A duhet ta ulë kokën Albin Kurti?

    Edhe një herë tjetër këto ditë ambasadorët e Quint-it, dmth të Amerikës, Gjarmanisë, Francës, Italisë dhe Britanisë,  shprehën hapur pakënaqësinë e tyre ndaj një veprimi të ri të kryeministrit të Kosovës.  Me një urdhëresë të posaçme kryetari i qeverisë në Prishtinë mbylli 11 zyra postare që vareshin deri më tani nga shërbimi postar serb dhe vepronin në veri të Mitrovicës.

     Kaq mjaftoi që grupimi i vendeve perëndimore të alarmohej : « Kurti duhet të na pyesë ne para çdo hapi që ai ndërmerr ndaj serbëve që jetojnë në Kosovë » – bubullitën ata. Madje shkuan edhe më larg kur theksuan se me këto veprime Kurti po acaron situatën dhe po vë në rrezik deri edhe jetën e trupave të KFOR-it.

    Pas problemit të targave të automjeteve, dmth që serbët në veri të Kosovës të hiqnin ato me stemën e Serbisë dhe të vinin ato të Kosovës, pas problemeve për zgjedhjet në 4 komunat me shumicë serbe po aty, dhe disa « xhevahireve » të tjera, tani, me nismë të të parit të qeverisë në Prishtinë, plasi edhe skandali i rradhës, pra i juridiksionit të postës kosovare edhe në veri të Mitrovicës.

     Menjëherë pas reagimit të përfaqësuesve të fuqive të mëdha perëndimore,  pati edhe shumë analistë sa në Kosovë, aq edhe në Shqipëri, që e kritikuan ashpër Albin Kurtin për këtë hap. Që sipas tyre ishte i pamatur, i parakohshëm, i pa studiuar mirë dhe kulmi i kulmeve  i pa bashkërenduar me ambasadorët e vendeve perëndimore në Kosovë.

     Akuza kryesore që i drejtohet Kurtit sot, nga kundërshtarët e tij politikë dhe mediatikë, është se me këtë politikë sovraniste, Kurti po i prish marrëdhëniet e Kosovës me shtetet mike, me ato që e çliruan. Disa madje, të njohur edhe për karakterin e tyre prej mujshari, nuk ngurruan ta cilësonin kryeministrin kosovar si tradhtar që i shërben interesave të Serbisë !

      Përgjithësisht janë po këto grupime politikanësh dhe analistësh që janë edhe më të zëshmit në mbrojtjen e kërkesës serbe – perëndimore të asosacionit të Kosovës. Pra që serbët, deri në një farë mase të jenë të lirë dhe të pavarur nga Prishtina. Që ata të kenë të drejtë të mbajnë lidhje të drejtpërdrejta sa me Beogradia, aq edhe me Brukselin apo Uashingtonin, për çdo problem që mund tu lindë me qeverinë e Kosovës.

       Thjesht dhe qartë asosacioni apo Zajednica mund të konsiderohet pa asnjë mëdyshje edhe si një autonomi  e zgjeruar për serbët që jetojnë branda kufirit zyrtar të shtetit kosovar.  Bëhet fjalë për 10 komuna, 6 prej të cilave të gjendura në thellësi të territorit të Kosovës. Pra për krijimin e një Republika serbska nr 2. Njëshi ndodhet në Bosnje.

       Por Albin Kurti deri më sot nuk ka dëgjuar nga ai vesh. Dhe me gjithë presionin e pamatë me të cilin i duhet të ndeshet, ai nuk po luan nga “istikami”! Pyetja shtrohet : a ka apo nuk ka të drejtë Kurti në këtë qëndrim që po mban ? Pa asnjë dyshim që ai, zyrtarisht dhe ligjërisht  është në të drejtën e tij. Kosova ose është shtet i pavarur ose nuk është. Po pikërisht këtu rreh çekani që Kurti duket se nuk do ta kuptojë.

     Për Perëndimin, por edhe për botën, Indi, Rusi, Kinë etj, Kosova edhe është edhe nuk është shtet i pavarur. Sepse po të ishte plotësisht shtet i pavarur, siç janë shumica e shteteve në botë, veprimet e Kurtit nuk do të kishin tërhequr asfare vëmendjen, madje do të ishin duatrokitur. Çfarë më normale se të vendosësh sovranitetin e qeverisë tënde në çdo cep të vendit, pavarësisht se kush banon atje?!

      Por kohët kanë ndryshuar dhe bashkë me të edhe politika. Perëndimi sot mbi të gjitha nuk dëshiron t’i hapet edhe një front tjetër kokëçarjeje edhe në Ballkan. I mjaftojnë dhe i teprojnë Ukraina dhe Palestina. Ai po ndjek po ashtu me shqetësim edhe forcimin e parreshtur të Kinës që po kthehet sot në një kërcënim real për të. Jetojmë ndofta kohët më të turbullta që nga rënia e Murit të Berlinit. Fronte dhe aleanca të reja po krijohen. Ideja e kundërshtarëve të tij është krijimi i një bote shumëpolare ku Perëndimi të mos ketë fjalën e fundit.

     Prandaj edhe nazet dhe vicklat e Kurtit nuk po shihen sot me sy të mirë në kryeqytetet europiane. Kosova përbën sot minimumin e shqetësimeve planetare për politikën perëndimore. Nuk jemi më në vitin 1999! Prandaj zyrtarët e lartë të Amerikës dhe BE-së kanë vite që ia kanë bërë të qartë kryeministrit kosovar se politika e tyre e re në Ballkan dhe sidomos në Kosovë, përmblidhet e gjitha te  togfjalëshi: “Lërini të qetë serbët e Kosovës. Ata nuk varen më nga ju”!

     Më troç nuk ka se si thuhet. Por siç thamë Kurti nuk lëshon pe dhe nuk bindet.  A ka apo jo të drejtë ?! A është ai një vizionar apo thjesht një nacionalist i përflaktë që nuk shikon përtej majës së hundës së vet?! Ndryshe a është i sigurt Kurti që Perëndimi do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës dhe nuk do ta “shesë” për ndonjë interes apo konjukturë të rastit me Serbinë?!

     Se presidenti serb po loz në shumë plane. Mirë me Rusinë, grurë me Kinën, i afërt me politikën antieuropiane të presidentit hungarez, Orban, kërkues për tu bërë pjesë e aleancës së BRIK-sit (Brazil, Rusi, Indi, Kinë dhe dhjetra vende të tjera që i janë bashkëngjitur), ai njëkohësisht po luan kumar edhe me Perëndimin. « Më jepni diçka në Kosovë, që unë të mos kaloj qind për qind në krahun e Rusisë, Kinës dhe Iranit » – është kërkesa ultimative që ai i drejton kryeqyteteve perëndimore. Dhe ka dhënë disa shembuj në këtë drejtim siç është psh furnizmi i Ukrainës me armët që Serbia prodhon në vend ! Dhe vendet Perëndimore duket se po tregohen të ndjeshme ndaj këtij argumenti. Prandaj ato i kanë thënë “stop” politikave të përndezura nacionaliste dhe sovraniste të kryeministrit kosovar.

      Por ka edhe një arsye tjetër në këtë ndryshim kursi. Ndryshim që ka marrë kthesë të shpejtë që para më shumë se 2 vjetësh, që kur filloi konflikti Rusi – Ukrainë. Zyrtarët rusë u justifikuan atëhere se ata po mbrojnë veçse vëllezërit e tyre në 4 krahinat e populluara me rusë në lindje të Ukrainës. “Ashtu si NATO-ja që ndërhyri ushtarakisht për të shpëtuar shqiptarët që po persekutoheshin nga Millosheviçi, ashtu po ndërhyjmë edhe ne në Ukrainë për të mbrojtur bashkadhtarët tanë që po persekutoheshin nga nazi-ukrainasit e Kievit” – ishte ky njëri nga argumenet e përdorura nga Kremlini për të justifikuar agresionin e tij.

      Dhe në fakt që pas vitit 2014, kur në pushtet u vendos, pas revolucionit të Meidanit, një qeveri properëndimore, nacionalistët ukrainas ndërmorrën një fushatë kundër gjithçkaje ruse në vendin e tyre. Ndërmjet të tjerave mbahet mend djegia për së gjalli edhe e 40 rusëve në shtëpinë e bashkimeve profesionale në Odesë të Ukrainës etj etj.

      Çuditërisht dhe paralelisht me politikën serbe në Kosovë, edhe Greqia duket se u përpoq të bënte të njëjtën gjë në jug të Shqipërisë. Pra të krijonte një rrip komunash shqiptare me shumicë greke, të cilat më vonë do të formonin edhe ato një lloj asosacioni, i njohur ky prej mbi 100 vjetësh me emërimin Vorio Epir! Por Rama, pavarësisht shumë gabimeve dhe të metave të tij, bëri çmos, me metoda të ligjshme dhe të paligjshme, që Himara të mos binte në dorë të qarqeve shoviniste greke !

        Dhe ndryshe nga sa po ngjet me Kurtin, në Tiranë asnjë nga ambasadorët e huaj nuk e ngriti zërin edhe kur mund të gjendeshin prova për çrregullime në këto zgjedhje. Ndryshe nga opozita pro –greke e udhëhequr nga 80 vjeçari i rrëgjuar dhe i mbyllur në kafaz nga Viçidoli ! Me përjashtimin e vetëm, dhe kjo vetkuptohet, të Athinës. Por klithmave dhe ankesave të saj askush nuk ia vuri veshin.

      Ky ndryshim politike ngjan për disa arsye. Së pari pasi Rama ka ditur të sillet me Perëndimorët. Dhe siç thuhet: « ua ka hangër zemrën me të mirë » ! Ndryshe Shqipëria  është tash e më shumë se 100 vjet shtet i pavarur me kufinj të njohur, pranuar dhe përcaktuar mirë. Shqipëri e vogël, londineze, por gjithsesi shtet. Shqipëria është po ashtu edhe anëtar i Aleancës së Atlantikut Verior, (NATO-s) dhe mban marrëdhënie shumë të mira si me Uashingtonin dhe Brukselin, por po ashtu edhe me Romën, Berlinin, Londrën, Parisin etj. Ndërkohë që Perëndimi ndjehet edhe i lodhur me Greqinë që nuk pushon së gërricuri me gjithë fqinjët e saj si me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Turqinë .

        Po le të kthehemi te pyetja kryesore : apo bën mirë Albin Kurti që nuk po ndjek këshillat dhe udhëzimet e vendeve perëndimore ?! Përveç të fandaksurve dhe servilëve me patentë që ulurijnë deri në kupë të qiellit se po prishemi me Perëndimin, askush nuk mund t’i japë një përgjigje të plotë dhe shterruese kësaj pyetjeje. Veçse koha do ta tregojë.

       Ndryshe a mund ta lejojë dhe tolerojë Perëndimi futjen e Serbisë në 4 komunat në veri të Mitrovicës dhe vënien në zotërim të saj edhe të Trepçes dhe Ujmanit?!  Po ashtu: a do vazhdojë Amerika të dëshirojë të ruajë një platzdarmë të saj  në këtë zonë të Europës?!  Ndofta sot jo, po nesër kur mund të kemi një ndryshim regjimi në Uashington?!

          Por duket se tani për tani vendet perëndimore i kanë vënë shpresat në një ndërrim regjimi në Prishtinë. Që të jetë më i bindur dhe i dëgjueshëm edhe ndaj interesave të tyre. Pikësynimi mbetet që pas zgjedhjeve të pranverës së ardhshme Albin Kurti të mos jetë më kryeministër!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment