Mos u çudisni. Edhe në Belgjikë ka mjekë që kërkojnë të paguhen nën dorë !

            Skandali u bë i ditur nga gazeta flamande belge « Het Laatste Nieuws », më e madhja dhe më e njohura në vend. Ishte vetë kjo gazetë që hetoi dhe intervistoi rreth 36 pacientë dhe punonjës të spitaleve belge. Sipas fakteve të publikuara nga kjo e përditshme, këtë të premte 28 qershor, shpesh herë mjekët kërkojnë të paguhen me para të thata në dorë, ngandonjëherë deri disa mijëra euro, para se të hyjnë në sallën e operimit. « Ndryshe ne fitojmë më pak edhe se një hidraulik » shprehen ata, sipas gazetarëve Emilie Paice dhe Mathias Bertrand, që  investiguan këtë çështje.

        Sipas tyre kjo është një praktikë e rëndomtë në rrethin e kirurgëve. Madje këta mjekë të propozojnë edhe një ulje çmimi nëse ti i paguan cash !

      Gjithshka nisi para 2 vjetësh kur pacienti Noah kontaktoi një kirurg për të operuar djalin e tij që vuante nga një lloj mastiti. Ai atëhere vuri re se shumë kirurgë kërkonin të paguheshin me para të thata nën dorë. Madje njëri prej tyre i kishte kërkuar 3 000 euro ! Më pas ishte vetë ai që duhej të operohej në shpinë. Edhe atëhere mjekët i kërkuan para të thata. “Për më shumë nuk më dhanë as edhe një dëftesë për këto para”! – ankohet Noah që e konsideron një veprim të tillë si një padrejtësi të madhe. “Aq më shumë që unë rimbursohem nga shërbimet sociale, pra nuk kishte nevojë të paguaja nga xhepi” – thotë ai.

      Një tjetër pacient, i quajtur Xhef, është ndeshur me një praktikë të tillë gjatë një konsulte në spitalin “Maria Middelares” të qytetit Gand, ku ai donte të kryente një operacion të syve me rreze lazer.

     « Mjeku më bëri të ditur se operacioni kushtonte 3.300 euro dhe nguli këmbë disa herë me rradhë se unë duhej ta paguaja cash. Sipas Xhef-it, mjeku u justifikua se ai kishte nevojë për këto të holla për të paguar qëndrën e shërbimeve lazer, sepse rembursimet arrinin me vonesë !

       Operacioni do të kryhej në një klinikë private, por trajtimi para dhe pas operacionit mund të kryhej edhe në spitalin publik! – theksoi ai.  Nga ana e tij spitali, i pyetur rreth këtyre praktikave që bien ndesh me ligjet, bëri të paditurin dhe theksoi se pagesa duhet të kryhet gjithmonë në formë elektronike dhe jo në cash.

      Sipas Françis Adyns, punonjës në shërbimin publik financiar, nuk është e ndaluar të paguash me të holla në dorë, në qoftë se shuma nuk i kalon të 3 000 eurot. Por në shumë raste, këto pagesat nën dorë, shërbejnë për t’iu shmangur taksave dhe detyrimeve financiare nga ana e mjekëve, – pranon  zyrtari i tatimeve.

     Sipas së përditshmes belge, janë 36 pacientët dhe punonjësit e spitaleve të shpërndarë sa në Flandër, aq edhe në Bruksel, që dëshmojnë rreth këtyre allishverisheve. Që të gjithë dëshmojnë se shpesh herë mjekët u kanë kërkuar para nën dorë gjatë operacioneve estetike, por po ashtu edhe për ato të gjirit, stomakut apo syve.

     Dukuri e veçantë është fakti se këta mjekë i shtyjnë pacientët drejt kabineteve të tyre private ku ata mund tu kërkojnë para cash pa u shqetësuar shumë.

      Sofia, dëshmon nga ana e saj, të ishte ndeshur me këtë zakon kur çoi djalin e saj për ta operuar. « Djali im kishte nevojë për një operacion te nofullat, « maxio-facial, pasi vuante nga prognathismi. Mjeku i kishte kërkuar 1 000 euro cash nëse ajo donte që operacioni të kryhej para provimeve të shkollës. Sofia, që punonte vetë në sektorin shëndetësor, nuk u habit nga kërkesa e mjekut. « Unë kam dëgjuar për këto praktika edhe nga pacientë të tjerë », pohoi ajo.

       Sipas gazetës « Het Laatste Niewus » janë katër kirurgë, emrat e të cilëve ndeshen sa herë që bëhet fjalë për veprime të tilla. Njëri prej tyre, që punonte në spitalin e Vilvordit, u kërkonte pacientëve që gjysmën e pagesës ta kryenin te spitali publik dhe gjysmën e mbetur te klinika e tij private !

      « Kjo është një praktikë e njohur dhe e ditur, sidomos në kirurgjinë plastike », – pohon nga ana e saj Veronika, një infermiere e vetëpunësuar, që shërben në shumë spitale të Brukselit. Pacientët që duan të përmirësojnë psh pamjen e tyre, kërkojnë të takohen me mjekun kirurg që përpara operacionit, për t’i lënë në dorë zarfin, – thotë ajo.

        Olivia, një ish – infermiere, tregon se në spitalin ku ajo punonte, një kirurg e kishte bërë zakon që një të katërtën e shumës ia kalonte shërbimeve sociale, ndërsa tre të katërtat e mbetura i paguheshin atij nën dorë. Dhe nënqoftëse pacientët nuk i kishin paratë me vete, ata ktheheshin në shtëpi pa iu kryer shërbimi- shprehet ajo ende e revoltuar.

       Aisha, një ish- punonjëse në spital dëshmon rreth operacioneve të kataraktit në sy. «  Ngandonjëherë, ditën e operacionit, pacientët na pyesnin nëse duhet tua jepnin atyre të hollat në dorë ? Por ne nuk ishim në dijeni fare » – thotë ajo.

     Po si është emundur që praktika të tilla të mos denoncohen, qoftë nga pacientët, qoftë nga infermierët apo punonjësit e tjerë të spitalit ?! – pyesin të çuditur gazetarët belgë. « Është shumë e thjeshtë, – përgjigjet Veronika. Mjeku është superior në detyrë në krahasim me ne. Dhe nëqoftëse ne do i bëjmë ndonjë vërejtje, ju mund të jeni të sigurt që të nesërmen do mbeteni pa punë”!

 Ndërkohë, Michel Deneyer, zëdhënës pranë Universitetit privat të Brukselit, nënvizon se kur një mjek kërkon të paguhet cash, këtu ka diçka që nuk shkon. « Pacientët nuk duhet të tregohen kokulur ndaj mjekëve të paskrupullt. Urdhëri i Mjekëve po merret me këto raste, por edhe vetë pacientët që ndeshen me dukuri të tilla duhet të informojnë me përparësi inspektorët ekonomikë pranë Shërbimit Publik Financiar, që dukuri të tilla të mos përsëriten më » thekson ai.

        Pavarësisht këtyre rasteve që përbëjnë një shmangie nga rregulli, shërbimi mjekësor në Belgjike dallohet për korrektesë dhe nivel të lartë profesional. Por mediat vendase hetojnë dhe nuk lejnë të kalojë as edhe një rast abuzimi me shëndetin apo paratë e qytetarëve.

                                             Viron Gjymshana

Lini një koment