Një lajm i keq për Kosovën

      Agjencitë e lajmeve bënë të ditur se sot e hënë 22 korrik, Këshilli i Bashkimit Evropian mori vendim për t’ua  hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë. Vendimi u mor në nivel të ministrave të Jashtëm në mbledhjen e fundit të këtij semestri.Me të përfundojnë edhe të gjitha proceset legjislative kushtuar kësaj çështjeje.

       Ky është një lajm shumë i keq për Kosovën. Pasi me anë të këtij vendimi duket se Bashkimi Europian njeh de fakto serbët në veriun e Kosovës, si qytetarë të Serbisë. Por pse duhet dhe a është normale që qytetarët serbë të Kosovës të pajisen me dokumenta të Serbisë dhe këto dokumenta të njihen edhe nga ana e Bashkimit Europian?!

      Se fare mirë serbët e veriut mund të udhëtonin në mbarë Europën me pasaportat e vendit të tyre, pra të Kosovës. Por serbët dihet se nuk kanë pranuar ta njohin sovranitetin e Prishtinës në 4 komunat e Veriut të Kosovës dhe kanë refuzuar të pajisen me dokumentat e shtetit në të cilin ata bëjnë pjesë. Dhe Bashkimi Europian me zemërgjërësi dhe dashamirësi me këtë vendim u thotë atyre: “Ju keni të drejtë. Ju vareni nga Serbia dhe do të udhëtoni tash e tutje në Europë si serbë dhe jo si kosovarë”!

       Me siguri që shumë do të flitet dhe do diskutohet ndër  mediat mbarëshqiptare rreth këtij vendimi. Kundërshtarët dhe armiqtë e qeverisë së Kosovës do të shprehen, duke iu drejtuar qeverisë së Albin Kurtit: “Ja prej jush e mori BE- ja këtë vendim. Se ju na i prishët marrëdhëniet me ta, që kur nuk pranuat asosacionin”!. Dhe lloj lloj marrëzirash të tjera.

      Pasi të hyjë në fuqi – gjë që pritet të ndodhë në ditën e 20-të pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE-së – vendimi do të fillojë të zbatohet në të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Në komunikatën përkatëse thuhet ndër të tjera se: – “Sot, Këshilli i BE-së miratoi një rregullore që siguron se i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash, duke anuluar përjashtimin që aplikohej më herët për mbajtësit e pasaportave serbe, të lëshuara nga Drejtoria e Koordinimit të Serbisë”!

       Pyetja shtrohet: Me çfarë të drejtash Drejtoria e Koordinimit të Serbisë pajis me pasaportat e saj qytetarët e një vendi tjetër?! Tani i bie që edhe qeveria greke të pajisë me pasaportat e saj qytetarët me origjinë greke në Himarë për të udhëtuar edhe ata si grekë nëpër Europë dhe mbarë botën.

        Ndryshe a lejohet që qeveria e Tiranës të pajisë me pasaportat e saj të gjithë qytetarët me origjinë shqiptare në Maqedoni?! Apo ata në Mal të Zi, Preshevë, Bujanovc etj?! A vallë forcohet paqja dhe bashkëpunimi ndërmjet etnive me vendime të tilla ?!

       Procedurat për anulimin e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës me pasaporta serbe nisën në vazhdën e liberalizimit të vizave për Kosovën, nga 1 janari i këtij viti. Me heqjen e vizave për qytetarët me pasaporta të Kosovës, qytetarët që posedonin vetëm dokumente të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë – e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme serbe në Beograd – mbetën të vetmit në rajon që u duheshin viza për të udhëtuar në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. Komisioni Evropian propozoi heqjen e vizave për ta në nëntor të vitit të kaluar. Parlamenti Evropian votoi për këtë çështje në prill të këtij viti, gjë që nxiti reagimin e Qeverisë së Kosovës.

       Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha në nëntor të vitit 2023 se “njohja e këtyre dokumenteve e minon integrimin e komunitetit serb” dhe “i dëmton përpjekjet tona të kahershme për integrimin e serbëve”.

       Tani mbetet që Këshilli i ardhshëm i Bashkimit Europian tua njohë të drejtën e udhëtimit me pasporta të Beogradit edhe gjashtë enklavave të tjera serbe që gjenden të shpërndara në Kosovë. Dhe kjo duket se përbën një vënie në jetë në mënyrë tërthore të « Zajednicës ». Morali i fabulës është i qartë : “Do apo s’do qeveria në Prishtinë, serbët do të gëzojnë të drejtën e ekstraterritorialitetit në shtetin e Kosovës”!

         Kjo është në fakt edhe kuint-essenca e Zajednicës. 25 vjet më parë Perëndimi, gjatë një xhesti të paparë humanitar, çliroi Kosovën nga çizmja serbe. Sot ai po mendon që serbët e Kosovës të mos ndjehen të shtypur nga Prishtina. Dhe po përkrah asosacionin. A duhet dhe a është i drejtë dhe i arsyeshêm ky veprim, për këtë ka mendime të ndryshme.

v.gj.

Lini një koment