Ne që tashmë mund të quhemi pa frikë « brezi i vjetër », e kemi njohur, provuar dhe vuajtur në kurriz sistemin komunisto- enverian. Me të gjitha mprapshtitë dhe të mirat e tij relative. Te mprapshtitë rradhis diktaturën e Njëshit, mungesën e lirisë së shprehjes së opinionit, sundimin e partisë unike në pushtet, mospërfilljen ndaj nivelit të jetesës së shumicës së popullsisë, etj etj. Te të mirat : një sistem shëndetësor falas, i pranueshëm për nivelin e vendit në atë kohë, një arsim i gjithështrirë që formoi një aradhe të tërë intelektualësh në të gjitha fushat e jetës, një përparim i paparë në ndërtimin e veprave gjigande, ndërmarrjeve dhe fabrikave etj etj. Pra kishte për të marrë dhe për të lënë.
Njëkohësisht po në atë kohë ne u « ushqyem » me propagandën e partisë së asaj kohe se kapitalizmi ishte sistemi më i keq në historinë e njerëzimit, se aty njeriu për njeriun ishte ujk etj etj. Ndofta te ky « edukim » i gjen sot edhe rrënjët e shndërrimit të shqiptarëve në banditë dhe kriminelë, në të korruptuar dhe deri në vrasës me pagesë ! Sepse ndofta njerëzit edhe sot kujtojnë se në kapitalizëm duhet të bësh të 100-tat që të bëhesh i pasur. Se asgjë nuk ka më shumë vlerë se paraja. Se secili për vete dhe Zoti për të gjithë e të tjera si këto. Se ky është kapitalizmi.
Dhe më pas vendin e diktaturës e zuri anarshia.Shkatërrimet pasuan ndërtimet. U vodh, u grabit, u shit për një euro, u privatizua e gjithë pasuria kombëtare.Ne nuk ishim në gjendje të kuptonim se demokraci do të thotë « diktaturë e ligjit» dhe jo e një partie apo e një personi. Ky është edhe ndryshimi kryesor ndërmjet diktaturës dhe demokracisë. Në demokraci duhet të zbatohet ligji i njëllojtë për të gjithë. Në diktatura ka ligj, por edhe Maliq. Dhe Maliqi te ne thirrej Enver dhe ligji ishte « Sigurimi i Shtetit » !
Pikërisht se ata që u vunë në krye të lëvizjes demokratike, komunistë të paepur, nuk i njihnin parimet demokratike, Shqipëria dhe shqiptarët përfunduan aty ku përfunduan. Te thirrja e forcave të huaja për të rivendosur rendin në vend dhe te operacioni humanitar « Pelikani » që do i ushqente njerëzit që të mos vdisnin urie. Pasojat e asaj epoke dhe atij mentaliteti të rrënjosur nga komunistët/ antikomunistë të atëhershëm duket se vazhdojnë edhe sot.
Pikërisht këto ditë opinioni publik shqiptar u trondit nga disa fakte që dolën në shesh rreth korrupsionit që sundonte te Ministria e Shëndetësisë, sidomos te spitali Onkologjik. Doktorë që i zhvatnin pacientët. Që kryenin operacione pa qënë nevoja. Që shisnin ilaçet që i takonin spitalit publik te privati! Mjekë që shkatërronin aparaturat disamilionëshe që pacienti ta braktiste spitalin publik dhe të shkonte te klinika private. Apo pacientë që merrnin vetëm gjysmën e dozës së parashikuar, me synimin që gjysma tjetër t’i kalonte privatit! Me një fjalë spitali publik ishte shndërruar në një lloj rrjete që shërbente vetëm për të zënë peshkun – pacient, i cili pastaj detyrohej të shkonte te klinika private e mjekut që punonte te të dy këto institucione njëkohësisht legalisht! Në këtë rrjetë përfshiheshin sekserët ndërmjetës, mjekët dhe deri drejtorë spitali.
Këto veprime kriminale, me pasoja vdekjeprurëse për jetën e pacientëve, dëshmojnë jo vetëm për një ndërgjegje të zezë të bluzave të bardha, që për nga natyra duhet të jenë humane, por edhe pën një mugesë të plotë ndershmërie dhe një korrupsion që i ka përhapur metastazat e tij në mbarë vendin.
Bërja e njohur e këtij skandali dhe jehona që pati në publikun shqiptar sigurisht që nuk i vajti fare për shtat kryeministrit të vendit. I cili nuk le rast psh pa përshëndetur popullin me kartolina, nuk lë rast pa shprehur tifozllikun e tij për Juventusin dhe Melonin dhe plot mëndjelehtësira të tilla. Por heshtje varri për këtë skandal. Rama po rri si mumje.Sigurisht që nuk i ka ardhur mirë që ky skandal u bë publik dhe mesa duket do të ndëshkojë ata prokurorë trima dhe të ndershëm që e zbuluan këtë qelb dhe ia bënë të ditur mbarë opinionit kombëtar.
Kjo është njëra çështje. Tjetra është se si mund t’i thërrasim këta – mjekë monstra ?! Si duhet t’i dënojmë ?! Dhe a do dënohen ?! Se mjekët apo edhe gjykatësit, (edhe këta të fundit të molepsur deri në grykë nga korrupsioni) përbëjnë edhe shyllat ku mbështet sistemi liberalo – kapitalist.
A nuk është shpallur Berisha « non grata » nga Amerika ?! Dhe më keqja që e gjeti atë është se e sheh botën nga penxherja dhe televizioni, dhe ha e fle me gruan në shtëpinë e vet ?! Rama që ka dënuar me burg edhe të varfër për mos pagim dritash, a do i dënojë këta vrasës të maskuar nën veladonin e mjekut ?! Asgjë nuk është më pak e sigurt. E sigurt është se ai është strukur dhe mbyllur te kryeministria si murgu në manastir !
Ky kapitalizmi – komunist në Shqipëri na doli më i keqi nga të gjithë. Se në kapitalizmin e vërtetë ka ekzistuar edhe humanizmi dhe solidariteti.Ka pasur gjithmonë psh murgesha që u janë dedikuar falas më të vobegtëve. Ka pasur zengjinë filantropë që kanë ndërtuar spitale dhe shkolla falas për më të varfrit. Ndërsa në Shqipëri hibridizimi midis komunizmit dhe kapitalizmit ka krijuar një njeri – monstër që nuk ka krim që nuk bën për të fituar para. Shembulli i mjekëve flet qartë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment