Së pari dua të theksoj se kjo fjala « rotacion » nuk më pëlqen fare. Është një fjalë e huaj që ka hyrë në fjalorin tonë politik, njëlloj si fjalët « konsensus », « koalicion » etj. Kur fare mirë për rotacion mund të përdorim fjalët shqipe “qarkullim”, “ndërrim” etj etj.
Para pak dy – tri ditësh ishte ish – presidenti S.Berisha që e përdori këtë fjalë kur i “kujtoi” kryeministrit Rama se edhe Shqipëria ka nevojë për rotacion, siç po ngjan në të gjithë Europën. Dhe pikërisht këtu rreh çekani. A është rotacioni një veprim i detyrueshëm?! A përbën ky ndryshim elitash një provë që demokracia funksionon?! Me një fjalë ky qarkullim a është i detyrueshëm?! Dhe cila është koha kur duhet të kryhet ky ndryshim?!
Kemi shumë shembuj sot në Europë ku qeveritë ndërrojnë njëra tjetrën, pas disa muajsh apo pas një legjislacioni. Kjo dukuri është më e theksuar kur kemi të bëjmë me koalicione apo aleanca të partive të ndryshme që asgjë nuk i bashkon, përveç etjes për pushtet dhe privilegje. Atëhere ngjan edhe fenomeni i njohur si mugesë stabiliteti politik. Por kemi edhe raste të kundërta kur një parti qëndron 16 vjet në pushtet, pasi zgjedhësit janë të kënaqur me punën e saj. Kështu ka ngjarë psh në Gjermani, ku ish-kancelarja gjermane Merkel, ka fituar 4 herë me rradhë zgjedhjet. Apo në Britaninë e Madhe ku për 14 vjet me rradhë kanë qeverisur konservatorët.
Pra vetkuptohet se rotacioni nuk qënka një veprim i detyrueshëm domosdo. Dihet që në vendet diktatoriale nuk kemi as ndryshim qeverie dhe as pluralizëm. Dhe atje rotacioni është thejsht një ëndërr. Dihet po ashtu që Rama po bën 11 vjet në pushtet që nga 2013-ta. Dhe vitin e ardhshëm në Shqipëri do të mbahen zgjedhjet e reja legjislative. Po a do të thotë kjo që tani ka ardhur koha që Sali Berisha të rivijë në pushtet, siç bëri thirrje në mënyrë të tërthortë?!
A duhet të jenë zgjedhësit që duhet të vendosin se kur dhe si do ngjajë ky ndryshim?! Apo do të jenë kryetarët e partive politike të etura për pushtet dhe privilegje?! Se ka një apo disa arsye që e nxisin apo e detyrojnë ndryshimin e pushtetit. Në rradhë të parë kur zgedhësit nuk janë të kënaqur nga puna e qeverisë. Apo kur njëra nga partitë e koalicionit, në rast se qeveria përbëhet nga disa parti, është e pakënaqur nga zhvillimet politike në vend apo edhe nga gjendja e saj brenda kësaj aleance. Pra arsyet janë të shumta.
Ndryshe kur thuhet: Boll qëndruat ju në pushtet, tani është rradha jonë, kjo i bie sikur të thuash: “Boll vodhët dhe u pasuruat juve, tani është rradha jonë të pasurohemi”!
Dihet se qeveria Rama nuk është më e dlirta dhe më e panjollosura. Shumë ministra të saj të rëndësishëm, duke përfshirë këtu edhe ish –zëvendëskryeministrin Ahmetaj, janë përlyer në afera të ndryshme korrupsioni. Të gjithë akuzohen për mit-marrje me synim pasurimin e paligjshëm dhe të paskrupullt. Tendera, koncesione që kryhen nën dorë, grabitje dhe përvetësime sipërfaqe të tëra toke të banueshme apo bujqësore, – janë veç pak nga aferat që kanë plasur sheshit, pa folur këtu për inceneratorët, etj etj.
Rama vetë nuk akuzohet se ka future dorën gjëkundi. Por ai mban një përgjegjësi të madhe për veprimet e vartësve të tij. Që vetë ai i ka zgjedhur kokërr më kokërr. Kryeministri justifikohet duke thënë: “E ku e di unë se çfarë bëjnë ata pas kurrizit tim”! Por nuk është ashtu. Ai mban përgjegjësi, të paktën morale, për zgjedhjet e tij, më së paku të gabuara. A ke të drejtë të thuash se nuk është faji im kur ti ia var vetë ujkut mëlçitë në qafë?! Si spjegohet që atij i zë dora veçse persona të korruptuar?!
A nuk duhet të kalojnë këta persona, që dje nuk i njihte njeri dhe sot janë kthyer në personazhe të jetës politike në vend, në një lloj skaneri, ku të shihet e kaluara e tyre, aftësia, ndershmëria, përkushtimi etj etj. Apo dil në rrugë, kap nga jaka kë të dalë përpara dhe bëje ministër ?! Aq më shumë që shumica e këtyre ministrave njihen si shokë dhe bahkëpunues të vetë kryeministrit !
Në këto kushte njerëzit kanë të drejtën e tyre të pamohueshme të kërkojnë ndryshim. Rotacion vërtet, por me kë ?! Me atë që ka 32 vjet që herë haptazi dhe herë drejtpërsëdrejti i ka hypur në qafë Partisë Demokratike, që nga viti 1991, dhe nuk do të zbresë që andej. Rotacion me dikë që ka shkatërruar gjithçka ishte ndërtuar me gjak dhe djersë gjatë 45 viteve monizëm?! Rotacion me dikë që për pushtetin e tij vrau 4 veta në mes të bulevardit ?! Me dikë që lejoi të hidheshin në erë 26 veta në Gërdec ?! Me atë që frymëzoi dhe mbështeti firmat piramidale më 1997, duke e çuar vendin në kolaps të plotë, saqë u detyruan të vinin forcat e huaja për të rivendosur rendin ?! Dhe ky njeri ka ende sy e faqe të kërkojë rotacion pushteti ?!
E njëjta gjë pothuajse edhe në Kosovë. Opozita kërkon, siç është e drejta e saj, ndryshim regjimi. Po a duhet të largohet Albin Kurti dhe vëndin e tij ta zëjnë ata që mezi presin ta nënshkruajnë « Zajednicën », pra asosacionin, që do të jetë një thikë pas shpine në trupin e drobitur të Kosovës ?!
Pa dyshim që me « aferat » që i kanë plasur në dorë, edhe Rama duhet të largohet. Pasi ai ka edhe shumë mëkate të tjera në kurriz. Siç është psh « dashuria » e tij për Vuçiçin, « Ballkani i Hapur », apo edhe marrëveshjet e fshehta që thuhet se ai ka nënshkruar me Italinë për burimet ujore kombëtare ?!
Por që të ikë Rama, i cili përveç të metave dhe gabimeve, ka bërë edhe shumë punë të mira, dhe vendin e tij ta zërë Berisha, kjo është të vësh duart në kokë. Rama ose duhet të zëvendësohet nga dikush tjetër brenda Partisë Socialiste, ose duhet të zëvendësohet nga një opozitë e re në ide dhe njerëz.
Pra para rotacionit në pushtet, nevojitet një rotacion rrënjësor brenda vetë opozitës. Me xhaketa të vjetra dhe të mballosura mos prit ndryshim regjimi. Populli shqiptar është aq i zgjuar sa të vëjë në balancë të mirat dhe të këqijat e Ramës dhe Berishës. Pra pa një rotacion më parë në opozitë, Rama, me gjithë të mirat dhe të këqijat e tij, do të rrijë edhe 10 vjet të tjera në pushtet.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment