Franca – si laborator politik i Europës së nesërme ?!

       Në historinë saj Franca shpesh herë është gjendur në pararojë të zhvillimeve politike dhe sociale të kontinentit europian. Mjafton të kujtojmë Revolucion jakobin të 1789 si dhe Komunën e Parisit më 1871.

         Histori që duket se do përsëritet përsëri këto dy javët e ardhshme. Siç dihet më 30 qershor dhe 7 korrik atje do të mbahen zgjedhjet legjislative të parakohshme. Pas fitores tronditëse të partisë nacionaliste dy javë më parë gjatë zgjedhjeve për Parlamentin Europian, presidenti Macron në një lloj sfide shpalli zgjedhjet e reja.

         Fitoret e ekstremit të djathtë sot në vendet e Bashkimit Europian nuk përbëjnë më lajm. Finlandë, Suedi, Austri, Hollandë – në të gjitha këto vende partitë e ekstremit të djathtë bëjnë pjesë në qeveri. Në Spanjë dhe Portugali ato janë rritur ndjeshëm gjatë 2-3 viteve të fundit.  Në Itali ato formojnë të vetme shumicën qeveritare.

          Por rasti i Francës është disi i veçantë. Sepse ajo, së bashku me Gjermaninë, përbëjnë bazamentin e Bashkimit Europian. Që do të thotë se nëse Franca tronditet apo rrëshket drejt ekstremit të djathtë, lëkundjet do të ndjehen në mbarë Europën.

       Por Franca përbën edhe një rast tjetër të veçantë. Aty po përplasen jo vetëm 3 blloqe politike, por njëkohësisht 3 ideologji që po trondisin botën. Sepse opinioni publik francez është i ndarë sot në tre grupime të mëdha,  ku secila prej tyre përfaqëson një ideologji të vetën.

        « Bashkimi kombëtar » duket se përbën sot forcën më të fuqishme politike në vend. Kjo parti është pasardhëse e « Frontit Nasional » që në shqip përkthehet si  « Balli Kombëtar ». Është një parti në rritje të pandalshme. Dukuri që dëshmon se popujt apo zgjedhësist sot në Francë apo edhe në mbarë Europën po i kthejnë krahët politikave që janë ndjekur në vendet e tyre që pas Luftës së Dytë Botërore, por sidomos që pas vitit 1989 !

        « Bashkimi Kombëtar » është një formacion politik krejtësisht nacionalist dhe ksenofob. Që do të thotë se lufta kundër emigracionit të ligjshëm apo të paligjshëm përbën shtyllën e tij kurrizore. « Përparësi vendasve » është parrulla e tij kryesore. Po ashtu ky organizëm dallohet për urrejtje të hapur ndaj myslimanëve. Presidentja e tij, Marinë Lë Pen, ka dalë hapur edhe kundër sulmeve të NATO_s ndaj Serbisë, dhe po ashtu edhe kundër pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

       Në fushën e politikës ndërkombëtare « Bashkimi Kombëtar » ndjehet i afërt me politikat e ish presidentit amerikan Trump dhe apo ashtu konsiderohet si një mbrojtës i vendosur i politikave të qeverisë izraelite në Gaza dhe mbarë Palestinën.Ndërsa qëndrimi i tij ndaj konfliktit Ukrainë- Rusi është i dyzuar. Ndihmë financiare dhe me armatime për Ukrainën, por asgjë më shumë. Armëpushimi është fjala e tyre kryesore.

      Përballë tyre gjendet formacioni i të majtës tradicionale, socialiste, ekologjiste, komuniste dhe i LFI-së, parti e ekstremit të majtë. Kjo aleancë është formuar kryesisht për tu transformuar në një lloj dige kundër ekstremit të djathtë, por brenda tyre ka shumë dallime dhe ndryshim ideologjike. Një pjesë është hapur antikapitaliste. Një pjesë tjetër është më e moderuar. Ky formacion, sidomos LFI-ja është shprehur hapur në mbrojtje të kauzave të popullit palestinez.

     Në mes të tyre gjendet formacioni politik i presidentit Emanuel Macron. Kemi të bëjmë këtu me një parti liberale, globaliste, mbrojtëse e tregut të lirë dhe qarkullimit  pa pengesa të njerëzve, mallrave dhe ideve.

      Sipas sondazheve më të fundit partia nacionaliste antiemigracion dhe anti-myslimane « Bashkimi Kombëtar » mund të renditet e para në zgjedhjet e dy të dielave të ardhshme. Duket se një pjesë e mirë e francezëve duan tashmë një shtet autoritar, që t’i mbrojë nga krimi ordiner dhe i organizuar. Ata po ashtu mendojnë se në Francë ka shumë emigrantë të huaj, sidomos myslimanë, që u kanë zënë shtëpitë sociale dhe vendet e punës vendasve. Të huajt akuzohen nga kjo parti edhe si shkak i pasigurisë dhe kriminalitetit të lartë. Në fushën ekonomike ajo është kundër globalizmit, tregtisë së lirë dhe për forcimin e ekonomisë prodhuese në vend.

    Të majtët nga ana e tyre duken si më humanistë. Ata dëshirojnë të taksojnë më të pasurit, sidomos shumëkombëshet, që këto vitet e fundit kanë siguruar fitime marramëndase.

     Ndërsa partia e presidentit, që mendohet se do dalë e treta në këtë fushatë zgjedhore, akuzohet se është përgjegjëse, së bashku me qeveritë paraardhëse, e mbylljes në vend të shumë fabrikave dhe uzinave, për rritjen e borxhit publik që i ka kaluar sot 3 000 miliardë eurot ( !) etj etj.

Pra në Francë sot shpalosen hapur tri ideologjitë që përshkojnë sot edhe mbarë Europën. Ajo nacionaliste dhe kundër të huajve që ka si bosht të politikës së saj : « vendasit të parët ».  Ajo antikapitaliste dhe ekologjike e përfaqësuar nga Fronti i Ri Popullor dhe partitë e qëndrës, që mbrojnë politikat liberale dhe mondialiste të tregjeve të lira.

     Të ndarë në tri grupe që gjithçka i ndan dhe asgjë nuk i bashkon është shumë e mundshme që më 8 korrik Franca të gjendet para një paradoksi ku asnjë parti nuk do të ketë fituar dot më shumë se gjysmën e  577 deputetëve të Asamblesë së saj kombëtare që nevojiten për të qeverisur vendin !

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment