Sapo u hesht zhurma për abuzimin e tmerrshëm të disa mjekëve të onkollogjikut ndaj pacientëve të tyre, për korrupsion me shifra prej disa mijëra eurosh, apo për moskujdesjes ndaj atyre që nuk « paguanin », një tjetër skandal plasi në Shqipëri. Ai i mikrokredive. Pra i marrjes së borxheve të vogla që pastaj kthehen në male parash të papaguara dot.
Fatmirësisht me këtë problem u mor edhe presidenti i vendit, Begaj, duke i vënë deri diku pikat mbi “i”. Por i vetmi që nuk ka folur deri më tani, është ai që nuk lë rast pa folur kur nuk ka nevojë njeri, pra kryeministri i vendit, Edi Rama, dora vetë! Pasi është ai përgjegjësi kryesor që zgjedh, apo që heq e vë sipas qejfit ministrat dhe zyrtarët e lartë të qeverisë.
Por çfarë ka ngjarë konkretisht?! Ka ngjarë ajo që 50 000 ose 100 000 familje gjenden sot para një barre të papagueshme borxhesh, saqë thuhet se një pjesë e këtyre familjeve janë detyruar tani të shesin edhe shtëpinë për të paguar borxhin që nga i pakët, mikro borxh, është kthyer në një borxh kolosal!
Ky skandal “plasi” dhe u bë publik, kur njëri nga kredimarrësit vrau veten pasi nuk shihte më asnjë mundësi ta shlyente borxhin. Pal Trashaj, që i dha fund jetës një muaj më parë në dyert e SPAK-ut, pasi nuk e përballonte dot më lakun e borxheve që po i merrnin frymën. Ai u largua nga kjo jetë vetëm për 76 mijë lekë kredi,që pati marrë plot 16 vjet më parë, kamatat e së cilës vijonin ta përndiqnin si hije.
Por çfarë ngjan që një borxh i vogël u transformoka në një borxh të stërmadh dhe të pashlyeshëm?! Si është e mundur të ngjasë përsëri një mënxyrë e tillë, dhe ku?! Në vendin që u shkatërrua një herë nga themelet në vitin 1977! Nga çmenduria dhe papërgjegjshmëria totale e atij që atëhere ishte president!
Si atëhere edhe sot kemi të bëjmë me një skemë të qartë mashtrimi dhe grabitjeje të njerëzve të thjeshtë. Si atëhere edhe tani kemi të bëjmë një paaftësi uluritëse të mekanizmave dhe institucioneve qeverisëse. Që të mos themi me një indiferentizëm dhe moskokëçarje tragjike për fatin e shumë familjeve të varfra. Sepse bëhet fjalë pikërisht për familje të këputura që mezi e mbyllin muajin.
Më konkretisht: Dikush do të rregullojë një pjesë të hajatit të shtëpisë. Apo do të blejë një makinë të përdorur. I duhen edhe 2 vjet punë që të arrijë shumën e nevojshme. Por ai vetë ose koha nuk pret. Sa të presë edhe dy vjet, po shkoj dhe po marr një kredi, hua, te njërat nga bankat private, që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, dhe e rregulloj që tani gjendjen- mendon njeriu hallexhi.
Por dihet, apo njerëzit duhet ta dinë mire, se bankat nuk janë institucione bamirëse, përkundrazi. Ato majmen dhe pasurohen në kurriz të huamarrësve dhe rrallë herë duke investuar në projekte zhvillimi fondet që kanë në zotërim.
Dhe fukarai shkon te banka si cjapi te kasapi. Dhe i kërkon ta zëmë një hua prej 5 000 eurosh. Zonjusha e « përkrah » nevojtarin dhe i vë përpara një copë letër, më mirë të themi një dokument, të cilin kredi-marrësi duhet ta nënshkruajë para marrjes së parave. Të dy palët kanë rënë dakort që huaja të shlyhet brenda dy vjetëve.
Por siç thamë, banka nuk t’i jepë këto para veresie. Përveç 5 000 eurove ty të duhet të paguash edhe kamatën ose ndryshe interesin e kredisë. Sepse këtu fiton edhe banka. Kështu psh për paratë që klientët depozitojnë te ajo, banka i « shpërblen » me një normë vjetore prej ta zëmë 3 për qind. Kështu banka krijon një kapital, apo fond parash, të cilat ajo ose i investon në projekte fitimprurëse ose ua jep qytetarëve të tjerë që kanë nevojë për kredi. Por ndërsa depozitat « shpërblehen » me 2 ose 3 për qind në vit, huatë e kanë interesin apo fajden 8 ose 9 përqind në vit. Diferenca ndërmjet ndryshimit të përqindjes së interesit ndërmjet depozituesit dhe huamarrësit përbën edhe fitimin e bankës.
Sipas drejtorit të Bankës së Shqipërisë klientët kanë depozituar në të gjitha bankat e vendit rreth 16 miliardë euro ! Vetëm 5 përqind ndryshim interesi ndërmjet marrjes dhe dhënies së parave nga depozituesi te huamarrësit, bëjnë as më shumë dhe as më pak por 800 000 000 (800 milionë) euro fitim vjetor për bankat.
Kthehemi te shembulli konkret i mikrokredive. Huamarrësi për një arsye apo një tjetër nuk arrin ta shlyejë borxhin. Në këtë rast, interesi i fitimit të bankës rritet ndjeshëm për çdo muaj kamatë- vonesë. Gjë të cilën huamarrësi kur nënshkroi dokumentin nuk e kuptoi ose nuk i dha rëndësi. Dhe këtu tani atij fillon t’i mblidhet laku rreth qafës. Pas disa muajsh banka me anë të përmbaruesve shtetërorë apo privatë i bën presion huamarrësit se do e nxjerrë nga shtëpia dhe do e shesë atë për të marrë këstet e papaguara. Huamarrësi nuk di ku ka kokën. Atëhere banka bëhet e « mirë » dhe i rekomandon borxhliut të pafat një zgjidhje. Një bankë e vogël, e ndodhur diku nga periferia, merr përsipër t’ia shlyejë borxhin e mbetur dhe interesat.
Por ai duhet të nënshkruajë një dokument tjetër. Kushtet tek dokumenti tjetër janë 10 herë më të vështira dhe interesi 10 herë më i lartë ! Por borxhliu i jepet edhe një afat tjetër shlyerje prej 2 vitesh. Tani ai ose duhet të pranojë marrëveshjen e re me bankën e e dytë ose banka ku ai mori kredinë e parë do ta nxjerrë jashtë shtëpisë. Borxhliu i tmerruar pranon zgjidhjen e parë, që i jep edhe 2 vjet kohë shtesë. Deri atëhere s’dihet se çfarë bën Perëndia – mendon i «mbyturi » ! Dhe kur nuk ishte në gjendje të shlyente kredinë e parë me kushte shumë më të favorshme, veçse një mrekulli mund ta bënte që ai të shlyente kredinë zëvendësuese te banka e dytë.
16 vjet zgjati kjo hedhje – pritje te rasti i viktimës Pal Trashaj. Aq sa veç se interesat që u kishte paguar bankave e tejkalonin shumën e borxhit që ai kishte marrë kur kaloi për herë të parë pragun e bankës.
Deri këtu jemi brenda ligjit ! Problemi është se ligji, i aprovuar nga ana e Bankës së Shqipërisë dhe nga deputetët nuk është i drejtë. Ai u ka lënë dorë të lirë fajdexhinjve të fitojnë sa të duan mbi kurrizin e halleqarëve. Sepse është një ligj që shikon vetëm fitimin e bankierëve dhe nuk mendon për hallin e të vobektëve.
Ndërkohë që roli i shtetit është të vendosë një ekuilibër të drejtë ndërmjet të dy palëve. Por njerëzit që Rama i zgjedh me dorën e vet, ose janë të paaftë ose janë edhe ata vetë hajdutë. Dhe askujt nuk i bëhet vonë për njeriun e thjeshtë. Thirrjet e njëpasnjëshme të ministrave të tij nga SPAK-u veçse e dëshmojnë korrupsionin, hajdutllikun apo paaftësinë që zjen deri në kokën e qeverisë shqiptare. Kujtoni zëvëndëskryeministrin, ish ministrin Beqaj etj etj.
Për të kuptuar çmëndurinë e këtyre normave të interesit që u kërkoheshin borxhlinjve mjafton edhe deklarata e vetë drejtorit të përgjithshëm të Bankës Shqiptare, Sejko, që shkruan se : « Problemi në lidhje me normën e interesit ka të bëjë me mikro-kreditë. Kemi bërë inspektime dhe normat e interesit janë ulur me tre herë. Kemi qenë në nivelet e mbi 200 përqind e tani jemi tek 50-60 përqind. Kemi marrë edhe masa, që detyrimi për klientët mos të jetë më tepër se 30 përqind e shumës së marrë si kredi » – pohon Sejko !
200 përqind, 50 – 60 përqind interes dhe tani 30 përqind interes mbi shumën e marrë. Ndërkohë që vetë banka debituesve të saj, depozituesve, u ofron interesa deri në 3 përqind. Këtu nuk kemi të bëjmë me 5 përqind shkallë interesi, por me 100 përqind!
Qartë dhe saktë edhe këtu kemi të bëjmë me mungesën e shtetit. Edhe në këtë fushë, si në atë të shëndetësisë etj etj. Kemi të bëjmë po ashtu me mungesën e ligjeve të qarta. Kemi të bëjmë me një papërgjgjshmëri të plotë duke filluar nga vetë drejtori i Bankës Kombëtare dhe deri te komisioni i ekonomisë dhe financave në parlament. Të gjithë këta janë buratinët që Rama i ka zgjedhur me dorën e tij !
Po e mbyllim këtë shkrim me shqetësimin që presidenti Begaj u ka adresuar Bankës së përgjithshme si dhe Parlamentit, duke iu referuar justifikimeve të këtyre institucioneve : « Në asnjë prej këtyre prononcimeve nuk analizohet nëse “praktika” binte ndesh me licencën, sikurse nuk analizohen shkeljet eventuale të dispozitave të rregullores bazë të cituar më sipër. Kufizimet e vendosura nga licenca dhe legjislacioni i fushës nuk mund të anashkalohen nga dispozitat e Kodit Civil, të cilat formojnë rregullim të përgjithshëm të marrëdhënieve juridiko-civile.
Subjektet e licencuara mund të hyjnë në marrëdhënie juridike civile (të lidhin marrëveshje sipas Kodit Civil) vetëm për gjëra që janë në funksion të objektit të licencuar të veprimtarisë, por jo të krijojnë një objekt të ri veprimtarie mbështetur në lirinë kontraktuale që njeh Kodi Civil”.
“Sistemet mbikëqyrëse ligjore ngrihen për të mbrojtur, së pari, këto shtresa. Përhapja në një masë të madhe njerëzish dhe për një kohë relativisht të gjatë e kësaj skeme abuzimi ka krijuar hapësira për të hedhur dyshimin se sistemet mbikëqyrëse nuk kanë funksionuar apo që janë penguar me dashje të funksionojnë. Këto pretendime përbëjnë shqetësim të vërtetë dhe kërkojnë përgënjeshtrim bindës nga të gjitha institucionet kompetente.
Unë kam ndjekur me vëmendje dhe e mbështes procedimin penal që ka nisur dhe po zbardh rolin e aktorëve të përfshirë dhe gjithë mekanizimin kriminal, por nuk mund të qëndroj pa konstatuar se përballë kemi një rast flagrant abuzimi, që ka qenë i shtrirë në një kohë relativisht të gjatë dhe, për më tepër, një vepër penale të kryer nga subjekte të cilat kanë qenë, për shkak të funksionit, nën mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore (kompanitë e mikrokreditit nën mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë, kurse përmbaruesit privatë nën mbikëqyrjen e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Privatë dhe të Ministrisë së Drejtësisë)” – thuhet në letrën e presidentit të vendit.
Ndryshe deri kur do të vazhdojë Shqipëria të qeveriset si një anije pa timon, pa vela dhe pa timonier?! Ujku, ujku, po çakalli po bën kërdinë ! Dhe çakalli këtu janë të gjithë zyrtarët e lartë që janë nën hetim nga SPAK-u dhe të dyshuar për korrupsion dhe fitime marramëndase të pamerituara ! Po ai që i ka caktuar në këto detyra nuk paska faj fare ?! Kësaj i thonë të mos mbash asnjë përgjegjësi për postin që ke. Ta marrësh lehtë dhe me sportivitet atë. Dhe ta kesh mëndjen të plotësosh vetëm direktivat që të vijnë nga jashtë dhe tu bësh qefin të fuqishmëve të kësaj bote. Duke qënë i bindur se asgjë nuk të gjen sa kohë që ai i penxheresë vijon të mbetet në penxhere.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment