Jetë princeshe

     Kur kemi qënë të vegjël jemi mëkuar gjithmonë me historira princeshash të bukura dhe shpirtnjeriu që keqtrajtoheshin nga ndonjë njerkë zëmërkeqe.  Por për fat do të dilte gjithmonë në fund edhe ndonjë “princ i kaltërt” që do ta shpëtonte princeshën nga thonjtë e njerkës shtrigë. Dhe gjithmonë gjithçka do përfundonte bukur. Tamam si në përralla domethënë.

       Por sot do ju tregojmë për jetën e një princeshe të vërtetë, jo nga ato të 1 001 netëve, por megjithatë për një princeshë arabe dhe orientale.

        Në vendin e saj, në Marok, ajo është njohur me llagapin “princesha fantazmë”, sepse vitet e fundit është parë dhe shfaqur shumë rrallë nê publik. Por Lalla Salma, ish-bashkëshortja e mbretit Mohamed VI, u rishfaq përsëri javën e kaluar, shtatë vjet pas daljes së saj të fundit publike. 46-vjeçarja është parë të enjten më 4 korrik në rrugët e Mykonos me dy fëmijët e saj. Më e pakta që mund të themi është se mbërritja e saj në ishullin grek nuk kaloi pa u vënë re. Princesha marokene mbërriti me dy avionë, dhjetë makina luksoze dhe jo më pak se shtatëdhjetë shërbëtorë !

      Ishulli grek i Mykonos është i famshëm për klimën dhe bukuritë e tij. Por edhe sepse aty të xhvasin. Ka raste psh  kur për një aranxhatë apo Coca Cola të kërkojnë më shumë se 100 euro dhe nuk të lënë të ikësh pa paguar. Por Mikonos ka qenë në qendër të vëmendjes këto ditë edhe nga media rozë perëndimore,  që nga vajtja atje e princeshës Lalla Salma. Kjo e fundit ka mbërritur në ishullin e famshëm grek më 4 korrik për pushime familjare, e shoqëruar nga një grup i rëndësishëm sigurie.

         Sipas kanalit lokal Mykonos Live TV, i cili filmoi mbërritjen e saj, ish-gruaja e mbretit Mohammed VI, udhëtoi me një fluturim të rregullt në vend të një avioni privat mbretëror. Ajo u pasua nga një aeroplan i dytë i cili transportoi të gjitha bagazhet e saj dhe mirëpriti shoqëruesit e saj si dhe 70 shërbëtorët. Stafi i princeshës përfshin truproje, kujdestarë personalë, stilistë dhe kuzhinierë.

        Fluturimi i princeshës lidhi Marokun direkt me Mykonos, pa ndalesën e zakonshme në Athinë. Kur mbërriti, një autokolonë e madhe me makina luksoze e priste. Fotografët dhe mediat e tjera lokale u mbajtën larg derisa princesha Lalla Salma dhe shoqëruesit e saj mbërritën në vilën e marrë me qira buzë detit.

        Dhe siç tregon Mykonos Live TV, u deshën dhjetë makina për të transportuar të gjitha bagazhet e princeshës. Sipas burimeve pranë Lalla Salmës, kjo e fundit ka marrë me vete edhe një sërë mobiljesh dhe objektesh dekorative, pasi “nuk ka qenë adhuruese” e arredimit të derisotëm të banesës.

        Mbretëresha marokene nuk është e vetme në Mykonos. Kur mbërriti, ajo shoqërohej nga djali i saj, Princi i Kurorës, 21-vjeçari Moulay Hassan dhe motra e tij, princesha 17 vjeçare  Lalla Hatixhe. Ato u fotografuan krahpërkrah  duke shëtitur nëpër rrugët antike të Mykonos mbrëmjen e së premtes, më 5 korrik. Treshja  ishte e rrethuar nga shumë agjentë të sigurisë gjatë daljes së tyre në qytet.

      Zgjedhja e destinacionit të pushimeve nga princesha Lalla Salma nuk është befasuese. Kur ajo ishte ende e martuar me Mbretin e Marokut, çifti vizitonte rregullisht Greqinë. Në vitin 2015, ata kaluan psh një javë pushime në rajonin e Ilisë në bregun perëndimor të Mikonos. Për qëndrimin e tyre, sipas shtypit grek, çifti kishte paguar atëhere rreth 5 milionë euro.

       Sipas revistës greke Athens Magazine, edhe Lalla Salma ka investuar 4 milionë euro në një vilë në ishullin Kea në vitin 2017. Dhe në vitin 2019, princesha ka udhëtuar në ishullin grek të Skiathos për pushime me djalin e saj.

       Ish-bashkëshortja e mbretit Mohamed VI nuk ishte shfaqur në skenën publike që nga viti 2017. Hera e fundit që ajo përmbushi një angazhim zyrtar si princeshë ishte gjatë një ceremonie në nderim të artistit Mohamed Amine Demnati. Në vitin 2018, u përhapën thashethemet e para rreth një krize martesore në gjirin e çiftit. Revista spanjolle HOLA!  zbuloi, bazuar në burime ekskluzive gjyqësore, se Lalla Salma dhe Mbreti Mohammed ishin atëhere ndarë pas 16 vitesh martese.

            Mbreti i Marokut do të kishte dashur ta fshihte me çdo kusht këtë divorc. Edhe pse divorci pranohet ligjërisht në Marok, ai përbënte një skandal për familjen mbretërore islame, e cila donte me çdo kusht të dukej e patëmetë në sytë e botës së jashtme. Afërsisht siç ngjau me “princin” tonë Leka me ish-gruan e tij!

          Edhe monarku maroken bëri gjithçka për të mohuar thashethemet për ndarje. “Artikujt që sugjerojnë se familja është ndarë janë të patolerueshme”, reagoi atëhere avokati i tij francez në revistën “Gala”. “Këto thashetheme vijnë nga shtypi i huaj që përhapin informacione të rreme me qëllime dashakeqe. Mohammed VI dhe Lalla Salma mohojnë dhe dënojnë të gjitha këto thashetheme.” – deklaroi atëhere avokati i familjes mbretërore.  Por në vitin 2019, i njëjti avokat konfirmoi (rastësisht ?!) se çifti ishte tashmë vërtet i divorcuar,  duke e cilësuar Lalla Salmën si ish-gruan e mbretit.

       Tërheqja e princeshës më pas nga jeta publike ngriti shumë pikëpyetje. Askush nuk e dinte vërtet se çfarë po ndodhte prapa perdeve. Si pasojë gjatë gjithë këtyre viteve, Lalla Salma është parë vetëm pak herë dhe gjithmonë në rrethana konfuze. Ajo është parë psh në Portofino në Itali, ndërsa më pas është fotografuar me vajzën e saj në një shesh të njohur në Marrakech të Marokut dhe vitin e kaluar është parë në një butik në qytetin maroken të Tanger. Çdo herë, ajo ruhej nga afër dhe nuk lejohej t’iu përgjigjej pyetjeve të gazetarëve.

      Megjithatë situata në të cilën ajo ndodhet vazhdon të ngrejë shumë pikëpyetje. Me ndihmën e princeshës Lalla Zineb, një kushërirë e mbretit Mohammed V, princesha thuhet se ka ndërtuar një jetë krejtësisht të re për veten larg monarkisë. Sipas të përjavshmes marokene Assahifa, asaj iu dha një vendbanim pranë universitetit të Rabatit, i ndërtuar posaçërisht për princin e kurorës Hassan, i cili studionte atje. Po sipas kësaj reviste, Lalla Salma dëshiron gjithmonë të jetojë në Marok për të qenë pranë fëmijëve të saj.

     Që nga divorci Lalla Salma thuhet se është lënë në fatin e saj. Mbreti Mohamed VI gëzon i vetëm kujdestarinë e dy fëmijëve të tyre, megjithëse Lalla Salma lejohet t’i shohë ata rregullisht. “Kjo është një liri e kufizuar, sepse sa herë që princesha dëshiron të largohet nga shtëpia e saj, ajo duhet të marrë autorizimin nga Mbreti Mohammed VI”, bën të ditur revista franceze “Gala”.

      Por deri më tani, të gjitha këto informacione mbeten vetëm thashetheme. Se si është në të vërtetë përditshmëria e princeshës, askush nuk e di. Por të paktën shihet dhe kuptohet se ajo nuk vuan shumë financiarisht. 

      Kjo është vetëm një rrëfenjë nga jeta e mbretërve dhe mbretëreshave, princërve dhe princeshave të sotme. Borëbardha dhe Hirushja me siguri që do i kenë zili.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment