Teoria e luftës kundër « komplotistëve » !

       Kush e udhëheq botën sot ?! Kësaj pyetjeje është e vështirë t’i japësh përgjigje, aq të shumta janë supozimet, hamëndësimet, gënjeshtrat dhe paragjykimet. Në të vërtetë shoqëria njerëzore sot, prej afro 8 miliardë njerëzish, a drejtohet nga ndonjë dorë e padukshme, apo janë vetë njerëzit që e zgjedhin fatin e tyre ?! Kush mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje, pa pasur frikë se gabon ?!

      Ka disa, pa asnjë dyshim të marrë, që thonë dhe besojnë, se bota jonë na u drejtoka nga disa reptilienë, të ardhur kushedinga ku ! Disa të tjerë pohojnë me bindje se jashtëtokësorët jetojnë midis nesh dhe janë ata që na udhëheqin. Në këtë grup gjenden edhe ata që besojnë se Toka është e sheshtë, se Njeriu nuk ka zbritur kurrë në Hënë etj etj. Dikur këta tipa i thërrisnin të marrë apo budallenj, sot i quajnë komplotistë.

       Ne shqiptarët, kemi një shprehje që thotë se « digjet i njomi me të thatin ». Që në rastin konkret do të thotë që në kategorinë e « komplotistëve » futen edhe ata që kanë dyshime thelbësore dhe reale ndaj diçkaje, si psh pranisë së shumë grupeve të fuqishme miliarderësh që përpiqen të kontrollojnë sot shoqërinë njerëzore dhe të ruajnë përjetësisht një rend të caktuar. Dhe pikërisht këta njerëz shpesh i herë i njollosisn me emrin e « komplotistit »! Kështu ngjau psh gjatë pandemisë së Covidit. Një pjesë e njerëzve, “openmind” dhe përkrahës të shkencës, ngurruan në kryerjen e vaksinimit, pasi mendonin se këto vaksina po prodhoheshin shpejt e shpejt, pa prova dhe eksperimente të sakta dhe se ato mund të shkaktonin më tepër pasoja negative se pozitive.

        Kundër këtyre njerëzve, të quajtuar « antivax”, u zhvillua një betejë e pamëshirshme. Ata u konsideruan jo vetëm komplotistë që nuk besonin te shkenca dhe qeveria, por edhe të marrë që besonin se Toka nuk rrotullohej rreth Diellit apo se Kullat Binjake në Amerikë i kishin rrëzuar vetë çifutët !

   Por kjo është gjysma e së keqes. Më e tmerrshmja është nëse ti beson me të vërtetë se bota sot nuk drejtohet nga reptilë dhe ekstraterrestrë, por megjithatë ti shprehesh se kjo botë udhëhiqet nga disa grupe të fuqishme financiare, politike dhe mediatike. Kaq mjafton që menjëherë të të cilësojnë edhe ty si komplotist apo një i marrë që duhet të lidhesh. Dhe për të të ulur akoma dhe më shumë të akuzojnë se me siguri edhe ti beson që njerëzimi drejtohet nga reptilët, se Toka është e sheshtë, se Njerëzimi ka vetëm 10 000 vjet që ekziston etj.etj.

       Dhe kjo ngjan në një kohë kur është e sigurt se sot në botë 2781 veta janë multimiliarderë dhe se pasuria e tyre kap një vlerë prej 14 000 miliardë dollarësh ! Në një kohë kur borxhi i përgjithshëm i mbarë shteteve të botës kap sot shifrën marramëndase të mbi 200 000 miliardë dollarësh !

      Dhe kjo pasuri e këtyre miliarderëve nuk rri e vdekur. Dhe as e depozituar nëpër banka. Me këtë rast duhet vënë në dukje se edhe bankat janë në duart e këtyre miliarderëve, njëlloj siç janë fabrikat, uzinat, pasuritë mbi dhe nëntokësore etj etj.  Kjo pasuri investohet dhe rinvestohet pa pushim, duke sjellë atë që populli ynë e ka përmbledhur aq bukur:”Paraja pjell paranë”!

        Siç thamë këta supermiliarderë nuk zotërojnë vetëm sipërfaqe të pamata tokash të punueshme, fabrikat dhe minierat e metaleve të çmueshme, por  ata e kanë hedhur “vellon “ e tyre edhe te mediat. Sepse duhet të bindësh njerëzit që po jetojnë në “Më të mirën e botëve”! Titull ky i një libri shkruar nga Aldous Huxley më 1932, që shkaktoi një bujë të jashtëzakonshme atëbotë kur u botua. Po kush ishte ideja e librit? Bëhej fjalë për një shoqëri të “përsosur” ku secili kishte vendin e vet… dhe të gjithë ishin të lumtur! Asnjëri nuk mund të mendonte ndryshe. Të gjithë ishin të droguar dhe të bindur që në lindje se gjendja e tyre ishte më e mira e mundshme…

         Veçse kur ndonjë nuk e kishte gëlltitur “drogën” dhe mendonte se ai sistem kishte shumë të meta, atëhere “guximtari” shtypej në mokrrat e sistemit, deri sa të mendonte si “duhej”!  Me një fjalë një “riedukim”.  Në burgje, kampe pune, internime etj etj. Ne nga Shqipëria e njohim mirë këto shoqëri të”lumtura”, kur për një fjalë goje të pamenduar, apo për një kritikë dhe opinion, iknje për dhjamë qeni. Dhe nuk dëmtonje vetëm veten, por edhe gjithë rrethin përqark teje. Lëje pastaj të përpiqeshe të largoheshe nga ajo “parajsë”. Të mohonin edhe prindërit dhe fëmijët! Kuptohet se ndryshe ishin ata që do « paguanin » për ty.

      Kush nuk ka dëgjuar sot për “Bildenbergët”, Davos-in, Sorosin, Charles Schwab, Larry Flink etj etj. A nuk janë ata që kanë në duart e tyre bankat më të fuqishme të botës sot si BlackRock, Vanguard, Rothschild etj etj. Një numër tjetër i madh bankash ndërkombëtare veprojnë  në Kinë, ku gjendet sot edhe numri më i madh i miliarderëve të botës!

       Po ku përplasen dhe ku bashkohen këto grupe të fuqishme ndërkombëtare, me buxhete që ua kalojnë shpesh herë edhe vendeve të fuqishme?! Ndryshe lufta Ukrainë – Rusi a ka të bëjë psh me përplasjen ndërmjet grupimit të dytë të miliarderëve në botë ( Amerikës) me atë të grupimit të pestë në renditje (Rusisë)? Askush nuk e di. Por ajo që dihet është se këta super të fuqishëm nuk rrijnë duarkryq. E para gjë për të cilën ata kujdesen është ruajtja e pasurisë së tyre dhe e rendit ekzistues. Për këtë ata kanë krijuar edhe organizatat e tyre shumëkombëshe që u ngjajnë karteleve të tyre financiare. Siç janë psh Organizata Botërore e Tregtisë, Bashkimi Europian, Banka Botërore,  Fondi Monetar Ndërkombëtar etj etj.

      A kanë të drejtë atëhere “komplotistët” të dyshojnë se kjo botë komandohet nga disa qëndra vendim-marrëse dhe se të tjerët, pra ne, njerëzit e zakonshëm, jemi veç mish për top për disa interesa që e tejkalojnë dukshëm njohjen tonë?!

        Ditët e fundit ishte njëri nga multimiliarderët më të njohur të globit, pikërisht Elon Musk-u i famshëm, që me dashje apo pa dashje, i zbuloi “petët lakrorit”! Pronari i rrjetit social “X”, i veturave “Tesla”, i satelitëve “Starlink” dhe i qëndrës biologjike futuriste “Neuralink”, bëri të njohur se Bashkimi Europian me anë të komisionerit të tij Thierry Breton i ka kërkuar atij të ndryshojë, përshtasë apo ndalojë disa përmbajtje dhe informime në rrjetin e tij social, që i shkaktojnë dëm… kujt?! Në rast të kundërt atij i duhet të paguajë një gjobë të shumëfishtë dhe ndofta mund t’i ndalohet mbulimi i Europës nga rrjeti i tij “X”.

      Por Musk duket se nuk dëgjon nga ai vesh. Sipas tij liri do të thotë që gjithkush të ketë të drejtën të shprehë mendimin e tij të pavarur, pa pasur frikë për pasojat që mund ta gjejnë nga një qeveri apo grupim i fuqishëm! Prandaj “X” i tij do të vazhdojë të lejojë shprehjen e opinionit personal nga kushdo qoftë, pavarësisht se ajo bie ndesh me disa interesa dhe strategji të mirëpërcaktuara!

      Atëhere kush janë komplotistët e vërtetë të kësaj bote?!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment