Ka dy – tre ditë që në një nga të përditshmet më të respektuara të Tiranës, ka nisur një debat rreth bashkimit të mundshëm apo jo kombëtar dhe rreth rolit të Ramës, Albinit dhe të huajve në këtë proces. Janë dy publicistë, konkretisht Fatos Tarifa dhe Sadri Rambaja, që kanë përplasur heshtat, idetë dhe pikëpamjet e tyre kundërshtuese në faqet e kësaj gazete. Duke hequr ujin e tepërt, citimet e panevojshme të figurave botërore, që sikur duan të theksojnë « kulturën » e debatuesit, ajo që mbetet ka të bëjë me mundësinë, kohën, dëshirën dhe nevojën e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, problemin e Mitrovicës, Zajednicën serbe etj etj.
Dikush e vë theksin te pamundësia hë për hë e këtij bashkimi, meqë ai bie kundër dëshirave të diplomacisë ndërkombëtare, ndërsa tjetri flet rreth përpunimit të një platforme të një federate të ardhshme Shqipëri – Kosovë.
Këto ide kanë më shumë se 25 vjet që ziejnë dhe turbullojnë politikën kombëtare. Prandaj edhe nuk paraqesin ndonjë risi të veçantë apo të jashtëzakonshme. A duhet që Kosova t’i bashkohet Shqipërisë si pjesë e shkëputur padrejtësisht nga trungu kombëtar, apo bashkimi duhet të kryhet nëpërmjet krijimit të një federate apo konfederate ?! Shqiptarët duhet të ndjekin shembullin e bashkimit të dy Gjermanive, apo atë të Gjermanisë me Austrinë ose atë të Konfederatës Zvicerane ?! Këto janë disa nga tezat dhe antitezat e rihedhura në qarkullin nga dy analistët e sipërpërmendur. Secili prej tyre ka argumentat dhe kundërargumentat e veta, dhe prandaj do të përpiqem modestisht të shpreh edhe një herë tjetër opinionin tim për një çështje me një rëndësi kaq madhore për mbarë kombin shqiptar.
Si fillim më duhet të pohoj se dikur, kur punoja te Shërbimi Shqiptar i radios gjermane « Deutsche Welle », kam qënë mbrojtës i vendosur i bashkimit kombëtar. Por sot mendoj se tani për tani duhet të mbetemi 2 shtete vëllezër. Kosova ka krijuar dhe po e forcon identitetin e saj të veçantë dhe klasën e vet politike gjatë këtyre 25 viteve lirie dhe demokracie. Në këto kushte Shqipëria duhet veçse të rikthehet në mbrojtësen më të zëshme dhe më të zellshme të interesave të Kosovës, pa u imponuar, pavarësisht se kush udhëheq atje.
Politikat e tashme të Ramës ndaj Kosovës janë kryekëput të gabuara. Ai po dëgjon më shumë botën sesa Prishtinën. Ndryshe Tirana nuk ka nevojë për urdhra dhe këshillime nga Prishtina se si ajo duhet të veprojë me këtë apo atë vend, por njëkohësisht ajo duhet të mbrojë në maksimum interesat e Kosovës dhe ta mbajë sa më larg Serbinë. Në fund të fundit Shqipëria nuk është fqinje me Serbinë. Si nuk është as me Hungarinë dhe as me Rumaninë! “Ballkani i Hapur” ishte pothuajse një tradhti e Ramës ndaj Kosovës, pasi ai e ndërmorri këtë hap pa u këshilluar, të paktën formalisht, me qeverinë në Prishtinë.
Kur them dy shtete vëllezër kuptoj heqjen e kufirit në Morinë, të njëjtat tekste shkollash në të dy vendet, duke filluar nga Abetarja e përbashkët, tregti pa dogana për mallrat e prodhuara në Shqipëri dhe Kosovë. Dhe 100 për qind dogana për mallrat e prodhuara në Serbi apo Greqi etj etj.
Ndryshe edhe Kosova bëri një gabim gjigand kur formoi kombëtaren e vet të futbollit. Veprim të cilin edhe Serbia e përkrahu! Ne duhet të kishim sot një kombëtare të vetme, tërësisht kuq e zi, me qeleshet tona karakteristike. Ku të bëheshin bashkë lojtarët nga Prishtina e Tirana, nga Shkupi dhe Podgorica dhe nga mbarë diaspora. Ky do ishte edhe një mesazh i yni ndaj mbarë botës se shqiptarët janë një komb. Por kosovaro-centristët mendonin dhe vepruan ndryshe. Pra fajet në marrëdhëniet Shqipëri – Kosovë gjenden te të dy kampet.
Tash për tash qeveria e Kosovës po vepron me guxim dhe drejtësi kundër politikës së asosacionit të kërkuar me këmbëngulje nga Beogradi. Dhe Rama po gabon përsëri duke iu kundërvënë qëndrimit parimor dhe të guximshëm të Albin Kurtit. Por edhe ky i fundit duhet ta respektojë më shumë luftën e lavdishme të UCK-së dhe luftëtarët e saj.
Duke pritur apo duke ëndërruar bashkimin kombëtar qeveritë shqiptare në të dyja anët e Drinit duhet të shtojnë dhe forcojnë bashkëpunimin dhe bashkërendimin në të gjitha fushat. Kështu psh duhet të ndërmerren disa iniciativa, nisma, dypalëshe që nuk kërkojnë shumë mund dhe nuk bien në kundërshtim me politikat ndërkombëtare. Siç mund të jetë një kampionat i përbashkët futbolli ose një festival mbarëkombëtar këngësh dhe vallesh etj etj.
Shqiptarët qoftë në vendin amë, qoftë në Kosovë duhet ta harrojnë sot Titon, Rugovën dhe Enverin dhe të ndjekin një politikë të re nacionaliste dhe sovraniste. Amerika , Anglia dhe Gjermania duhet të ndigjohen, por deri në një farë mase. Interesat kombëtare duhet të jenë parësore si për Tiranën, ashtu edhe për Prishtinën.
E ardhmja e bashkimit kombëtar dhe forma e këtij bashkimi duhet vendosur më vonë me anë të referendumeve në të dyja vendet, me pëlqimin edhe të Fuqive të Mëdha. Prishtina, njëkohësisht, duhet tua bëjë të qartë si miqve ashtu edhe armiqve, se në rast të prekjes së kufirit të saj shtetëror, si mund të ngjasë psh me veriun e Mitrovicës, atëhere ajo ruan të drejtën e padiskutueshme të bashkimit me Shqipërinë.
Dhe deri atëhere duhet të veprojmë në miqësi dhe bashkërendim si dy shtete vëllezër.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment