Një tërmet 5 ballësh tronditi klasën politike franceze, dje, e dielë 7 korrik. Ngjau ajo që asnjë sonadazh, asnjë analist, asnjë komentator apo specialist i jetës politike franceze nuk e kishte paramenduar : fitoi fronti i partive popullore të majta. Jo se fitoi shumicën absolute të Asamblesë së Përgjithshme të Francës, por se doli koalicioni fitues ndërmjet tre grupimeve politike në garë. Dhe kjo ngjau në një kohë kur të gjithë prisnin të fitonte partia nacionaliste ksenofobe, « Bashkimi Kombëtar » ! Madje specialistët e jetës politike në Francë haheshin dhe ziheshin me njëri – tjetrin nëse « Bashkimi Kombëtar » do të fitonte shumicën absolute apo atë relative ! Me një fjalë do të kishte më shumë se gjysmën e deputetëve në asamble, apo do të dilte vetëm forcë e parë dhe shumë pranë shumicës absolute.
Por nuk ngjau as njëra, as tjetra. Madje kjo parti që i urren myslimanët, që mbështet Izraelin,që i ndan francezët në ata me origjinë dhe ata me letra, që pohon se francezët me dy shtetësi janë gjysëm francezë etj u rradhit e treta në këtë garë! I vetmi ngushullim për të ishte se brenda 3 koalicioneve, partia e saj arriti numrin me të madh të deputetëve, saktësisht 126. Por si koalicion, siç u regjistruan të tri blloqet, ajo zuri vendin e tretë me 143 deputetë. Partia e presidentit aktual E. Macron, « Renaissance » – (Rilindje ) u rradhit e dyta me 98 ulëse, ndërsa koalicioni i tij prej 4 partish fitoi 163 vënde.
Siç thamë vendin e parë me 180 ulëse në Asamblenë Franceze e zuri Fronti i Ri Popullor, i përbërë nga partia socialiste me 64 vende, ekologjistët 33, komunistët 9, të pavarur 3 dhe shumica dërrmuese u fitua nga « Franca e Pamposhtur » me 71 vende e udhëheqësit të së majtës radikale Zhak Luk Melenshon.
Çudia më e madhe ështe se në turin e parë të këtyre zgjedhjeve me sistem maxhioritar fitoi dukshëm « Bashkimi Kombëtar » ! Por kjo bëri që përfaqësuesit e këtij grupimi nacionalist t’i jipnin shumë » gojës », duke zbuluar dashur pa dashur edhe atë çfarë fshihnin brenda vetes. Ndofta deri edhe dëbimin e atyre të huajve me shtetësi të dyfishtë që kryenin vepra të dënueshme në vend. Veçse me këto « vepra të dënueshme » nuk kuptohej mirë se çfarë përfshihej. Francezët emigrantë apo ata me origjinë të huaj nuk e dinin psh nëse zënia pa biletë në metro, apo pjesëmarrja psh në një manifestim të paautorizuar në mbështetje të Palestinës, përbënte apo jo një shkak për dëbimin e tyre?!
Dhe kjo pjesë e popullsisë u tremb shumë dhe u derdh në votime me qëllim që « Bashkimi Kombëtar » të mos fitonte. Por kanë qënë edhe disa VIP-a të shou-biznesit apo sportistë të njohur të kombëtares franceze të futbollit si psh Kilian Mbappe, që bënë thirrje hapur që të dilej e të votohej kundër partisë të « Bashkimi Kombëtar » të Marinë Lë Pen. Madje Mbappe u shpreh se nuk mund ta ndjente veten mirë të përfaqësonte një Francë që do udhëhiqej nga një parti e ekstremit të djathtë. Kaq u desh që « gojët e këqija » të shtonin se Mbappe nuk po luan si duhet futboll këto dy ndeshjet e fundit, pikërisht se « Bashkimi Kombëtar » fitoi në raundin e parë të zgjedhjeve. Dhe kaq u desh që pjesëmarrja në këto zgjedhje të ishte më e madhja që nga viti 1981 !
Por, pavarësisht këtyre thashethemeve dhe supozimeve, arsyeja kryesore që “Bashkimi Kombëtar » zbriti në vendin e tretë është « ndërrimi i portave » që bënë dy grupimet republikane anti Lë Pen, konkretisht Fronti Popullor dhe grupimi « Së bashku » i presidentit Macron.
Pasi duhet ditur se sistemi zgjedhor në Francë mundëson garën edhe me tre kandidatë në turin e dytë, mjafton që ata të kenë fituar afërsisht mbi 10 përqind të votave në raundin e parë. Dhe në raundin e dytë pati mbi 200 ballotazhe me 3 kandidatë. Me një lloj marrëveshjeje ndërmjet të dy palëve u ra dakort që i treti i njërit prej këtyre dy blloqeve do të tërhiqej nga gara në rast se do gjendej para një kandidati të “Bashkimit Kombëtar”.Pra dy blloqet bashkuan forcat dhe u kthyen në një lloj dige ndaj partisë së Lë Pen-it.
Fitorja e Frontit të Ri Popullor, (i vjetri ishte krijuar më 1936 nga radikalët, socialistët dhe komunistët kundër forcave fashiste dhe reaksionare në Francë) është pritur me lehtësim edhe në Bruksel. Pasi fitorja e mundshme e partisë nacionaliste do t’i hapte shumë probleme edhe Europës së Bashkuar.
Por edhe për kombin shqiptar humbja e ekstremistëve të djathtë në Francë përbën një lajm shumë të mirë. Se Marinë Lë Pen jo vetëm që ka dalë shumë herë kundër ndërhyrjes së NATO-s në mbrojtjen e Kosovës, por ajo është shprehur hapur dhe me forcë edhe kundër anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Si përfundim sot Europa ndjehet më e lehtësuar pas këtyre zgjedhjeve problematike në Francë.
Viron Gjymshana

Lini një koment