Që nga viti 1968 kur filloi dhe u zyrtarizua « revolucioni seksual » bota perëndimore ka njohur një liri të paparë përsa i takon marrëdhënieve morale. « Është e ndaluar të ndalosh » – kjo ishte parulla e të rinjve francezë të asaj kohe. Shteti dhe shoqëria hoqi dorë atëhere nga edukimi i njerëzve, sidomos i rinisë. Përparimi ekonomik, rritja e paparë e nivelit të jetesës në vendet perëndimore u shoqërua edhe me një liri morale të pafre, deri në shthurrje. Vajza që vinin të dehura në shtëpi në orët e para të mëngjesit, pasi e kishin kaluar gjithë natën në tymin e duhanit, hashashit, drogës dhe alkolit nëpë diskoteka, – u kthye në një normë jetese ! Vetë prindërit nuk guxonin të tregoheshin autoritarë, pasi mund të akuzoheshin si reksionarë, të prapambetur etj etj.
Nuk ka dyshim se një jetë e tillë pati si pasojë një përhapje të madhe të njerëzve të droguar, sidës dhe sëmundjeve të tjera veneriane, por njëkohësisht kjo jetë dhe kjo liri u shoqërua edhe me legalizimin e së drejtës së abortit, divorcit, bashkëjetesës, homoseksualitetit etj etj.
Një trend i tillë është vënë re këto vitet e fundit edhe në Shqipëri. Gazeta serioze që kanë pothuajse të gjitha rubrikat e tyre rreth jetës « rozë » ose « lifestyle » të VIP-ave. Tituj bombastikë me elozhe si « ajo ngre temperaturat », « ajo guxon » të dalë pothuajse lakuriq, « ajo çmendi rrjetin » etj etj i sheh ngado. Edhe televizionet nuk ngelin pas kur nxitin imoralitetin dhe jetën e shthurrur. Emisione si « Për-puthen », « Big Brother – Vip”, “Portokallia” etj etj një hap i ndan nga pornografia.
Në këtë mënyrë shoqërisë i ofrohen sot modele të vajzave që bëjnë qef në Dubai, në krah të bosëve të krimit që kërkohen nga drejtësia ! Dhe kjo konsiderohet si sukses nga i cili duhet marrë shembull. Por opinioni shqiptar është i ndarë ndaj këtyre sjelljeve që serviren si shembuj për rininë. Disa janë të revoltuar nga kjo shthurrje, ndërsa disa të tjerë i konsiderojnë këto dukuri si shenja lirie dhe përparimi!
Tipik në këtë drejtim është edhe deklarata e këtyre ditëve të fundit e një farë, Nora Malaj, personazh thuhet politik, deri ministre,(!) e cila qënka shprehur se edhe seksi i lirë ishte i ndaluar në kohën e diktaturës. « Çfarë tmerri » ! Malaj ankohej se brezi i ri që jetoi në komunizëm, e kaloi jetën nën një gënjeshtër të madhe, ku edhe raporti seksual ishte turp.
“Ndjej një keqardhje shumë të madhe për të gjithë brezat që e kanë kaluar jetën e tyre në një gënjeshtër të madhe për të imponuar raportin e parë, që quhet raporti intim, për të vazhduar te raporti seksual që ishte turp ta bëje sipas teorisë së Dekameronit. Duhet ta bëjë sipas një tradite të një marrëdhënie që nuk mund ta flisje sepse edhe muret kishin veshë.
Teoria e intimitetit në një mjedis ku kishte disa kurora ishte shumë e vështirë, për ta shijuar raportin jo si vetëm për riprodhim por edhe për kënaqësi. Vajza që duhet të ishte e virgjër kur shkonte të burri, lidhej me një koncept që u rrënjos dhe prishte raportin e parë të intimitetit. Edhe djali e njëjta gjë. Mund të ndodhte që çifti të ishte aq i virgjër saqë dilnin barsoleta që djali pyeste babanë ore si ta bëj”-tregon Nora Malaj. Kjo femër e “përparuar” thuhet se është vajza e njërit prej xhelatëve të ish – sigurimit të shtetit, i quajtur Mark Dodani.
Por jo të gjithë duket se kanë trurin e saj. Madje edhe në Amerikë janë forcuar zërat që kërkojnë tashmë një përmbajtje, një kthim të vlerave tradicionale dhe sjellje të hijshme morale. Në disa shtete të Amerikës psh sot është i ndaluar edhe aborti. Madje te disa grupe të rinjsh me prirje fetare, që njihen si evengjelistë, apo ungjillorë, po përhapet praktika e mbetjes së virgjër deri në martesë, si garanci e besnikërisë bashkëshortore.
Së fundmi një artikull i sapobotuar në të përjavshmen e njohur “Newsweek” duket se i hodhi benzinë zjarrit. “34 vjeçe, e pamartuar dhe pa fëmijë”: ky ishte titulli i artikullit që përshkruan këngëtaren me famë botërore, Taylor Swift, si një “model i keq” për rininë. Shkrim që provokoi duartrokitje nga një palë lexuesish, por edhe zemërimin e një pjese tjetër të opinionit publik amerikan. “Gratë nuk duhet domosdoshmërisht të martohen dhe të kenë fëmijë për tu konsideruar si modele të mira.” – shkruajtën disa lexues.
“Nëse ndikimi i saj në fushën muzikore dhe ekonomike është i jashtëzakonshëm, ndofta duhet të vihet në dyshim ndikimi i Taylor Swift në fusha të tjera”, nënvizon John Mac Ghlionn, autori i artikullit në fjalë. “Për më tepër, a është ajo një model i mirë për vajzat e reja në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë saj? Artikuj të panumërt pretendojnë se ky është rasti. Unë do të doja ta kundërshtoja këtë – shkruan kolumnisti.
“Një model, sipas përkufizimit, përbën dikush që e admirojmë dhe duam ta ndjekim dhe imitojmë. Dhe ndërsa talenti muzikor dhe zgjuarsia e Swift-it janë të admirueshme, duhet të pyesim veten nëse zgjedhjet e saj personale janë ato që motrat dhe vajzat tona duhet të aspirojnë”, vijon eseisti, i cili e ka zakon të shkruajë artikuj opinionesh për mediat.
Më pas ai flet për jetën dashurore të këngëtares. “Ajo tashmë ka pasur marrëdhënie me të paktën një duzinë burra,” shton ai. “Në disa mënyra kjo mund të pasqyrojë jetën e dashurisë së shumë vajzave të reja, por gjithashtu ngre pyetje për stabilitetin e familjes, përkushtimin dhe vetë dashurinë. A duhet t’i inkurajojmë vajzat që të ndjekin këtë shembull? A do të donte një prind që e vajza e tyre e dashur të dilte me 12 burra të ndryshëm brenda pak vitesh? Ky nuk është një sulm ndaj Taylor Swift. Është thjesht një pyetje legjitime” – nënvizon ai.
Dhe nuk përbëri fare çudi që editoriali ngjalli reagime të shumta në rrjetet sociale, me përdoruesit e internetit që nxorën në pah tonin e tij seksist. “Asnjë burrë nuk është akuzuar ndonjëherë në media si ‘model i keq për djemtë’ sepse është ’34 vjeç, i pamartuar dhe nuk ka fëmijë’- vunë në dukje përkrahësit e moralit të lirë. Newsweek duhet të ketë turp që e publikon këtë ide”, nënvizuan disa të tjerë në rrjetin social X.
“Vajzat e reja nuk kanë nevojë të aspirojnë për martesë dhe fëmijë”, vëren një lexues tjetër. “Personalisht, nuk më intereson Taylor Swift, por ka modele më të këqija se dikush që padyshim punon shumë dhe është i pavarur financiarisht, ndërsa gjithashtu bën donacione të mëdha për të ndihmuar të vobektit.”
“Të jesh 34 vjeç, të jesh beqar dhe të mos kesh fëmijë është një zgjedhje, jo një dështim. T’i detyrosh të gjithë të futen në të njëjtin kallëp “tradicional” është një shkurtore arkaike dhe mizogjine” – nënvizuan disa të tjerë!
Mesa kuptohet liria e pakufishme individuale, e drejta për të bërë çfarë të duash, hedonizmi i shfrenuar etj përbëjnë për disa qëllimin e jetës. Ndërsa disa të tjerë nënvizojnë faktin se morali dhe vetëm morali e dallon Njeriun nga kafsha!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment