Përse partitë e ekstremit të djathtë po « pushtojnë » Europën ?!

        Po të perifrazonim Manifestin e Marksit do të duhej të shkruanim : “Një fantazëm po sillet në Europë, fantazma e fashizmit”! Sepse me të vërtetë Europa e sotme po i ngjan gjithmonë e më shumë Europës së viteve ’30 të shekullit të kaluar. Të asaj kohe kur Musolini dhe Hitleri morën fuqinë në dorë dhe e futën njerëzimin në Luftën e Dytë Botërore.

       Tani janë disa parti në Europë që për nga idetë dhe programet u ngjasin shumë partive të dikurshme fashiste dhe naziste. Madje disa parti të ekstremit të djathtë bëjnë pjesë tashmë edhe në qeveritë e disa vendeve perëndimore, si psh në Suedi dhe në Finlandë. Shumë shpejt shembullin e tyre do e ndjekë edhe qeveria e re e Hollandës, ku një parti  nacionaliste, prosioniste, antiemigracion dhe antimyslimane po bëhet gati të marrë pjesë në qeverisje.

       Por më e keqja dhe më e frikshmja është “yryshi” që kanë marrë këto parti edhe në vende të tjera si në Francë, Spanjë,Belgjikë, Portugali, Poloni, Austri etj.Të gjitha këto parti që pritet të forcohen ndjeshëm dhe të dominojnë në zgjedhjet e 9 qershorit për Parlamentin Europian kanë si karakteristikë të përbashkëta skepticizmin ndaj BE-së, që ato shpresojnë ta ndryshojnë “nga brenda”, luftën kundër globalizmit si dhe uokizmit (Woke), grupimeve LGBTQIA+, urrejtjen ndaj emigrantëve dhe myslimanëve, etj.

       Të gjitha këto lëvizje deklarohen hapur sot kundër politikës së ndjekur në vendet europianoperëndimore gjatë këtyre 30 viteve të fundit, siç janë globalizmi, qarkullimi i lirë i njerëzve, mallrave dhe ideve,tregtia e lirë dhe pa dogana, shpërnguljet e teknologjisë dhe fabrikave aty ku krahu i punës është më i lirë etj etj. Ndryshe këto parti në fushën ideologjike dhe sociale konsiderohen si konservatore, deri reaksionare. Ato janë në favor të mbrojtjes së familjes tradicionale, të ruajtjes së Europës si një kontinent i bardhë dhe i krishterë etj etj.

     Pra kemi të bëjmë pothuajse me dy këndvështrime të kundërta të zhvillimit të shoqërisë sot. Nga njëra anë “shoqëria e hapur” e ideuar dhe e mbrojtur nga Xhorxh Soros dhe kompani ku tregjet mbizotërojnë mbi shtetet dhe kombet dhe nga ana tjetër rryma që vënë në plan të parë nacionalizmin dhe kombin si dhe mbrojtjen e vlerave tradicionale në shoqëri, kulturë, art, arsim etj.

      Po si u erdhi puna deri në këtë ditë ?!  Sipas shumë specialistëve dhe ekspertëve fajtori ka vetëm një emër : ai quhet liberalizëm. Liberalizëm në të gjitha fushat, qoftë ekonomike, tregtare, sociale etj. Gjatë këtyre 30 viteve, që pas përmbysjes së komunizmit, europianët u ndeshën me një emigracion pothuajse të paparë dhe të pakontrolluar. Me prejardhje sidomos nga vendet arabo/myslimane  si dhe nga Afrika. Dhe bëhet fjalë për disa miliona veta që e morën me « sulm » Europën.

        Kjo dyndje e papërmbajtur u shoqërua me një transferim të paparë të teknologjisë dhe uzinave dhe fabrikave drejt vendeve ku krahu i punës ishte deri 30 herë më i lirë se në vendet perëndimore. Si pasojë u shtua dukshëm edhe papunësia. Si rrjedhim për të ruajtur të njëjtin nivel jetese si më parë dhe po ashtu dhe për të ulur pakënaqësinë e banorëve vendas, qeveritë perëndimore filluan të marrin borxhe pa fund, duke rënduar kështu buxhetet e shteteve të tyre. Shembulli negativ i Greqisë përbëri për europianët e thjeshtë një paralajmërim dhe po ashtu një tabllo sa të frikshme aq edhe  domethënëse se ku mund të të çojë marrja e borxheve.

         Europianët po ashtu konstatuan se një pjesë e « të ardhurve » nuk kishin fare ndërmend të integroheshin apo të asimiloheshin në shoqëritë pritëse, pasi ruanin me fanatizëm zakonet e vendeve nga kishin ardhur. Kështu pak e nga pak vendet europianoperëndimore po fillonin tu ngjanin vendeve multikulturale dhe multietnike si psh Bosnja dhe Libani. Dhe kjo dukuri ngjalli frikë te banorët e Europës.

       Dhe kështu erdhi koha që një pjesë e popullsisë autoktone europiane mendoi se « enough is enough” boll është boll. Sidomos kur mbrojtësit e shoqërisë së hapur dhe uokizmit filluan tu thonin njerëzve se edhe emrat “nënë” dhe “babë » mund të zëvendësoheshin fare mirë me “prindi një” dhe “prindi dy”!

         Dhe siç ka ngjarë gjithmonë kur demokracitë shthurren, në fushën e betejës dolën “shpëtimtarët”, që në këtë rast janë përfaqësuesit e partive ekstremiste, pothuajse fashiste dhe naziste. Por në ndryshim nga vitet ’30 të shekullit të kaluar kësaj rradhe në shënjestër nuk janë më çifutët, por myslimanët !

        Pak ditë më parë opinioni publik në Gjermani u trondit kur një zyrtar i lartë i partisë së ekstremit të djathtë « AfD » – Aleanca për Gjermaninë – u shpreh se sipas tij jo të gjithë esesët, anëtarët e partisë naziste të Adolf Hitlerit, kishin qënë kriminelë! Kjo deklaratë që tronditi opinionin publik gjerman dhe europian, ngjau disa javë  pas një mbledhjeje që udhëheqësit e kësaj partie zhvilluan në një qytet të vogël të Gjermanisë ku u diskutua rreth mundësisë së kthimit mprapsht, pra dëbimit në vendin e origjinës, edhe të 2 apo 3 milionë ish emigrantëve të natyralizuar në gjermanë!

       Europa sot ndodhet në një gjendje të vështirë. Nga njëra anë kriza e borxheve e shoqëruar nga inflacioni, nga ana tjetër konflikti Ukrainë – Rusi  me të gjitha pasojat e tij mbi ekonominë dhe financat e shteteve të saj. Dhe siç ngjan gjithmonë në rast krizash edhe situata politike në vend ashpërsohet. Njerëzit kërkojnë një « kokë turku » për të zbrazur marrazin e tyre. Dhe shpesh herë votojnë pa kokë por me emocione. A nuk ngjau kështu edhe afro 100 vjet më parë në Gjermani, deri sa zgjedhësit e hutuar ia dhanë votat Hitlerit?! Sigurisht që Europa sot nuk është në të njëjtën gjendje si Gjermania dikur, por pezmi dhe mllefi I njerëzve ndaj atyre që kanë sunduar gjatë këtyre 30 vjetëve demokraci me dyer të hapura, ndjehet. Zgjedhësit duan ndryshim të kursit ekonomik dhe politik, sidomos përsa i takon emigracionit të pakontrolluar si dhe mbrojtjes së vlerave të tyre tradicionale.

          Prandaj këto zgjedhje do të jenë edhe si një lloj “tërmeti” apo barometri për elitat globaliste që kanë sunduar këto 3 dhjetvjeçarët e fundit. Se sa ballë do të jetë kjo lëkundje toke do të shihet më 9 qershor.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment