Marka e famshme e atleteve dhe veshjeve « Adidas » njoftoi javën e kaluar se po e largonte modelen me famë botërore, Bella Hadid, nga reklamimi i një palë basketesh emblematike të planifikuara të shiteshin gjatë garave olimpike, që do mbahen pas pak ditësh në Paris. Arsyeja sipas firmës së famshme ishte reklamimi prej saj i një steme që përkujtonte Lojërat Olimpike të Mynihut të vitit 1972, gjatë të cilave u krye një sulm anti-izraelit.
Për të mishëruar fushatën e saj promovuese rreth atleteve SL72, Adidas fillimisht zgjodhi modelen amerikane Bella Hadid, e cila ka prejardhje palestineze. Për më shumë modelja me famë botërore ka marrë pjesë shpesh herë këto kohët e fundit në demonstratat pro-palestineze dhe, që nga 7 tetori, ka dënuar vazhdimisht bombardimet izraelite në Gaza.
Pozicione dhe qëndrime politike këto të cilat e shtynë Adidas-in të largonte modelen nga fushata e saj e reklamimeve të modelit të fundit të atleteve.
“Ne jemi të vetëdijshëm se me këtë veprim janë bërë lidhje me ngjarje tragjike historike – edhe nëse këto janë krejtësisht të paqëllimshme – ne kërkojmë falje për çdo acarim apo dhimbje që mund të kemi shkaktuar », shkruan marka me tre vija me ngjyra, në një deklaratë për shtyp dërguar AFP-së dhe mediave të tjera ndërkombëtare. « Modelja Bella Hadid po hiqet nga fushata me efekt të menjëhershëm”, pohoi një zëdhënës i Adidas.
Sa për dijeni atletet « SL72 » janë një kopje e një modeli të mbathura nga atletët gjatë Lojërave Olimpike të Mynihut. Pikërisht në mes të garës, njëmbëdhjetë atletë dhe trajnerë izraelitë – dhe një oficer policie gjerman- u vranë nga komando palestineze e njohur si “Shtatori i Zi”.
« Marka do të vazhdojë të promovojë modelin e saj vintage me fytyra të reja si Jules Koundé, futbollist francez, A$AP Nast, reper dhe kompozitor amerikan, Melissa Bon, muzikante zvicerano-etiopiane dhe Sabrina Lan, modele dhe influencuese kineze që jeton në Berlin « – thuhet në një kumtim tjetër të firmës « Adidas ».
Por bukuroshja me emrin Bella nuk ka ndërmend të ndalet dhe ta gëlltisë këtë fyerje pa lëvizur. Sipas informacioneve nga media amerikane US Weekly, Bella ka punësuar tashmë edhe një avokat për të ndërmarrë veprime ligjore kundër Adidas-it “për mungesën e përgjegjësisë publike” në ngritjen e një fushate që “e lidhte atë me dhunën e kryer gjatë Lojërave të Mynihut të vitit 1972 » ! Modelja beson se është roli i kompanisë të verifikojë paraprakisht ngjarjet historike që rrethojnë fushatën e saj. Bella Hadid pretendon se kompania drejtoi një “fushatë mizore dhe të dëmshme” kundër saj.
Sepse Bella Hadid nuk është dosido. Ajo është sot njära nga manekinet dhe modelistet më të famshme. Në vitin 2022 ajo u cilësua si “modelja e vitit” nga “British Fashion Council » dhe vjet hyri në listën e 100 personaliteteve më influente në botë nga revista amerikane “Times”. Jo më kot ajo fiton mbi 19 milionë dollarë çdo vit.
Sipas mediave amerikane, Bella Hadid nuk e kundërshton drejtpërsëdrejti largimin e saj nga fushata reklamuese. Megjithatë, ajo kritikon Adidas-in për një reference dhe ngatërrim të drejtpërdrejtë me Lojërat Olimpike të vitit 1972 me këto që do zhvillohen në muajin gusht, pa e njohur më parë kontekstin historik. « Adidas » që atëherë ka pranuar se çdo lidhje midis fushatës së tashme të reklamimit të atleteve dhe ngjarjeve tragjike të 1972 ishte “krejtësisht e paqëllimshme”. “Ne kërkojmë falje për çdo dhimbje ose dëm që mund të kemi shkaktuar pa dashje,” saktësoi marka me famë botërore, para se të shtonte se ajo “beson se sporti është një forcë bashkuese në mbarë botën dhe Adidas do të vazhdojë përpjekjet për të mbrojtur diversitetin dhe barazinë kudo që të jetë e mundur” !
Por ajo që nuk është thënë hapur është se qëndrimi politik i modeles 27 vjeçare nuk i ka pëlqyer jo vetëm firmës në fjalë, por edhe shumë më tej. Sepse në Perëndim janë rreshtuar hapur me Izraelin, ndryshe nga pjesa tjetër e botës që mbështet kauzën palestineze.
Por çfarë lidhje ka këngëtarja e famshme shqiptare Dua Lipa me Bella Hadidi-n ?! Ka dhe bile ka shumë. Dhe jo vetëm të fushës politike, por deri edhe njohjeje familjare dhe miqësie të afërt. Dua Lipa po ashtu si Bella është e njohur sot në botën e shoubiznesit si mbrojtëse e kauzës palestineze.
Në tetorin e kaluar, Dua Lipa, ishte një nga shumë artistët që nënshkroi një letër të hapur, duke i kërkuar presidentit Joe Biden të bënte thirrje për një armëpushim në Gaza. Ajo e shpjegoi qëndrimin e saj politik në revistën ‘Rolling Stone’ në muajin shkurt të këtij viti dhe kohët e fundit postoi edhe një mesazh në Instagram me kërkesën për t’i dhënë fund gjenocidit të vazhdueshëm të popullit palestinez nga regjimi izraelit.
“Të digjen të gjallë fëmijët nuk mund të arsyetohet asnjëherë”, – nënvizoi atëhere ylli botëror i muzikës pop. “E gjithë bota po mobilizohet për të ndaluar gjenocidin e Izraelit. Ju lutemi tregoni solidaritetin tuaj me Gazën”, theksoi më tej artistja shqiptare. Ky postim ngjau kur Izraeli intensifikoi operacionet ushtarake në qytetin jugor të Gazës, Rafah.
Në një tjetër intervistë tani së fundmi Dua Lipa ka treguar se është e përgatitur për të marrë përsipër edhe pasojat e qëndrimit të saj si dhe reagime dhe kundërshtime të shumta, pasi i doli në mbrojtje Palestinës.
Siç thamë këngëtarja 28 vjeçare Dua Lipa ka qenë një nga personazhet e famshëm që i kanë kërkuar presidentit Joe Biden të ndihmojë në uljen e krizës në Gaza dhe Izrael. Në tetor ajo dhe të famshëm të tjerë, duke përfshirë Channing Tatum, krijuan një grup të quajtur Artists4Ceasefire.
Të gjithë ata i shkruajtën një letër të hapur Bidenit, ku thuhet se ata janë “bashkuar si artistë dhe avokatë, por më e rëndësishmja si qenie njerëzore që të dëshmojnë humbjet shkatërruese të jetëve dhe tmerret e shpalosura në Izrael dhe Palestinë”. Që atëherë, ajo ka qenë gjithashtu e zëshme në rrjetet sociale duke ndarë postime të ndryshme në mbështetje të Palestinës dhe duke denoncuar operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza.
Duke folur për Radio Times ajo tha se të flasësh për luftën është një ‘vendim i madh’. “Kur flas për gjëra që janë politike, kontrolloj dy herë, trefish veten që të jem OK. Kjo ka të bëjë me diçka që është shumë më e madhe se unë dhe është e nevojshme të tregohem e kujdeshme. Gjithmonë në kësi rastesh do të përballesh me reagime dhe opinione të njerëzve të tjerë, kështu që është një vendim i madh. I pranoj kostot e këtij qëndrimi, sepse në fund të fundit, mendoj se është për një të mirë më të madhe, kështu që jam e gatshëme të marr edhe goditje”, shprehet Dua Lipa.
E bukur, e talentuar, e famshme, e pasur por edhe e mënçur dhe e guximshme – kjo është Dua Lipa, ylli botëror i muzikës me rrënjë shqiptare. Se siç do të shihet dhe provohet edhe më poshtë nuk është e lehtë për këdo që t’i dalë kundër politikës sioniste izraelite. Pasi Izraeli nuk është vetëm Izrael. Ai është i përhapur kudo. Sidomos në Amerikë dhe Francë. Aq sa thuhet se asnjë president amerikan nuk mund të zgjidhet pa mbështetjen e lobit çifut atje prej 6 milionësh! Madje edhe gjatë fushatës për zgjedhjen e Obamës si president i SHBA-ve, pêrkrahësja dhe mbështetsja e tij, dhe mikja e shqiptarëve, Hillari Clinton, siguroi botën se kandidati Obama është mik i Izraelit !
Duke u shprehur edhe për zgjedhjet e shkuara në Britani, Dua pohoi se është një mbështetëse e madhe e laburistëve. “Të qëndrosh pas një lideri të caktuar partie politike ndoshta nuk është rruga që dua të marr. Unë kam mbështetur gjithmonë laburistët, por nuk mendoj se do të dal publikisht pro ose kundër dikujt, sepse politikanët në përgjithësi thjesht do e gjejnë një mënyrë për t’ju zhgënjyer”, pohoi artistja me famë botërore.
Por Dua Lipën e bashkon me Bellën edhe diçka tjetër. Ajo ka qënë për disa muaj girl-friend, e dashura e vëllait të saj, Anwar Hadid. A ka influencuar kjo miqësi në qëndrimet e fundit të Dua Lipës?! Kjo nuk është e sigurt.
Edhe diçka tjetër që lidh dhe bashkon Dua Lipën me Bella Hadid është edhe urrejtja që shfaqin ndaj tyre edhe dy reperë/rrugaçë izraelitë, që në një « këngë » të tyre bëjnë thirrje për vrasjen e Dua Lipas dhe Bella Hadid-it. Kënga e re hit nga reperët izraelitë Ness dhe Stilla është ngjitur në krye të top-listave në Izrael, duke u bërë një himn jozyrtar i luftës së forcave izraelite kundër palestinezëve në Gaza.
E titulluar “Harbu Darbu”, kënga hebraike përfshin thirrje për dhunë ndaj figurave publike që kanë shprehur pikëpamje pro-palestineze, veçanërisht modeleve Bella Hadid dhe Dua Lipa.
“Çdo qen do të marrë atë që i vjen”, këndojnë ata përpara se të listojnë supermodelen Bella Hadid, këngëtaren Dua Lipa dhe ish-yllin e filmave për të rritur, Mia Khalifa.
Të tre kanë përdorur platformat e tyre për të bërë thirrje për paqe dhe një shtet palestinez. Kjo video e publikuar për herë të parë nëntorin e kaluar është shikuar mbi 19 milionë herë në You Tube
Por për të kuptuar se ku kanë shkelur në « dërrasë të kalbur » të dy yjet e shoubiznesit botëror, mjafton të njihemi me një rast tjetër. Kësaj rradhe në Francë.“Një yll tjetër i njohur, kësaj rradhe një këngëtare e quajtur Zaho de Sagazan, bojkotohet nga dy stacione të rëndësishme radiofonike, siç janë « Europe 2 » dhe « RFM »-së pas komenteve të saj ndaj një prezenattori të famshëm i njohur si Siril Hanouna.
Madje mbarë shtypi francez tani po ngre pyetjen : A po paguan Zaho de Sagazan çmimin e deklaratave të saj për Cyril Hanounën? Sepse që kur ajo foli kundër këtij konferencieri të njohur franko/ çifut asaj iu ndalua shpërndarja e këngëve të saj nga këto dy radio të njohura. Sipas informacioneve nga mediat « Closer » dhe « Lë Parisien », këngëtarja franceze është bllokuar nga valët e Radio Europë 2 dhe RFM pasi kishte kritikuar publikisht prezantuesin e kanalit televiziv « C8 ». “
Këngëtarja vuri re me çudi se kënga e saj e fundit “La Symphonie des éclairs” po zhdukej nga valët e radios,,- shkruan « Le Parisien » para se të ngrejë pyetjen : – Është kjo thjesht rastësi apo bojkot i qëllimshëm?!
Edhe Zaho de Sagazan shkruajti në fillim të korrikut në rrjetet e saj sociale rreth zgjedhjeve të parakohshme legjislative që u mbajtën në Francë dy javë më parë. Në atë kohë, këngëtarja mbështeti publikisht Frontin e Ri Popullor dhe vuri në dukje etikën e punës së Cyril Hanouna. “Ky demonizimi i së majtës dhe përkëdhelja e së djathtës ekstreme nga media për javë të tëra, është absolutisht e neveritshme. Forca “Frontit të Ri Popullor”, i cili duhet të luftojë çdo ditë me shpifjet e neveritshme nga pseudogazetarët si Cyril Hanouna”, nënvizoi ajo në faqen e saj në Instagram.
Sa për dijeni e djathta ekstreme franceze është mbështetëse e vendosur e politikës së Izraelit në rajon, ndërsa Fronti i Ri Popullor mbështet luftën e popullit palestinez!
Dhe siç pohojnë “Closer” dhe “Lë Parisien”, pas publikimit të këtij mesazhi, titulli i “Simfonisë së Rrufesë” nga Zaho de Sagazan u zhduk në mënyrë misterioze nga valët e Europë 2 dhe RFM. Ndërsa në muajt e fundit kjo këngë shpërndahej në radio mesatarisht 14 herë në javë në RFM, titulli i Zaho de Sagazan nuk transmetohet më që nga 6 korriku, saktëson e përditshmja franceze. I njëjti rezultat në Europë 2, ku kënga jepej afërsisht 26 herë në javë pak më parë ! Duhet saktësuar se të dy këto stacione i takojnë të njëjtit pronar, që ka në zotërim edhe kanalin televiziv « C8 », ku punon franko/izraeliti Cyryl Hanuna !
Por pas publikimit të artikullit në Lë Parisien, shumë persona i dhanë mbështetjen e tyre artistes franceze. “Zaho de Sagazan është një artiste muzika e së cilës rezonon te shumë dëgjues falë teksteve të saj prekëse dhe melodive unike. Përjashtimi nga programimi muzikor i dy stacioneve kryesore si Europë 2 dhe RFM është një padrejtësi, e cila jo vetëm që prek karrierën e saj, por gjithashtu i privon dëgjuesit nga krijimet e saj frymëzuese”, shkruhet ndër të tjera në platformën e blogut Medium.
Edhe Radio Frankofone Belge (RTBF) bën të ditur me këtë rast se një thirrje për bojkotimin e këtyre dy kanaleve radiofonike është përhapur në internet. “Bojkotimi i Europë 2 dhe RFM është një veprim i fuqishëm që mund të ndërmarrim për të mbështetur Zaho de Sagazan. Duke bashkuar forcat dhe duke përdorur mjetet që kemi në dispozicion, ne mund të bëjmë një ndryshim. Të mos heshtim përballë kësaj padrejtësie. Së bashku të ngrejmë zërin dhe t’i tregojmë Zaho de Sagazanit se nuk është vetëm”, – shkruhet në rrjetet sociale.
Dhe kështu politika dhe deri edhe lufta në Gaza hyn dhe ngatërrohet edhe te Dua Lipa, Bella Hadid apo Zaho dë Sagazan. Sepse disa njerëz nuk kanë lindur vetëm për të mbushur barkun me bukë apo për të vënë verdhushka mënjanë. Përveç talentit, zgjuarsisë dhe guximit ato kanë edhe ideale, kanë edhe një botë të tërë brenda tyre. Lavdi dhe respekt për to.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment