Të gjitha parashikimet e bet – mejkërve flisnin për një fitore të lehtë të Belgjikës ndaj Sllovakisë. Pasi luante njëri nga ekipet më të mira në botë, Belgjika, e cila këto vitet e fundit nuk ka zbritur asnjëherë poshtë vendit të 5-të në klasifikimin e FIFA-s, me Sllovakinë, që renditej në këtë klasifikim e 48-ta.
Por ngjau ajo e papritura. E paparashikueshmja nga të gjithë specialistët e futbollit. Sllovakia fitoi 1 me zero. Ishte Davidi që fitoi kundër Goliathit. Sllovakët hynë në lojë të vendosur të tregonin atë që dinin dhe mundnin. Dhe pas hezitimeve të minutave të para, që mund t’i kushtonin shtrenjtë, shënuan golin e tyre të parë dhe të vetëm të fitores, që pa kaluar minuta e dhjetë ! Duhet pranuar se ishte një gol i bukur, i shënuar me inteligjencë dhe elegancë.
Dhe çudia e çudirave, ata nuk u tërhoqën dhe nuk u mbyllën në mbrojtje, pavarësisht se luanin kundër një ekipi të madh dhe me eksperiencë. Asnjë ndjenjë inferioriteti apo frike nuk u vu re tek ata. Madje për pak ishin duke shënuar edhe golin e dytë, por vetëm pritja spektakolare e portierit, e shpëtoi ekipin belg nga një humbje më e thellë.
A e meritonin belgët këtë humbje? Me siguri që jo. Ata luftuan, u përpoqën, vrapuan dhe djersitën që të paktën të merrnin një barazim. Po nuk ia arritën dot. Dukej se nuk ishte dita e Belgjikës. Ose Belgjika e sotme nuk është më ajo e disa viteve më parë. As në kampionatin botëror, luajtur dy vjet më parë në Katar, nuk shkëlqeu.
Por synimi i këtij shkrimi nuk është aq shumë të analizojmë shkaqet e humbjes së Belgjikës, por të vëmë në dukje se edhe një vend modest në futboll, është në gjendje të luajë dhe fitojë me dinjitet edhe para një ekipi më të madh në emër dhe famë.
Pikërisht ajo që i mungoi ekipit shqiptar në ndeshjen me Italinë. Sigurisht që Italia bën pjesë në « tigrat » e futbollit të sotëm, por faktet kanë dëshmuar se edhe një ekip modest si psh Maqedonia, mund të marrë një barazim në fushën e axurrëve.
Por ekipi shqiptar nuk e pati dhe nuk tregoi ndonjë shpirt luftarak ndaj kundërshtarit. Dhe megjithëse shënoi që në minutat e para, me një gol gjysëm të dhuruar, u mbyll i tëri në portë përgjatë 60 minutave presioni dhe vuajtjeje. Sa për lojtarët, aq edhe për spektatorët e shumtë që kishin mbushur stadiumin e Dortmundit si dhe atyre që e ndiqnin ndeshjen me të rrahura zemre nga televizori.
Vuajtëm edhe kësaj rradhe nga sëmundja jonë e përjetshme : – ndjenja e inferioritetit. Dukej se në kokën e lojtarëve ishte ngulur ideja që të mos turpëroheshin, por që të mundeshin me një rezultat sa më të ngushtë të mundshëm. Dhe ia arritën me « sukses » këtij objektivi.
Shkurt dhe drejt : e respektuam shumë më tepër se e meritonte Italinë. Edhe jashtë fushës bëmë « djalin e mirë ». Ndërkohë që policia gjermane njoftoi se kishte arrestuar rreth 50 huliganë italianë të pajisur me thika dhe kapuçë, të gatshëm për tu përleshur me tifozët shqiptarë !
Jo se duhet të silleshim si ata. Por politika dhe sporti janë gjëra të ndryshme. Nuk do të thotë që meqë e kemi kryeministrin tifoz të Italisë dhe mik me Melonin edhe ne si spektatorë duhej të silleshim si qëngja brenda dhe jashtë stadiumit ! Sikur të mos mjaftonte kjo, doli edhe një i marrë që u fut në mes të fushës, që të dukej edhe ai !
Si shqiptarë që jemi nuk ka nevojë as të këndonim edhe ne himnin italian. Na mjafton i yni. Por nuk kishte nevojë as ta fishkëllenim. Ne jemi ne, ata janë ata. Nuk bëhesh dot europian, po nuk qe krenar se je shqiptar !
Po le të kthehemi edhe një herë tjetër te ndeshja Belgjikë – Sllovaki. Kjo ndeshje duhet tu tregojë lojtarëve tanë si dhe dhe trajnerit se si duhet të luajmë karshi çdo kundërshtari. Sado me nam dhe i fuqishëm të jetë. Maroku psh bëri një figurë jashtzakonisht të mirë gjatë botërorit në Katar dy vjet më parë. Ai ekip nuk pa se me kë po luante, por i vuri gjoksin çdo ndeshjeje, edhe kundër “të mëdhenjve”.
Këtë duhet të bëjmë edhe ne në ndeshjen e rradhës ndaj Kroacisë. Një tjetër ekip i madh dhe me eksperiencë ndërkombëtare. Duhet pranuar se shorti nuk u tregua fare dashmirës me Shqipërinë e vogël. Të biesh në një grup me gjigandë si Spanja, Italia dhe Kroacia është një fat i keq dhe i pamëshirshëm.
Sidoqoftë dhe pavarësisht të gjithave me Kroacinë duhet të vëmë zemrën në fushë. Duhet të mendohet se edhe me një barazim kemi ende pak shanse të zëjmë vendin e tretë dhe të futemi në grupin e katër skuadrave që do u bashkohen 12 ekipeve fituese.
Sepse vendi i tretë mund të jetë edhe punë golavarazhi. Që do të thotë se me pak fat, (ndryshe nga shorti), të kualifikohemi. Sepse sot ne jemi me një golavarazh (- 1), ndërsa Kroacia e ka (- 3). Në rast barazimi me Kroacinë, ky golaverazh nuk ndryshon. Në ndeshjen e fundit do të ndeshemi me Spanjën, ndërsa Kroacia me Italinë. Në rast se ne humbim me Spanjën me dy gola dhe Kroacia humbet me Italinë me 1 gol, jemi ne që falë golaverazhit zëjmë vendin e tretë. Dhe ndofta kualifikohemi.
Por pavarësisht të gjithave duhet të lozim me zëmër. Taktika mbyllu në portë dhe prit që kundërshtari të gabojë që të marrësh topin, nuk të çon larg. Aq më shumë që nuk shquhemi për kundërsulmues të rrezikshëm. Në fund të fundit më e keqja që mund të na ngjasë është të skualifikohemi që në turin e parë. Si 7 ekipet e tjera europiane që do marrin valixhet dhe do kthehen në shtëpi. Dhe kjo nuk është aspak turp kur ke parasysh se me kë ke rënë në grup! Është sukses i madh për ne që po marrim pjesë, për herë të dytë, në këtë eveniment të madh sportiv.
Sidoqoftë ndofta ia vlen të marrim pak shembull edhe nga Sllovakia. Sa për të mos u konsideruar si “hirushja” e këtij kampionati.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment