Tubimet e Ramës në diasporë dhe shembulli i hershëm kroat

    Nuk ka asnjë dyshim se takimet e kryeministrit Rama me diasporën shqiptare në Athinë dhe Milano u mirëpritën dhe u përshëndetën nga emigracioni shqiptar në mbarë Europën. Ishte kjo një gjetje e zgjuar e të parit të qeverisë së Tiranës. Ishte gjetje e zgjuar se Rama në këto dy qytete të rëndësishme të kontinentit tonë u prit jo si një udhëheqës politik, por sikur të ishte një Mesia apo një profet.

        Emigrantët shqiptarë, panë tek ai dikë që do u vinte nderin në vend, që do u thoshte ta mbanin kokën lart se ata ishin europianë si gjithë të tjerët. Se nuk kishin bërë asnjë turp. Se sakrificat e tyre kishin dhënë fryt. Se tani nuk ishte më koha e “fshesës” dhe e denigrimit të bashkëkombasve tanë. Se ata me punën dhe sakrificat e tyre i kishin bërë vend vetes në vendet pritëse. Ku jo çdo gjë për ta ishte e shtruar me lule. Përkundrazi. Rrugëtimi i tyre ishte shpesh herë i mbushur me frikëra, pasiguri, mëdyshje dhe jo rrallë edhe me shfrytëzim, përbuzje, nëpërkëmbje etj etj. ishte me një fjalë një rrugë e shtruar me hithra.

      Rama me këto dy takime bëri atë që askush më parë nuk e kishte bërë. Politikanët shqiptarë edhe kur kishin vajtur nëpër buzuqet e Greqisë ku ishin takuar me anëtarët e diasporës, e kishin ndërmarrë këtë veprim më shumë duke menduar për përfitimet elektorale që do kishin në Tiranë, sesa për hallet e emigrantëve. Ata si dhe një pjesë e popullsisë shqiptare emigracionin e kishin parë dhe trajtuar si një lopë që duhej mjelur. Asnjë investim, asnjë mbështetje morale, materiale apo financiare për ta. Ata normalisht shiheshin nga duart. Sa para dhe mall po sillnin.

      Por Rama vajti me një tjetër mesazh. « Ju jeni tashmë qytetarë europianë të këtij vendi. Ngrijeni kokën » ! Ky ishte mesazhi prekës që i pari i qeverisë shqiptare u drejtoi bashkëkombasve të tij në Itali dhe Greqi. Mesazh që bëri jehon deri edhe te shqiptarët e Amerikës, Kanadasë etj. Kur foli për emigracionin si një praktikë botërore, Rama la të nënkuptohej se edhe « zotërit » e tashëm të vendit, disa dhjetvjeçarë më parë ishin sjellë si shqiptarët pas viteve ’90.

      Sepse e vërteta është se edhe italianët, edhe grekët, pa folur këtu fare për anglezët, irlandezët, francezët, spanjollët etj etj prej shekujsh i kanë rrahur rrugët e emigracionit. Pa pyetur shumë se çfarë mendonin vendasit që pak nga pak do të çfaroseshin, do të diskriminoheshin, do të internoheshin nëpër rezervate të caktuara dhe do të vuanin aparteidin në vendin e tyre të lindjes.  Edhe shumë prej syresh ndoqën rrugën e « pionierëve » të parë të « Far West »-it të famshëm, deri në vitet ’20 të shekullit të kaluar.

      Ndërsa shqiptarët që morën rrugët e emigracionit, nuk shkuan në këto vende me topa apo mosketa, por vajtën si njerëz të vuajtur dhe të varfër që kërkonin veçse një jetë më të mirë te fqinjët e tyre të kamur. Njëlloj si italianët dhe grekët që e rrahën emigracionin drejt Amerikës, Kandasë, Belgjikës dhe Australisë deri në vitet 1960.

      Prandaj Rama u prit aq ngrohtësisht nga bashkatdhetarët e tij, që ndofta prej 30 apo vetëm prej 3 vitesh jetojnë dhe punojnë në vendin që ia ka pranuar.

       Dhe siç thamë edhe më lart nisma e Ramës u mirëprit se ishte hera e parë që një kryeministër shqiptar përhapte dhe mbronte mesazhe të tilla në mes të diasporës shqiptare.

      Por kjo nismë nuk duhet të mbetet me kaq. Është detyrë e shtetit shqiptar të kujdeset për emigracionin e tij jashtë vendit. Dhe ka ardhur koha që raporti të përmbyset. Nuk duhet të jenë më vetëm emigrantët që duhet të bëjnë për Shqipërinë, por duhet të jetë edhe vendi i tyre që duhet të ndihmojë dhe mbështesë emigracionin e tij.

       Kur një emigrant shqiptar psh paraqitet në ambasadën e vendit të tij në Paris, Bruksel, Vienë etj etj ai nuk duhet pritur me këmbët e para. Ose më keq akoma me përbuzje si refugjat hesapi. Jo. Ai është po aq shqiptar sa edhe zyrtarët me kollare të ambasadës. Por ndryshe nga këta të fundit që i kanë zënë këto zyra të ngrohta në kryeqytetet e vendeve europiane në sajë të politikanit të lartë që kanë pasur mik, « refugjatët » janë mbështetur veçse te forcat e tyre individuale.

      Shpesh kanë fjetur edhe poshtë urave, kanë ngrënë në mencat sociale, të planifikuara për « closharët » dhe të pastrehët vendas, por siç vërtetoi edhe koha, me forcat dhe vullnetin e tyre sot emigrantët shqiptarë kanë një punë, një aktivitet, një shtëpi në pagim e sipër dhe nuk kanë aspak nevojë t’i përshpirten « agait të ri » në Shqipëri apo politikanëve të korruptuar. Ata kanë çarë me forcat e tyre dhe pa asnjë ndihmë.

       Dhe pikërisht këtu rreh çekani. Shqipëria e shkatërruar, e drobitur, e rrënuar e viteve 1991 – 1997 as që e kishte mëndjen të ndihmonte atëhere diasporën e saj në botë. Për shqiptarët e mbetur në vend, të « ikurit » kishin dalë në « selamet ». Ata tani gëzonin gjithë të mirat që ka Perëndimi !

        Aq më shumë që Shqipëria, ndryshe nga të gjitha vendet e tjera të Europës Lindore, përjetoi atëhere një kataklizmë të vërtetë ekonomike, sociale dhe politike. Aq sa në vend erdhi misioni « Alba » i Bashkimit Europian për të rivendosur rendin !

     Me mentalitetin e asaj kohe, mendohej se mjaftonte të largoheshe nga vendi dhe  « Marlborot », « Benzat » etj etj të prisnin te dera. Shumë vonë u kuptua se « rehatimi » në Perëndim i ngjante « Gurit të Sizifit » ! Do të ngrihesh dhe do rrëzoheshe pa fund deri sa të gjeje vendin tënd. Sidomos kur nuk kishe kënd të të jepte dorën.

     Ishte kjo një përvojë e hidhur dhe e dhimbshme, sidomos për emigrantët shqiptarë. Se jo të gjithë emigrantët e ish vendeve të Europës Lindore përfunduan si shqiptarët. Së pari se ata e njihnin pak a shumë mentalitetin dhe jetën e botës perëndimore. Dhe jo si shqiptarët që kanë qënë pothuajse historikisht të shkëputur nga kultura, praktika dhe qytetërimi perëndimor. Dhe e dyta, shpesh herë emigrantët sllovenë, polakë, hungarezë etj kishin disa « çanga » ku mund të mbaheshin kur migronin në dhé të huaj.

      Rasti i kroatëve është sa konkret aq edhe bindës. Mërgata e vjetër nacionaliste kroate u vu në atë kohë menjëherë në shërbim të bashkëkombasve të tyre të sapovajtur te ta. Ata i ndihmonin me këshilla, me përvojën e tyre. U spjegonin ligjet dhe mundësitë që edhe të sapoardhurit ta “kapnin” veten. Të mos përfundonin bordurave apo trotuareve me drita të kuqe. Siç ka ngjarë me shumë vajza shqiptare.

      Kjo mërgatë sapo merrte vesh se një bashkombas i saj gjendej në aksh shtet dhe qytet dërgonte menjëherë atje një përfaqësues të saj të merrte kontakt me emigrantin e sapoardhur. Duke i treguar si vendasve, por edhe vetë të interesuarit, se ai nuk ishte vetëm dhe se kishte një organizatë që kujdesej për të. Shembulli i kroatëve të kujtonte praktikën qindravjeçare të çifutëve në Europë që në kushtet e përndjekjes dhe holokaustit ndihmonin dhe mbanin njëri – tjetrin.

       Dhe pikërisht ky solidaritet u ka munguar shqiptarëve në atë kohë. Madje disa nga mërgata e vjetër i shihnin të porsavajturit me dyshim. Ndofta si përkrahës deri vonë të sistemit komunist.

      Pikërisht kjo sjellje dhe kjo praktikë duhet të ndryshojë sot. Përveç fjalimeve të bukura patriotike qeveria shqiptare duhet ta organizojë diasporën e saj në vendet perëndimore. Krijimi i një qëndre kulturore – patriotike  mund të jetë minimumi që mund të ndërmarrë sot qeveria shqiptare për të mbajtur lidhjet me diasporën. Që ndër të tjera mund të shërbejë edhe për t’i integruar dhe përshtatur emigrantët e rinj në jetën e vëndit pritës.    

      Dhe ky mision nuk duhet tu lihet individëve të dyshimtë, por dueht të jetë një nismë shtetërore. Jo më kot përmendëm rastin e çifutëve. Ata kanë shkolla, radio, gazeta dhe qëndra kulturore në  mbarë vendet ku jetojnë, që mbahen, financohen dhe vëzhgohen që nga Tel Avivi.

       Pra ka ardhur koha e veprave. Vetëm fjalimet patriotike, sado ngashëruese të jenë, nuk mjaftojnë. Aq më shumë që Shqipëria sot po njeh një fllad të ri. Shumë turistë europianë  duan tashmë ta vizitojnë këtë perlë të panjohur deri më sot. Dhe ku më mirë se në një qëndër kulturore shqiptare ata mund të njihen dhe informohen rreth mundësive dhe itinerarit të turizmit në vendin tonë?!

       Pra dhe si përfundim mund të themi se me vizitat dhe tubimet e Ramës në Perëndim, kapitulli nuk është mbyllur. Përkundrazi ai sapo është hapur. Shteti shqiptar nuk duhet të mbetet “sehirxhi” ndaj diasporës së tij në Europë dhe Amerikë. Përkundrazi ai duhet të përveshë mëngët, të investohet dhe të jetë i pranishëm çdo ditë në jetën e mërgimtarëve shqiptarë kudo në botë.  

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment