Para më shumë se 100 vjetësh, saktësisht më 1909, u botua për herë të parë libri « Lufta për zjarrin » me autor Joseph-Henri Rosny. Aty tregohet sesi Njeriu i lashtë luftoi me të gjitha forcat për të vënë në zotërim zjarrin, si kusht i mbijetesës, por njëkohësisht edhe i përparimit dhe civilizimit të tij si specie e veçantë. Romani njohu një sukses të jashtëzakonshëm në botën letrare artistike të kohës. Saqë ai u ribotua me dhjetra herë dhe u përkthye në pothuajse shumicën e gjuhëve të botës.
Ndërsa këto ditë kanali i njohur franko – gjerman “Arte” shfaqi një dokumentar special kushtuar nevojës së Njerëzimit për të siguruar burime shtesë të ujit të pijshëm si dhe luftës së nëndheshme që shtetet dhe shumëkombëshet po zhvillojnë për t’i vënë këto burime nën zotërimin e tyre.
Uji përbën sot një treg prej miliarda euroash, prandaj ai konsiderohet sot me të drejtë si « ari blu. Dhe konsumi i tij është rritur mbi 6 herë që nga fillimi i shekullit të kaluar” – bëhej e ditur në reportazhin e « Arte »-s .
Pa ujë nuk ka jetë – pohojnë edhe shkencëtarët. Madje edhe në përpjekjet që shkenca po ndërmerr për të zbuluar mundësi të jetës në planete brenda dhe jashtë sistemit tonë diellor, si kusht i parë vihet prania apo mungesa e ujit. Pak ditë më parë madje u njoftua se është zbuluar një planet me largësi prej 50 000 vite drite larg nesh, ku me shumë gjasa gjendet edhe një oqean i lëngshëm. Astrofizikantët pas këtij zbulimi kanë kaluar pothuajse në ekstazë, pasi është hera e parë që zbulohet pothuajse me siguri ekzistenca e një planeti, përveç Tokës, ku gjendet në sasi të bollshme ujë në gjendje të lëngshme.
Kjo sa për të kuptuar rëndësinë e ujit për jetën sa në planetin Tokë, por edhe në mbarë Gjithësinë. Vendet e zhvilluara kanë kohë që e kanë kuptuar nevojën e pasjes në zotërim të sa më shumë burimeve ujore. Për sot dhe për të ardhmen. Aq më shumë që Toka sot ka hyrën në një periudhë ngrohjeje të paparë. Kontinente, si psh Afrika, apo dhe shtete të tëra si psh India, po vuajnë sot nga mungesa e ujit të pijshëm.
Megjithëse nuk pohohet hapur, zona ujëmbajtëse e Ujmanit në veri të Kosovës, pa harruar këtu minierën e Trepçes, është njëra nga arsyet që Serbia po lufton me të gjitha mjetet për ta rikthyer veriun e Kosovës në xhironin e saj.
Ndryshe Zoti e ka blatuar Shqipërinë me burime të shumta ujore, me lumenj dhe liqene, që i sigurojnë dhe i tejkalojnë nevojat e popullsisë së saj. Aq sa mund të thuhet se Shqipëria ka aq shumë burime ujore, minerale si psh krom, bakër, qymyr, linjit, pyje, naftë etj etj sa vetëm nga shfrytëzimi i tyre shqiptarët mund të gëzonin një nivel jetese që bota t’ia kishte zili. Por vetëm me kusht që këto pasuri të shfrytëzoheshin në të mirën e popullit dhe jo vetëm të disa oligarkëve, që i kanë kthyer këto pasuri publike dhe mbarëpopullore në prona të tyre private, sikur tua kishte falur babai.
Afrika psh njihet për pasuritë e saj të pamata, por popujt atje jetojnë në mizerje sepse këto pasuri janë përvetësuar nga individë të paskrupullt apo edhe shumëkombëshet ndërkombëtare !
Ditët e fundit media shqiptare njoftoi se autoritetet zyrtare në Korfuz po studiojnë mundësinë që në një të ardhme jo të largët ishulli i tyre të furnizohet me ujë nga burimi i « Syrit të Kaltër » në jug të Shqipërisë. Këtë ide e patën para 20 vitesh edhe italianët për zonën e tyre të Pulias, e cila vuan nga mungesa e ujit të pijshëm, por edhe atij për vaditje.
Pot italianët duket se kanë ndryshuar ide. Në vend të « Syrit të kaltërt » ata i janë përveshur punës për të marrë ujin e një lumi të tërë që nga malet e Shqipërisë derdhet në Detin Jon ! Dhe janë duke punuar pa zhurmë dhe pa bujë. « Gojët e këqija » thonë se për këtë qëllim qeveria italiane ka vënë mbi tavolinë 1 miliard euro. Që do të shërbejnë kryesisht për ndërtimin e një ujësjellësi nëndetar që do të përshkojë Detin Adriatik nga Brindizi deri afër Vlorës, ku ky lumë derdhet në det.
Dhe siç ngjan në raste të tilla gjithçka mbahet e fshehur. Madje thuhet se në kontratën e nënshkruar ndërmjet qeverisë shqiptare dhe autoriteteve të rajonit italian të Pulias ka një klauzolë ku nënvizohet se veçantitë e kësaj marrëveshjeje mbeten konfidenciale dhe nuk do të bëhen publike !
Që do të thotë se qeveria do ta fshehë përmbajtjen e kësaj kontrate nga sytë e publikut, ose siç thuhet gjatë fushatave zgjedhore nga « Sovrani » !
Po a ka të drejtë qeveria shqiptare të shesë ujin e një lumi pa pyetur as Kuvendin dhe pa marrë as miratimin e opinionit publik ?! A mos po kthehemi vallë kështu në kohën e Zogut, kur ai i dha Italisë me koncesion të gjitha burimet naftëmbajtëse të vendit ?!
Ndryshe kush mbetet pronar i këtij lumi ?! Për sa vjet do të kenë të drejtë italianët ta konsiderojnë këtë lum si të tyrin?! Sepse të investosh 1 miliard euro, siç thuhet, natyrisht që duhet që ky investim të shlyhet. Dhe po ashtu kush e shfrytëzon sot psh burimin e ujit të Glinës, një ujë natyral i gazuar që ka efekte të dukshme në tretjen dhe tranzitin e ushqimit në organizëm?! Askush nuk e di. Si nuk dihet se kush e shfrytëzon sot kromin, bakrin etj etj. Dhe sa para hyjnë në arkën e shtetit dhe sa në xhepin e oligarkëve nga shfrytëzimi i këtyre pasurive! Heshtje dhe mister total. As shtypi vendas nuk merret me këto çështje. Politika e ditës, VIP-at e shou-biznesit që djegin internetin, ngrejnë temperaturat, emisionet si Për-puthen etj etj zëjnë ballinat e gazetave dhe mediave sot në vend.
Pa asnjë dyshim që uji që derdhet në det, është ujë që shkon kot, prandaj ai duhet shfrytëzuar. Ai ujë mund tu shitet edhe italianëve, por pyetje shtrohet nëse lumi mbetet në pronësi të shtetit shqiptar që ia shet ujin Italisë me tonelata kub, apo ai kthehet në pronë të Italisë, kushedi për sa kohë?
A ka të drejtë një qeveri, kushdo qoftë ajo të shesë apo privatizojë pasuritë kombëtare?! Kjo është çështja. Se Rama e ka “grurë” me Melonin, (një kryeministër gjoja socialist me një kryeministre të ekstremit të djathtë) këtu nuk ka asgjë të keqe, por vetëm të çuditshme! Por kjo nuk do të thotë që Rama ka të drejtë t’ia falë burimet minerale apo ujore Italisë, siç ia ka qejfi. E para gjë nevojitet që kontrata e shitjes apo e dhënies me koncesion, në rast se ekziston, të bëhet tërësisht publike deri në imtësitë më të vogla dhe së dyti ajo, pra marrëveshja, duhet të kalojë nën një debat publik.
Çudi përbën fakti se për këtë çështje opozita nuk ndihet. Sepse ky problem nuk ekziston apo sepse edhe ajo vetë është e përlyer?! Se edhe gjatë kohës së sundimit të saj, gjithçka publike u copëtua, u shit, u rrënua dhe privatizua në lloj lloj duarsh të dyshimta.
Një gjë është e sigurt. Uji përbën për sot dhe të ardhmen një pasuri të veçantë dhe të paçmuar. Si dikur kur luftohej për zjarrin, shtetet dhe kombet shumë shpejt mund të luftojnë për të vënë nën zotërim “arin blu”. Dhe se që tani ai po përbën një shkas për përplasje të tjera gjeopolitike. Prandaj uji duhet vlerësuar dhe trajtuar siç duhet edhe nga qeveria shqiptare, për sot dhe për të ardhmen.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment