Fundi i “Darkës së fundit”

       Po mbushet java që kur u përurua ceremonia e hapjes së lojërave olimpike në Paris të Francës dhe debatet dhe kundërshtitë rreth saj nuk kanë rreshtur ende. Madje edhe më keq: ato janë shtuar dhe përforcuar.

      Arsyeja kryesore mbetet alegoria dhe denigrimi i qëllimshëm ndaj një vepre të papërsëritshme të kulturës botërore,  e njohur si “Darka e fundit”. Në këtë pikturë të famshme, artisti fiorentinas rilindas me famë botërore, Leonardo Da Vinçi, e ka bërë të pavdekshëm një pasazh të Ungjillit, atë ku Krishti takoi 12 dishepujt, ndjekësit e tij besnikë, para se të arrestohej dhe kryqëzohej. Piktura që konsiderohet e pashitëshme dhe e pablerëshme, aq vlerë ka, ka ndjellur admirimin e miliona njerëzve në botë në të gjitha kohët. Për më shumë ajo ka qënë dhe mbetet jo vetëm një kryevepër me vlera të papërsëritshme artistike, por edhe një simbol për 2.5 miliardë të krishterët anë e mbanë botës.

       Dhe pikërisht me këtë pikturë monumentale u mor edhe një farë artisti dhe regjizori francez. Dhe siç po ngjan shpesh herë këto vitet e fundit, ai në emër të modernes, tolerancës, shoqërisë së hapur, diversitetit etj etj e ndryshoi katërcipërisht mesazhin e saj.

      Krishti dhe apostujt e paraqitur në pikturën e Da Vinçit ishin zëvendësuar kësaj rradhe, në tabllonë me njerëz të gjallë shfaqur në Paris, nga gay dhe lesbienë, nga transgjinorë dhe drag –quins, nga quiiers dhe gra me mjekër apo burra me cica.

       Dhe kjo çmenduri u cilësua nga disa, deri në majë të shtetit organizator, si një gjetje e paparë sa në fushën artistike, aq edhe në atë shoqërore dhe kulturale. Gjoja në emër të tolerances dhe diversitetit!. Por te disa të tjerë ajo shkaktoi deri të vjella dhe neveri.

        Në fakt këtu nuk kishim të bënim me ndonjë ekspozitë artistike kulturore, por thjesht me një përurimin e një feste që parapriu fillimin e garave olimpike. Dhe megjithëse gjatë kësaj ceremonie hapëse pati edhe mjaft gjëra të bukura dhe tejet tërheqëse, sytë e kritikës u drejtuan pikërisht te përdhosja apo transfigurimi i pikturës së famshme të artistit të Renasancës europiane nga disa hiçkërrkushër.

         Katastrofë, pamje satanike, spektakël që nuk ka asgjë sportive, aq më pak kulturore. Shkelje me këmbë e shpirtit të olimpiadave helenike, e mesazhit të tyre të forcës, bukurisë dhe sportivitetit- këto ishin disa nga reagimet në rrjet.

       Mjeku Abdelaziz Ghedia psh nuk e përmban dot neverinë që i ka shkaktuar kjo shfaqje pseudoartistike: « Unë jam mysliman, por unë e përkrah Krishtërimin që deshën ta përbaltin me këtë festë satanike. Për ne myslimanët, Isai, (emri i Krishtit në fenë islame) jeton akoma. Prej vitesh kam pasur një mendim shumë pozitiv për artin dhe kulturën franceze, sidomos për « Trinitrinë e saj të shenjtë » : Barazi, Vëllazëri, Liri ». Por të premten e përurimit të lojërave ndjeva sikur më ra një dush i ftohtë mbi kokë » – pohon ai, para se të pyeste:  Në fakt për çfarë nevojitej Krishti dhe “Darka e fundit” në këtë festë sportive?! Po gjithë ato quieers, drag quins, gay dhe lesbiene të deklaruara, në këtë ngjarje sportive mbarëbotërore?!”.

          Shumë të tjerë, deri edhe politikanë dhe personalitete të njohur, siç është psh rasti i Donald Trump apo i Elon Musk, e kanë cilësuar shfaqjen e përçudnuar të “Darkës së fundit” si një lloj dacke ndaj artit të vërtetë dhe mesazhit të tij për të krishterët në mbarë botën.

          Dhe nuk është hera e parë që mbrojtësit e lirisë pa kufi përdhosin dhe shkelin me këmbë atë që njerëzit e mbarë botës e respektojnë. Kështu psh e përjavshmja satirike franceze “Charlie Hebdo”, e njohur në mbarë botën pas masakrës çnjerëzore të redaktorëve të saj, pas botimit të karikaturave mbi Mahometin, më parë kishte botuar edhe pikturën e famshme të Krishtit në kryq të futur në një shishe urine!

       Ngandonjëherë tepër është tepër dhe gjithçka duhet të ketë një kufi. Askush nuk ka të drejtë të fyejë një numër të pamasë njerëzish në emër gjoja të lirisë së pakufizuar. Pasi njihen edhe shumë raste të tjera, ku nën pretekstin e gjoja  shprehjes së urrejtjes ndaj një doktrine, praktike apo strategjie, të mund të përfundosh në burg. Pra kjo lloj “lirie” nuk është për të gjithë. Saqë ndonjëherë është me dy faqe. Kur u intereson psh disa qarqeve të caktuara me prapavija politike të qarta, gjithçka është e lejuar, ndryshe edhe një humoristi  të zakonshëm ndodh që t’i mohohen dhe t’i ndalohen edhe sallat ku mund të shfaqë talentin e tij!

      Dhe duket se asgjë nuk është rastësi. As edhe përdhosja e “Darkës së fundit” Kjo është një mësymje e uokizmit, mohimit të vlerave të së shkuarës, përdhosjes të normales dhe ngritjes në kult të degjenerimit, shthurrjes morale, të së përçudnuarës, me një fjalë e normalizimit të anormales në jetën e përditshme. Është një sulm i mbrojtësve të disa lobeve të caktuara me synime të qarta politike. Si një sulm ndaj shenjtërisë së familjes, madje edhe ndaj ekzistencës së vetë shteteve në emër të globalizmit dhe tregut të pakufi. Dhe sidomos ndaj moralit që e dallon Njeriun nga kafsha.

     Prandaj edhe shfaqja e fundit e “Darkës së fundit” ka ngjallur edhe kaq reagime kundërthënëse.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment