethin e bashkëpunëtorëve të tij. Tri nga këta janë arrestuar tashmë nga policiaa. Tri të tjerëi ia kanë mbathur dhe janë fshehur kush e di se ku.   

        Po çfarë i lidhte dhe i bashkonte këta persona me njëri – tjetrin?! Pa asnjë dyshim vetëm feja myslimane. Disa do të thonë që islami është fe e paqes, që dënon vrasjet e të pafajshme etj etj. Por këto pallavra nuk pijnë më ujë. Çfarë u ka bërë Taylor Swift ose follouerët e saj këtyre të çmëndurve ?! Në rast se nuk u pëlqen kultura perëndimore udhembarë u qoftë në Ballkan, Turqi apo në Arabi. Kush po i mban me zor?! Këto veprime dëshmojnë thjesht se feja është një sëmundje mendore, ose që e shkakton atë.

        Çudia është se këta persona kanë lindur në Perëndim, por kanë mbetur dru me pre sikur të kishin lindur në fshatin e tyre në Ballkan.  Atëhere si spjegohet radikalizimi i tyre?! Vallë nga familja?! Shoqëria e gabuar?! Ndikimi i hoxhallarëve dhe xhamive, që kanë mbirë në Perëndim si kërpudhat pas shiut. Interneti?! Apo pak nga të gjitha këto.

      Sepse nuk është hera e parë që në Austri ngjan një akt terrorist. Jo më shumë se  katër vjet më parë, një tjetër shqiptar mysliman i radikalizuar, i quajtur Kujtim Fejzullaji, me origjinë edhe ai nga Maqedonia, vrau katër austriakë të pafajshëm dhe plagosi mbi 20 të tjerë. Edhe ai thjesht për arsye fetare!

       Si spjegohet që këta njerëz nuk arrijnë dot të integrohen në shoqëritë pritëse? Dhe është gjithmonë brezi i dytë, ai që ka lindur atje, që është edhe më i radikalizuari dhe më i rrezikshmi. Prindërit e tyre kanë luftuar dhe janë përpjekur që të vendosen në Austri, Gjermani, Zvicër apo Belgjikë. Ata i janë mirënjohës vendit që i ka pritur. Në shumicën e rasteve ata punojnë kokëulur dhe nuk krijojnë probleme. Si në rastin e prindërve të këtij Beran Aliut. Por fëmijët e tyre janë ata që bien viktimë e radikalizmit islamist !

       Kur erdha në Belgjikë në fillim të viteteve ‘90 u çudita me prapambetjen që pashë në familjet e « vjetra » shqiptare. Në ato që ishin larguar kur në Shqipëri sundonte regjimi i Enver Hoxhës. Të dukej se kishin ngelur si para Luftës së Dytë Botërore. Të ngujuar brenda « kullave » të tyre në vendin pritës, kjo diasporë jo vetëm që nuk kishte mësuar gjë nga shoqëria pritëse, por kishte ngelur prapa edhe në krahasim me vendin  e tyre të lindjes, nga i cili ishin ndarë prej kohësh.  Dukej se tek ata ora kishte mbetur në vitin 1944.

       Pavarësisht se ishin bërë me makina dhe televizorë, mentaliteti i tyre nuk kishte ndryshuar. Dukej se feja myslimane nuk i linte të përparonin. Të gjithë kishin ngelur si mish i huaj në vendin pritës. Dhe kjo jo vetëm me shqiptarët. Por edhe me  turqit, marokenët etj. Të gjithë kishin krijuar bashkësitë e tyre të mbyllura dhe komunikonin vetëm me njëri tjetrin!

       « Të ruajmë zakonet tona të mira », – predikonin disa. Qoftë rrugëve, qoftë në xhami. Por për çfarë zakonesh «  të mira » e kanë fjalën ata ?! Për « avdesin », « iftarin », Natën e Kadrit, çitjanet, ferexhetë ?!  Këto nuk janë zakone shqiptare. Janë zakone turko- arabe. As arbëreshët dhe as arvanitasit nuk i njohin këto “zakone”!

        Fetë në shumicën e rasteve na janë imponuar nga pushtuesit. Prandaj ka ardhur koha që shqiptarët në Ballkan apo edhe në vendet perëndimore duhet të zgjedhin ndërmjet laicizmit europian apo islamizmit reaksionar, ndërmjet përparimit dhe prapambetjes. Në Shqipëri, deri më tani, feja nuk loz dhe nuk ka ndonjë ndikim të veçantë në shoqëri. Kjo falë edhe martesave të përziera, apo edhe politikës antifetare të ndjekur gjatë periudhës komuniste.

       Por edhe aty, po vihen re tashmë përpjekje për të ringjallur dasitë fetare. Bllokimi i sheshit të heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, një apo dy herë në vit, nga praktikantët myslimanë, shpreh një lloj karshilliku ndaj pjesës tjetër të popullsisë.  

    Qofsh i çfarëdo feje që do,  por mbaje atë në shtëpi. Nuk ke nevojë ta proklamosh rrugëve të botës, sikur po bën ndonjë trimëri. Ndryshe në rast se e shpreh vend e pa vend përkatësinë tënde fetare, kjo do të thotë se ti po u bën karshillik me qëllim vendasve apo  po nxit luftën fetare.

      Rezultati i kësaj strategjie po shihet këto ditë në Angli. Ku pothuajse haptas disa grupe neonaziste apo nacionaliste, antiemigracion, ksenofobe dhe antimyslimane gati gati sa nuk po bëjnë thirrje për një kryqëzatë të re. Me synim kësaj rradhe të dëbimit të të gjithë myslimanëve nga Anglia dhe nga mbarë Europa Perëndimore! Dhe kur dalin mytyberë të tillë, si këta të rrjedhurit nga trutë të Vienës, atëhere këto thirrje gjejnë gjithmonë e më shumë vend edhe në ndërgjegjen e europianëve.

       Në Perëndim askush nuk do ta dijë se çfarë feje ke ti. Me rëndësi këtu është të respektosh traditat e “zotit të shtëpisë”, kushtetutën së vendit dhe kaq. Nuk mund të imponosh ti rregullat dhe zakonet e tua në shtëpinë e tjetrit. E ke për detyrë jo vetëm të integrohesh, por edhe të shkartisesh me vendasit. Ti mund të mos jesh dakort psh me politikën ndaj LGBTQ-ve, por ka edhe shumë vendas që nuk janë dakort me këtë politikë. Deri te Papa i Romës! Pra kjo nuk përbën arsye të mbyllesh brenda katër mureve të shtëpisë tënde dhe as duhet të përbëjë shkas për ndarje me vendasit.

        Ti djalë që je me origjinë nga Ballkani  mund të martohesh psh me një vendase,  por nuk e lejon kurrsesi motrën tënde të martohet me një vendas. Madje e vret. Se nuk ta lejon feja!

         Pra ka  shumë gjëra që nuk shkojnë me disa myslimanë në vendet perëndimore.  Ndryshe Rita Ora, Dua Lipa dhe plot shqiptare të tjera të suksesshme dhe të njohura nuk i kanë këto paragjykime. Prandaj edhe kanë çarë në jetë, janë duartrokitur dhe adhuruar nga vendasit. Se ato ndryshe nga “trutë e mykura dhe të helmatisura nga feja” të disa myslimanëve shqiptarë, (jo shumicë për fat)  kanë nxjerrë në plan të parë talentin e tyre. Dhe fenë e kanë harruar. Prandaj Dua Lipa një herë lidhet me vëllanë e amerikano – palestinezes me famë botërore, Bella Hadid dhe njëherë tjetër me djalin e regjizorit grek po aq të njohur Kostas Gavras. Pasi janë shpirtra të lirë dhe të hapur. Europën e konsiderojnë si kontinentin e tyre. Siç e kishin dhe të parët e tyre në kohën e Skënderbeut.

             Ekziston me të vërtetë një problem me disa shqiptarë të Maqedonisë. Kanceri islam shihet se aty ka hedhur rrënjë të forta. Këtu duket se ka ndikuar edhe politika jugosllave e kohës së Titos dhe më pas. Kështu psh kur pjesa më e ndriçuar dhe më e përparuar e shqiptarëve të Maqedonisë, u kërkuan autoriteteve maqedonase në Shkup, lejen për të hapur një universitet shqiptar në Tetovë, regjimi maqedonas i vrau. Por kur është fjala për të ngritur xhami apo organizata fetare, shteti maqedonas ua ngre vetë!

         Më kujtohet kur para marrëveshjes së Ohrit shqiptarët e Maqedonisë demonstronin shpesh në kërkim të të drejtave të tyre kombëtare. Gjatë një manifestimi të tillë një grup të rinjsh se nga doli papritur nga një kthesë dhe iu bashkua edhe ai demonstratës. Por në duar ata mbanin të shpalosur një banderolë ngjyrë të gjelbër me shkronja arabe. Ata, që me siguri, ishin të paguar ose nga Shkupi ose nga Anadolli, kërkonin jo të drejta kombëtare, por donin të shpalosnin përkatësinë e tyre fetare.

       Thuhet se në Kosovë dikur të pyesnin : « Je shqiptar apo katolik o burrë?”.  Tani pyetja ndër shqiptarët e Maqedonisë duhet të jetë: “A je shqiptar më parë apo mysliman o burrë?”.

       Nuk ekziston as dyshimi më i vogël se nuk janë të gjithë shqiptarët e Maqedonisë si këta islamistët vrasës në Vienë. Shumica e shqiptarëve,  edhe në Maqedoni, janë njerëz të përparuar dhe me kulturë, që nuk harrojnë kurrë thirrjen e rilindasit të shquar, Vaso Pashës: “Shqiptarë, mos shikoni kisha dhe xhamia, feja e shqiptarit është Shqiptaria”.

    Por siç thotë edhe një fjalë e urtë e jona: “Më mirë të të dalë syri se nami”, “se një dru i shtrembër prish një stivë të tërë” etj. etj. Ec e thuaji tani ti një turisti në Shqipëri, ose një vendasi në Perëndim se ti je shqiptar, por nuk je terrorist! Pse u dashka të justifikohemi para europianëve për dy apo tre të çmendur që e quajnë veten shqiptarë?!  Kur shqiptarë nuk janë. Ky është dëmi dhe problemi.

      Shtypi dhe mediat botërore bënë dje të ditur se autori kryesor, i dyshuar për këtë atentat, është B.A. i lindur në Austri, por me origjinë nga Maqedonia!  Por fqinjët tanë “mirëdashës” nuk do të mungojnë të përhapin të vërtetën. Se filani është një shqiptar mysliman, i cili nuk ka të bëjë fare me maqedonasit e krishterë ortodoksë.

      Imagjinoni tani jehonën që ka pasur në botë ky lajm. Se siç thamë bëhet fjalë për artisten më të njohur dhe më të adhuruar sot në botë.  A mund të kërkojnë shqiptarët të futen në Europën e Bashkuar duke mbajtur mbi kurriz jo vetëm damkën e trafikantëve të drogës, por për më shumë edhe të dhe islamistëve ?!

       Sepse Europa nuk harron se ka qënë edhe një shqiptar i lindur në Gjermani, por me origjinë nga Kosova, që sulmoi një bazë amerikane në Gjermani dhe vrau atje dy ushtarë amerikanë në emër të ISIS-it. Dhe kur ngjau kjo?! Atëhere kur Amerika pati sulmuar Serbinë për të çliruar Kosovën! A mund të quhet ky mercenar i ISS-it shqiptar?! Ndjenja fetare apo kombëtare ka qënë mbizotëruese te ai?

         Siç mund të kuptohet lehtë, feja islame kur ajo merr përparësi, i ndan dhe i largon shqiptarët jo vetëm nga vëllezërit e tyre të krishterë, por edhe nga mbarë Europa dhe Perëndimi. Në fund të fundit, djalli ta marrë, a duam të bashkohemi me Perëndimin apo me Orientin. Se nuk mund të vazhdohet më që barkun ta mbajmë nga Perëndimi dhe sytë dhe zemrën nga Orienti islamist.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment