Thuhet, por nuk dihet se sa e vërtetë është, se vdekshmëria në Shqipëri e moshave të mesme dhe të thyera, është më e larta në Europë. Gjithmonë sipas fjalëve të përhapura, kjo ngjan për shkak të ujit dhe ajrit të ndotur, por më shumë se të gjitha, për shkak të ushqimeve të pakontrolluara që hyjnë në vend nga të katër anët !
Nuk e di se sa e vërtetë është një rrëfenjë e tillë, por di me siguri çfarë ka ngjarë para afro më shumë se 32 vjetësh. Një nga tregtarët e parë të asaj kohe, që vinte nga një familje e vjetër tironase, e kamur dhe me emër që në kohën e Zogut, vajti në Maqedoni për të blerë sallam. I zoti i fabrikës, që prodhonte mbi 20 lloje sallamësh, i propozoi të blinte disa nga sallamet më të mira që kishte. Tregtari nga Shqipëria u skuq në fytyrë dhe u inatos : « Ore, a e kupton ti apo jo »,- iu drejtua ai fabrikantit maqedonas : « Unë dua sallam për Shqipëri » !
Ky fakt flet shumë se si nisi dhe nga kush tregtia dhe importi i prodhimeve ushqimore. Flitet për një kohë kur Shqipëria nuk prodhonte më pothuajse asgjë, pasi rendi i vjetër ishte shkatërruar dhe i riu nuk kishte hedhur ende rrënjë. Bujqit ato kohë, në vend që të mbillnin dhe të korrnin, e kishin mëndjen të shkonin në Itali dhe Greqi ku të merreshin me vjeljen e domateve ose me mbledhjen e ullinjve. Kjo ishte e mirëkuptueshme, kur di se për atë punë paguheshe rreth 10 herë më mirë se sa të rropateshe një vit të tërë duke punuar tokën tënde.
Sot kohët kanë ndryshuar. Megjithatë duket se tregtia dhe tregtarët nuk kanë ndryshuar aspak. Kërkohen gjithmonë mallrat më të lira nga importi për t’i shitur sa më shtrenjtë në vend, pa u shqetësuar shumë për cilësinë dhe higjienën e tyre.
Shqipëria, megjithëse një treg i vogël, ka një fuqi të madhe blerëse, pasi në vend ka hyrë dhe po hyn para e madhe. Para nga emigrantët e ligjshëm dhe të paligjshëm që përbëjnë afro gjysmën e popullsisë që është larguar nga vendi, para nga trafikantët shqiptarë të drogës që pothuajse kanë pushtuar Europën, apo edhe nga « çunat e Londrës » etj etj. Dhe siç dihet paraja nuk mban erë. Kjo bën që çmimet të mbeten të larta dhe tregu të ketë një kërkesë që e kapërcen mallin që prodhohet në vend.
I bërë kurreshtar ndofta rreth fjalëve të përhapura se perimet dhe frutat e prodhuara në vend përmbajnë përqindje pesticidesh që i tejkolojnë 10 herë ato të lejuara, njëri nga gazetarët dhe opinionistët më të njohur të vendit, doli në një treg fruta perimesh me një aparat matjesh pesticidesh në dorë dhe filloi, para kamerave, të testojë përqindjen e nitratit ndër të tjera edhe te pjeprat. Përqindje që, siç pritej, rezultoi tejet mbi normat e lejuara.
Ky veprim ngjalli një reagim të fortë në vend. Disa e akuzuan opinionistin se ai po u shërbente lobeve të fuqishme të importit të ushqimeve që duan ta mbysin prodhimin vendas, që atë të shesin gjithmonë e më shumë mallin e tyre të importit. « Përse nuk mati edhe përqindjen e pesticideve te pjepri i ardhur nga jashtë, por vetëm te ai i prodhuar në vend ? » – ngritën ata pyetjen.
Madje edhe një ish deputet u doli në mbrojtje bujqëve vendas që me njëmijë mundime, sipas tij, prodhojnë fruta dhe perime për tregun e brendshëm. Duke u përballuar edhe me një konkurrencë të pandershme nga vendet importuese, që stimulojnë eksportin e mallrave të tyre, ndryshe nga qeveria shqiptare që nuk merr asnjë masë për të mbrojtur prodhimin vendas !
Për më shumë edhe një ministre e qeverisë Rama, e vënë me shpatulla pas muri prej këtyre fakteve, nuk gjeti asgjë më të mirë për tu mbrojtur veçse akuzoi aparaturat e matjes së pesticideve si të pa certifikuara ! Të pa certifikuara nga kush ?! Përse nuk ndërmerr ajo një kundërprovë që të demantojë të dhënat e gazetarit ?!
A duhet vallë dhe a ngjan psh që termometrat që hyjnë në vend të certifikohen para se t’i shpërndahen publikut ?! Ku ta gjejnë shqiptarët atë fat ! Po pse nuk « certifikon » qeveria, pra pse nuk kontrollon ushqimet që hyjnë në tregun vendas ?!
Kontrolli, kujdesi, pastërtia higjienike e ushqimeve, ujit dhe ajrit – janë ndër detyrat më kryesore të çdo qeverie. Njëlloj si sigurimi i rendit dhe rritja e mirëqënies për banorët. Por në rrumpallën shqiptare, të nisur që nga viti 1991, duket se nuk di ku ta përplasësh kokën më parë.
Duket se kontrolli, rregulli dhe disiplina nuk përbëjnë sot asnjë lloj përparësie për qeverinë e udhëhequr nga Rama. Se 11 vjet është një kohë e mjaftueshme për të vënë rregull dhe ligj në vend. Që në Shqipëri të hyjnë ushqime të pakontrolluara nga autoritetet përkatëse vendase, ky është një superskandal me pasoja të paparashikueshme për shëndetin e qytetarëve.
Dhe jo vetëm për frutat dhe perimet. Por sidomos për mishin dhe nënproduktet e tij si qumështi, djathi gjalpi etj etj. Pa folur këtu për barnat mjekësore, nëse ato janë janë të skaduara apo jo, apo edhe nëse janë efikase!
Por siç e kemi theksuar edhe mjaft herë të tjera, Rama nuk do të sundojë me dorë të fortë dhe me përgjegjësi. Duket se kjo qeveri bën më shumë spektakël dhe show se punë. Kështu psh sot Rama se nga na kish dalë andej nga Vlora, duke ecur zbathur dhe me pantallona të shkurtëra! Sjellje tamam prej kryeministri!
Ndërkohë sipas një anketimi mbarëeuropian, Shqipëria zë vendin e fundit në Europë, përsa i takon pastërtisë së ujit të detit, si dhe të lumenjve dhe liqeneve. Konstatim i njëjtë i vënë re edhe te siti i njohur “Tripadvisor”. Turistët e huaj që kanë vizituar Shqipërinë këto javë, si problemin kryesor në vend, citonin plehrat dhe papastërtinë!
Dhe ka disa pastaj që duan edhe turizëm elitar! Kur nuk siguron dot asnjë lloj pastërtie, as në det e as në tokë, as në ushqime apo në ilaçe çfarë kërkon?!
Këto gjëra, normalisht, nuk duhet të ngjasin më në Shqipëri. Është e palejueshme. Siç thamë 11 vjet pa ndërprerje në qeverisje ka qënë kohë e mjaftueshme për të vendosur rregull në vend. Të bukura janë kartolinat me të cilat kryeministri përshëndet çdo mëngjez qytetarët e vendit. Të bukura janë fasadat e Tiranës, rrugët dhe sheshet, që kënaqin shpirtin e një artisti si ai. Por parësore për qytetarin e Shqipërisë është siguria.
Mbrojtja nga banditi i lagjes, mbrojtja nga ushqimi i skaduar, mbrojtja nga mishi i pakontrolluar, mbrojtja e prodhimit vendas nga importi i huaj dhe i subvencionuar. Kontroll i ujit të pishëm që derdhet te rubineti i çesmës. Kontroll kudo dhe në çdo gjë, siç ishte një parullë e regjimit të vjetër. Si dhe kontrolli i njerëzve që vendosen në krye të punëve etj etj.
Por Rama duket se nuk dëgjon nga ai vesh. Fjala kontroll nuk ka lindur për të. Prandaj janë të detyruar gazetarët që të dalin në terren dhe të bëjnë punën që u takon ta bëjnë autoritetet shtetërore.
Si për çudi në Shqipëri ekziston edhe një agjenci e quajtur AKU. Agjencia e Kontrollit Ushqimor. Por ajo që duhej të fliste më shumë në këto kohë ka heshtur fare.
A e meritojnë vallë shqiptarët të vuajnë ende edhe sot e kësaj dite, 32 vjet pas shembjes së monizmit, nga dukuri të tilla si korrupsioni i përhapur në çdo qelizë të shoqërisë dhe mungesa e kontrollit shtetëror ngado?! Ndryshe a do të fnnksionojë ndonjëherë si duhet shteti në Shqipëri?!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment