A mund dhe a duhet të përjashtohet Turqia nga NATO?!

       Këtë të martë ministri i jashtëm izraelit, Katz, u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s të përjashtojnë nga gjiri i tyre, Turqinë ! Kjo kërkesë erdhi pas pohimeve të presidentit turk, Erdogan, se Turqia mund ta ndihmojë Hamasin në luftën e tij kundër Izraelit, siç ka bërë me Azerbajxhanin kundër Armenisë apo siç ka vepruar në Libi.

     Kjo deklaratë u ra shumë keq në stomak udhëheqësve izraelitë. Se Turqia nuk është Libani, apo Jordania që mund t’i shkelësh me këmbë. Turqia është një shtet i fuqishëm dhe një nga shtyllat e NATO-s. Prandaj kërkesa për përjashtimin e saj nga gjiri i Aleancës Atlantike dëshmon frikën që ndjen Tel Avivi ndaj përfshirjes së një vendi anëtar të NATO-s, dhe për më shumë mysliman, në këtë konflikt. Por po ashtu edhe forcën dhe fuqinë e tij pranë instancave ndërkombëtare perëndimore.

      Ndryshe marrëdhëniet ndërmjet Tel Avivit dhe Ankarasë janë përkeqësuar dukshëm që pas 7 tetorit të vitit të kaluar. Aq saqë Erdogani e ka krahasuar Netanyahun me Hitlerin. Dhe krejt ndryshe nga politika perëndimore, që e konsideron Hamasin si organizatë terroriste, Erdogani e cilëson Hamasin si një organizatë çlirimtare.

       Por kryediplomati izraelit bëri këto ditë, me dashje apo pa dashje, edhe një “autogol” në portën e tij. Ai i kujtoi udhëheqësit turk se si përfundoi lideri irakian Sadam Huseini, i cili po ashtu ishte një mbrojtës i vendosur i kauzës palestineze dhe e kishte kërcënuar edhe ai Izraelin me ndërhyrje ushtarake.

       Deklarata e tij dëshmon se ndryshe nga sa është deklaruar zyrtarisht, sulmi ndaj Irakut, nën justifikimin se ai po prodhonte bombën bërthamore, ishte thjesht një pretekst. Dhe se amerikanët e dinin mirë se Iraku nuk dispononte një armë të tillë ! Madje këtë ua bëri të qartë amerikanëve dhe mbarë botës edhe i dërguari i OKB-së në Irak, në atë kohë, suedezi Hans Blix, i cili bëri gjithçka për të parandaluar luftën kundër Irakut.

        Çuditërisht apo jo, pas Sadamit rradha i erdhi Muhamar Kadafit, udhëheqësi i Libisë. Edhe ai njihej si mbrojtës i vendosur i popullit palestinez. Më pas gjatë një grushti shteti, udhëheqësi egjiptian propalestinez i zgjedhur me vota, Morsi, u përmbys me anë të një grushti shteti !

         Sot të gjithë udhëheqësit e vendeve arabe gjenden në një pozitë shumë të vështirë politike, që kur u rindez konflikti në Gaza. Kjo është gjëja që ata dëshironin më pak.  Se ndërsa « rruga », pra masa e njerëzve në vendin e tyre, është totalisht në mbrojtje të Palestinës, qeveritë e vendeve arabe dëshirojnë vetëm të mbajnë marrëdhënie paqësore me Izraelin, mikun e madh të Amerikës. Pra kërcënimet e ministrit të jashtëm izraelit ndaj Erdoganit kanë një llogjike si dhe një bazë historike.

          Megjithatë ka pak gjasa që Turqia të ndërhyjë hapur në konfliktin Palestinë – Izrael. Këto deklarata bëhen më shumë për konsum të brendshëm. Por gjithsesi paralajmërimet e Izraelit tregojnë se ai nuk frkësohet nga deklaratat e padishahut turk. Në të vërtetë Turqia, që kur në krye të saj ka ardhur Erdogani, po ndjek një politikë të pavarur, dhe deri sovrane në rajon. Ajo ruan marrëdhënie të mira me Rusinë, duke ndihmuar me armatime njëkohësisht edhe Ukrainën. Por ajo është dalluar kryesisht si kundërshtare e vendosur e politikës izraelite në rajon. Sidomos që nga koha e grushtit të dështuar të shtetit ndaj Erdoganit.

        Izraelit po ashtu nuk i është bërë fare vonë nga rezolutat e njëpasnjëshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, apo nga akuzat e CPI-së dhe gjykatave të tjera drejtuar Netanyahut dhe shtetit izraelit për genocid në Gaza dhe kërkesës për ta shpallur Netanyahanun si të kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare ! Pyetja shtrohet : Si spjegohet kjo arrogancë e Izraelit, që duke mos qënë fare anëtar i Aleancës Atlantike bën thirrje që një shtet i fuqishëm i saj, si Turqia, të përjashtohet?! Ku e gjen ai këtë forcë ?!

        Vetëm para pak ditësh kryeministri i Izraelit u prit me duartrokitje dhe ovacione në sallën e Kongresit amerikan. Ai u tha deputetëve republikanë të pranishëm në takim se lufta e Izraelit ndaj Hamasit është edhe luftë e tyre, dhe se fitorja në këtë luftë është edhe fitore e Amerikës ! Netanyahu u takua në Uashington edhe me presidentin Biden dhe zëvëndësen e tij, kandidaten për presidente, Kamala Harris. Para pak më shumë se 4 vitesh e përditshmja e njohur franceze “Le Monde” botoi një karikaturë ku tregohej presidenti i atëhershëm Trump me syze prej të verbëri i drejtuar nga një qen që kishte fytyrën e Netanyahut! Kjo karikaturë ngjalli aq zhurmë dhe kundërshti për mesazhin që përcillte, saqë redaksia e gazetës u betua solemnisht se nuk do botonte më karikatura të tilla!

           Perëndimi sot po ndeshet me dy vatra të rrezikshme zjarri, që mund të përhapen dhe shtrihen, saqë të vëjnë në rrezik paqen në këtë pjesë globit. Pikërisht sot Izraeli eleminoi në Teheran edhe udhëheqësin e Hamasit, Ismail Haniyeh. Irani është betuar se do të kundërpërgjigjet ashpër. Iraku, Turqia, Libani, Kina, Rusia, madje edhe Gjermania e kanë dënuar këtë veprim.

          Po bëhen kështu mbi 70 vjet që Lindja e Mesme nuk po gjen qetësi. Janë dy popuj që luftojnë për një tokë. Nga njëra anë palestinezët që banojnë në këto treva prej shekujsh dhe nga ana tjetër izraelitët, që kanë jetuar në këtë tokë para 1 000 vjetësh. “Ne nuk kemi tokë tjetër. Palestinezët mund të strehohen në Liban, Jordani, Egjipt, Siri dhe ku të duan. Që të kemi edhe ne atdheun tonë” – shprehen mbrojtësit e projektit të Izraelit biblik. Ndërkohë që ekzistenca e dy shteteve, izraelit dhe palestinez, krah për krah njeri – tjetrit, po bëhet pothuajse e pamundur.

       Siç shihet kemi për të dëgjuar edhe më shumë dhe për shumë kohë të tjera për këtë konflikt pothuajse të pazgjidhshëm.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment