Dhe ngjau ajo që shumë pak e prisnin. Joe Biden deklaroi se nuk do të jetë kandidat për një mandat të dytë për në Shtëpinë e Bardhë. Lajmi ra si bombë. Disa u gëzuan pa masë, ndërsa disa të tjerë u mërzitën shumë.
U gëzuan të rinjtë demokratë, u trishtuan republikanët e vjetër. Sepse deri më tani këta të fundit po fërkonin duart. Për ta as nuk vihej në diskutim fitorja e Trump-it, por vetëm diferenca. Do fitonte me 5 përqind epërsi apo 10 përqind? Kjo ishte pyetja. Nga ana tjetër dëshpërimi kishte kaplluar kampin demokrat. Të gjithë e ndjenin se kishin marrë rrugën e tejqafjes. Sidomos të rinjtë ishin tejet të demoralizuar kur shihnin një 81 vjeçar që mezi mbahej në këmbë. Që nuk dinte ku ishte dhe çfarë thoshte. Dëshpërimi ishte total.
Nga ana tjetër Trump fryhej dhe krekosej si gjel deti. Dhe kishte të drejtë. Forca e tij fizike, gjykimi dhe llogjika e tij e linin shumë prapa Biden-in, që dukej sikur ishte kapur keq nga seniliteti, sëmundja mendore e pleqërisë.
Por kur askush nuk e priste, Biden ndërmorri atë hap që la shumëkush me gojëhapur. I vjetër sa të duash, por që dukej se i kishte mbetur ende një fije llogjike sa për të kuptuar se e kishte “davanë” të humbur. Dhe ndërmorri xhestin më të mirë që mund të bënte. U largua nga buza e greminës, duke shpëtuar edhe gjithë tufën që e ndiqte nga pas me llahtari. Një shërbim tjetër i vyer ky i Biden-it ndaj vendit të tij dhe sidomos ndaj demokracisë amerikane.
Dhe caktoi edhe pasuesin e tij, 59 vjeçaren Kamala Harris, deri tani zv/presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe si i themi ne: me një gur vrau dy zogj. (Shprehje e vjetër popullore kjo, se sot zogjtë nuk duhet të vriten as me një dhe as me shumë gurë. Me këngën e tyre ata e zbukurojnë natyrën).
Nejse. Themi se vrau dy zogj menjëherë se jo vetëm vuri në një pikëpyetje të madhe humbjen e pashmangëshme të demokratëve në nëntor të këtij viti, por la pas vetes dhe caktoi si zëvendës një « bijou » të demokratëve. Një grua me një të kaluar prej prokuroreje të sukseshme, një politikane që bën pjesë te pakicat me ngjyrë të Amerikës. Që një pjesë e amerikanëve sot ndofta e shohin si pasardhëse e Martin Luter King-ut, ose që të mos shkojmë aq larg, si pasuese e denjë e Barack Obamës.
Si pasojë gjithçka ndryshoi, jo vetëm te kampi demokrat, por edhe te mbarë shoqëria amerikane. Te një pjesë u kthye shpresa, te pjesa përballë dyshimi në fitoren e sigurt. Sepse Kamala Harri ngërthen në vetvete gjithçka që Trump e urren. Ajo është femër me ngjyrë dhe si pasojë antiraciste dhe antisupremaciste. E arsimuar si duhet dhe me një bagazh politik dhe profesional. Aq shumë dallohet ajo nga Trumpi supremacist dhe macho, saqë vetë ai e cilësoi Kamalan si radikale e majtë. Njëri me bindje të forta konservatore, psh kund abortit, kundër lëvizjes LGBTQ+, në favor të mbajtjes së armëve dhe dënimit me vdekje. Tjetra më e hapur ndaj trendeve të fundit societale, mbrojtëse e pakicave si dhe e ndërprerjes me dashje të shtatzanisë. Dhe po aq shumë edhe e grupeve LGBTQ+ etj etj.
Aq sa të duket sikur po përsëriten zgjedhjet franceze të para 20 ditëve. Edhe atëhere të gjitha sondazhet nxirrnin si fituese partinë e ekstremit të djathtë « Bashkimi Kombëtar ». Që do të dilte e para kjo as që diskutohej. E vetmja gjë që vihej në dyshim ishte nëse do fitonte mbi apo nën 50 përqind të votave. Por partitë demokratike franceze, për të parandaluar ardhjen në pushtet të një partie ksenofobe,raciste, antiemigracion dhe antimyslimane u bënë bashkë dhe e nxorrën “Bashkimin Kombëtar” në vend të tretë! A mund të përsëritet i njëjti skenar edhe në Amerikë?! A mund dhe a do të bëhen bashkë kundër Trump-it pakicat me ngjyrë, të zinjtë dhe ata me origjinë spanjolle – latine?! Pakicat societale, mbrojtësit e të drejtave të grave, ekologjistët si dhe demokratët e bardhë?! Kjo nuk dihet, por ka shumë mundësi të ngjasë. Si në Francë pra!
Siç shihet nuk kemi të bëjmë këtu thjesht me një përplasje ndërmjet dy personave, apo dy partive. Jo. Është diçka shumë më tepër. Shumë më e thellë. Është një përballje ndërmjet dy ideologjive kundërshtare, ndërmjet dy këndvështrimeve tejet të ndryshme, e dy mënyrave të menduari dhe të vepruari. Shkurt kemi të bëjmë me një përplasje mes dy botëve. Libertarizmi dhe demokracia nga njëra anë kundër konservatorizmit dhe autoritarizmit nga ana tjetër. E djathta e skajshme kundër një të majte pothuajse radikale.
Prandaj Kamala Harris gjeti menjëherë një mbështetje të madhe në grupimet e majta në Amerikë, siç është Hollivudi, apo te profesorët e shkollave, te njerëzit me ngjyrë dhe pakicat e tjera. Që mund ta anojnë balancën nga një kah ose nga kahu tjetër. Edhe « tenorët » e Partisë Demokratike Amerikane janë rreshtuar pothuajse njëzëri pas kandidates për presidente, duke filluar nga figura të mbarënjohura në mbarë vendin, si ish – presidentët Klinton dhe Obama, por edhe nga shumë deputetë dhe senatorë të tjerë demokratë. Aq sa mund të thuhet që ajo është tashmë e zgjedhura e partisë demokrate, pa pritur që të organizohet konventa e partisë më 18 gusht.
Edhe në Europë dhe në botën demokratike, caktimi i Kamala Harris-it si pretendentja e demokratëve amerikanë për postin e presidentit, u prit me entuziazëm. Deri më tani Brukseli, Berlini, Londra, Parisi e kishin ulur kokën dhe po e pranonin si fatalitet riardhjen e Trump-it në Shtëpinë e Bardhë. Një ngjarje e tillë do t’i trazonte keq « letrat » në tavolinë. Pasi dihet se Trump-i ka admirim për Putinin. Qoftë edhe për Orbanin e Hungarisë.
Dhe si rrjedhojë lufta Ukrainë – Rusi, për të cilën Perëndimi po shpenzon « qimet e kokës », mund të merrte një zhvillim të ri. Mund të vendosej një paqe, apo armëpushim në linjën ku gjenden sot forcat përkatëse. Që do të thotë se Rusia do ti fitojë përgjithmonë 4 rajonet e pushtuara deri më tani. Sepse Trump do të ndërpriste çdo lloj ndihme për Ukrainën nëse ajo nuk do të pranonte këtë lloj armëpushimi. Dhe dihet mirë se si përfundojnë këto armëpushime. Mjaft të kemi parasysh armëpushimin rreth 70 vjeçar ndërmjet Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut. Që është kthyer tashmë në një kufi zyrtar. Kështu do ngjante edhe me Ukrainën. Kufiri do ishte ky që është sot. Dhe jo ai para agresionit rus më 24 shkurt 2022.
Prandaj humbja e mundshme e Trump në nëntor të këtij viti do të jetë një humbje e madhe edhe për Putinin. Madje edhe për Serbinë. Sepse njihen raportet e mira që ka krijuar Beogradi me të dërguarin e Trumpit në Ballkan, Riçard Grenell. Dhe me shumë gjasa ky i fundit mund të emërohet edhe ministër i jashtëm në rast se Trump, si do që të vijë puna, fiton zgjedhjet.
Sepse nuk duhet të marrim zjarr kot. Askush deri më sot nuk e di se si do të përfundojnë zgjedhjet e nëntorit për president. Ndofta fiton Kamala Harris, por ndofta fiton edhe Donald Trump. Sepse e vetmja gjë që dihet deri më tani është se nuk është më e sigurt që demokratët do t’i humbasin këto zgjedhje. Siç pritej të ngjante me shumë gjasa në rast se Biden do të vazhdonte të ishte kandidat për një mandat të dytë presidencial.
Siç theksuam asgjë nuk është e sigurt dhe e fituar deri më tani. Për asnjërën palë. Por për kombin shqiptar, me shumë gjasa, një fitore e kampit demokrat, do të ishte një fitore edhe për të. Sepse Trump është tejet i paparashikueshëm. Dhe jo aq i interesuar për Ballkanin, madje edhe për vetë NATO-n. Një fitore e tij mund të thotë psh një shkëputje de fakto dhe përfundimtare e 4 komunave në veri të Mitrovicës, së bashku me Ujmanin dhe Trepçën! Jo më kot serbët janë në shumicë përkrahës të Trump-it.
Dje psh ai kumtoi se në rast se Irani e vret atë, pra Trump-in, ai, Irani, duhet të zhduket nga faqja e Dheut ! E çuditshme. E para se nuk ka thënë kush se Irani dashka të vriska Trump-in. Ai që e provoi këtë xhest, ishte një amerikan i « pastër”. Siç duket këtë ide do ia ketë përshpëritur Natanyahu, armiku i betuar i Iranit. Dhe Trump, si kaqol, e ka besur.
Dhe ja sikur ta marrim si për të mirëqënë këtë fakt. Pra që Irani vret Trump-in! A është e drejtë, a është njerëzore, a është llogjike, që për vrasjen e një njeriu, kushdo qoftë ai, të “paguajnë” 60 milionë iranianë?! Fëmijë, gra, pleq, burra?! Ja pra kjo është llogjika e Trump-it.
Ndërsa Harris ka shumë mundësi të eci në rrugën e paraardhësve të saj demokratë, duke filluar nga Bill dhe Hillari Klinton. Prandaj zgjedhjet në Amerikë do të ndiqen me shumë vëmendje edhe kudo ku jetojnë shqiptarë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment