Megjithëse popull i vogël shqiptarët kanë pasur shkrimtarët dhe poetët e tyre të dashur. Këta artistë të mëndjes dhe shpirtit janë shquar sidomos për lidhjet e tyre me Atdheun dhe me jetën e njerëzve. Çajupi, Asdreni, Migjeni, Patro Marko, Sterjo Spase, Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, Naim Frashëri, Jeronim de Rada, Mihal Grameno, Gjergj Fishta dhe plot të tjerë bëjnë pjesë në Panteonin e përjetshëm të figurave të shquara kombëtare. Të cilët populli shqiptar nuk do t’i harrojë kurrë.
Sot, 1 korrik 2024, kësaj kurore të praruar, iu shtua edhe një yll tjetër i pashuar , që ka shndritur si askush më parë në konstelationin e figurave më të shquara të kombit shqiptar. Ai që nga shumëkush është konsideruar si shkrimtari më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. Dhe padyshim edhe më i njohuri në botë.
Kadareja ka pasur adhuruesit e tij të shumtë, por edhe kundërshtarë jo të pakët. Dhe ndërsa talentin dhe artin e tij të të shkruarit nuk e vinte kush në dyshim, shkrimtari është kritikuar këto 30 vitet e fundit për marrëdhëniet e tij të dyzuara me regjimin diktatorial të Enver Hoxhës. Romani « Dimri i madh » apo edhe poema e tij « Pashallarët e kuq » ose ndryshe “Pse u mblodh Byroja Politike në mesditë », janë cilësuar si monumente që shkrimtari i ka ngritur diktatorit.
E vërteta është se Kadaresë i është dashur të përshtatet me kohën. Ndofta edhe sepse ashtu edhe ka qënë brumosur dhe edukuar. Sepse shkrimtari i lindur në vitin 1936 nuk kishte njohur sistem tjetër. Ai u formua gjatë sistemit komunist dhe nën frymën ideologjike të kohës e quajtur realizmi socialist. Suksesi i tij brenda dhe jashtë vendit nisi me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Romani dëshmonte se si armiqtë dhe pushtuesit kanë lënë kockat në vendin tonë.
Edhe romani tjetër i tij “Kështjella” psh u prit shumë mirë nga kritika e kohës. Si dhe nga regjimi. Se ai fliste për një kështjellë të rrethuar nga turqit, dhe për heroizmin e banorëve të saj që luftonin për lirinë e tyre. Kjo rrëfenjë i vinte për shtat edhe ideologjisë së kohës. Shqipëria si shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut, që i bënte ballë me sukses rrethimit imperialisto – revizionist!
Shpesh herë ai ka kujtuar me nostalgji 2 vjetët e studimeve të tij në ish- Bashkimin Sovjetik, vajzat e bukura dhe të afrueshme ruse, izbat dhe samovarët si dhe stepat e pafund të atij vendi. Ndryshe nga Petro Marko, Sterja Spase, Mitrush Kuteli e të tjerë që kishin rrahur edhe rrugët e Romës dhe Parisit, Kadareja kishte mbetur noslagjik i kafe “Florës”te rruga e Durrësit.
Magjithatë a duhet kryqëzuar Kadareja se i ka pasë shërbyer, me dashje apo pa dashje, diktaturës?! A do të ishte Shqipëria më e lirë, më e bukur dhe më njerëzore pa Kadarenë?! Në asnjë mënyrë jo! Kadareja, sidomos për rininë e viteve 1970, ishte si një lloj fari që u ndriçon rrugën lundërtarëve, si një lloj ylli polar. Romantizmi dhe patriotizmi i tij ka frymëzuar mbarë rininë e asaj kohe. Dhe më vonë.
Largimi i Kadaresë nga vendi, në fillimet e proceseve demokratike, shkaktoi sa çudi, por po aq edhe keqardhje, duartrokitje, kritika dhe moskuptime. Njëri nga autoritetet morale të asaj kohe, disidenti i njohur Adem Demaçi, e kritikoi ashpër Kadarenë për “dezertimin” e tij, në një kohë që ai i duhej më shumë se kurrë vendit.
Por duhet kuptuar se që prej kohësh Kadareja kishte filluar të kishte rezervat e tij jo të vogla ndaj regjimit diktatorial të asaj kohe. Rezerva dhe kritika që ai kishte filluar t’i shprehte në mënyrë alegorike edhe në romanet e tij. Siç ishte psh “Pallati i ëndrrave”, që i kaloi kritikës dhe vigjilencë së Partisë veç prej emrit dhe reputacionit që shkrimtari i madh kishte krijuar brenda dhe jashtë vendit.
Historia dhe nacionalizmi përbënin po ashtu boshtin e veprave të Kadaresë gjatë kohës së socializmit. Por edhe më pas, sidomos gjatë luftës së Kosovës. Atëhere zëri i Kadaresë shpërtheu fuqishëm në mbarë botën politiko – mediatike perëndimore. Janë të paharuara shkrimet e tij në mbrojtje të kauzës së shqiptarëve të Kosovës në të përditshmet francez “Le Monde”, “Liberation” dhe në ato të vendeve të tjera europiane deri në shtypin amerikan.
Afërsisht si ngjau me periudhën diktatoriale, edhe qëndrimi i shkrimtarit shqiptar ndaj zhvillimeve demokratike dhe udhëheqjes së asaj epoke ishte po aq i dyzuar. Nga një mbrojtës i flaktë i ndryshimeve demokratike, ai pak nga pak filloi të largohej nga politika e asaj kohe. Kjo sidomos pas “vitit të mprapshtë (shprehje e tij kjo) 1997”. Deklarata e fundit që mbahet mend nga Kadareja është shprehja e tij para disa muajve se “Shqipëria po jeton sot kohët e saj më të mira”!
Edhe jeta e Kadaresë, si e çdo njeriu, ka qënë mbushur me shpresa dhe zhgënjime, me suksese dhe dështime, por sidomos me lavdi. Ai psh punoi dhe sakrifikoi shumë, deri edhe reputacionin e tij, për të fituar çmimin “Nobel” në letërsi. Gjë që nuk e arriti dot për mijëra arsye. Madje disa keqdashës e lidhin largimin e tij nga vendi pikërisht me etjen për të fituar këtë çmim të madh. Ndofta pikërisht edhe për këto arsye kundërshtarët e tij nuk kanë ngurruar ta cilësonin atë si “Shkrimtar i madh, Njeri i vogël”.
Kadareja iku kësaj rradhe përfundimisht. Sepse ai “iku” një herë, siç thamë, edhe më 1990-tën. Largimi i tij në atë kohë u njoftua edhe te gazeta “Zëri i Popullit”. Ndryshe nga si ishim mësuar, për Kadarenë në gazetë atë ditë u shkruajt veçse : “Kadareja iku”. Zakonisht në këto raste përdoreshin shprehjet, “armiku i popullit u arratis” etj etj. Kësaj rradhe regjimi, i cili kishte filluar të jepte shpirt, u tregua më cinik dhe më gjakftohtë. Edhe librat e tij nuk u hoqën nga qarkullimi. Shumë veta shkonin në ato ditë në Bibliotekën Kombëtare dhe kërkonin si rastësisht ndonjë libër të Kadaresë si për tu bindur se ato vërtet nuk ishin ndaluar.
Kësaj rradhe “ikja” e Kadaresë është pa kthim. Siç shkruajtëm edhe më lart, ai iu bashkua sot konstelacionit të plejadës më të lavdishme të figurave të shquara të kombit shqiptar.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment