Edhe kryeministri izraelit Netanyahu në gjurmët e Hashim Thaçit ?!

      Lajmi se Gjykata Penale Ndërkombëtare (CPI) kishte ngritur akuzë ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ra dje si një bombë në kancelaritë europiane. Jo se ky lajm nuk pritej, por forca e akuzës dhe pavarësia e kryeprokurorit të kësaj gjykate, Karim Khan i ka tejkaluar të gjitha parashikimet. Sepse Netanyahu akuzohet sot, as më shumë dhe as më pak, për krime lufte dhe krime kundër Njerëzimit. Një dosje e përgatitur nga ky kryeprokuror prej mbi 1 000 faqesh mbështet këto akuza.

     Problemi është se kur ti akuzon kryeministrin e një shteti për krime lufte dhe krime kundër Njerëzimit, ti ke akuzuar praktikisht pothuajse gjithë shtetin, dhe jo vetëm të parin e qeverisë. Në një deklaratë të hënën, Khan përshkroi arsyet se pse zyra e tij po aplikonte për urdhër-arrestet:

“Tani, më shumë se kurrë, ne duhet të demonstrojmë kolektivisht se e drejta ndërkombëtare humanitare, bazë për sjelljen njerëzore gjatë konfliktit, zbatohet për të gjithë individët dhe zbatohet njëlloj në të gjitha situatat e adresuara nga zyra ime dhe gjykata. Kjo është mënyra se si ne do të vërtetojmë, në mënyrë të prekshme, se jetët e të gjitha qenieve njerëzore kanë vlerë të barabartë” – tha ai.

    Kjo akuzë vë në pozitë të vështirë sot edhe të gjitha kryeqytetet perëndimore, që në një mënyrë apo në një tjetër, kanë mbështetur veprimet hakmarrëse të shtetit sionist, duke filluar nga 8 tetori i vitit të shkuar. Sepse nëqoftëse edhe trupi gjykues do të mbështesë akuzat e kryeprokurorit të përgjithshëm të kësaj instance ndërkombëtare, Netanyahut do t’i pamundësoheshin vizitat zyrtare apo private në shumicën e vendeve europiane nga frika e arrestimit. Këtu bëjnë përjashtim vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nuk e kanë ratifikuar, firmosur, pranimin e vendimeve të kësaj gjykate të Kombeve të Bashkuara.

    Prandaj edhe vetkuptohen reagimet e ashpra të tel Avivit dhe Uashingtonit ndaj kësaj akuze. Ministri i jashtëm amerikan, Anthony Blinken, e cilësoi shpalljen dhe përmbajtjen e kësaj akuze si “një turp i madh”, ndërsa vetë presidenti amerikan, Biden, e quajti  “skandaloz” një veprim të tillë! Dhe këtu nuk po flasim për zyrtarët e lartë izraelitë që nuk kanë lënë gjë pa thënë ndaj kryeprokurorit britanik me origjinë pakistaneze.

     Dhe Amerika, siç ngjan gjithmonë kur Izraelit i preket edhe një qime floku, e kishte paralajmëruar kryeprokurorin e gjykatës së Kombeve të Bashkuara të bënte kujdes me Netanyahun! Jo shumë kohë më parë 12 senatorë amerikanë, sikur të ishin 12 anëtarë të bandës së Al Capone-s, e kishin kërcënuar Karim Khan-in se ata do të merreshin me të dhe me familjen e tij, nëse ai do të guxonte të merrej me Netanyahun. “Çdo sulm ndaj Izraelit dhe kryeministrit të tij do të konsiderohet si sulm ndaj Amerikës” – kishin paralajmëruar këta anëtarë të senatit amerikan.

    Dhe ky shqetësim dhe këto paralajmërime e kanë një arsye.  Sepse fushata ushtarake e Izraelit në Gaza barazohet kështu dashur pa dashur me agresionin rus kundër Ukrainës. Dhe pikërisht këtu rreh edhe çekani. Presidenti rus, Putin, është edhe ai i akuzuar po nga kjo gjykatë, për krime lufte dhe krime kundër Njerëzimit në Ukrainë. Në këtë mënyrë vihet një shenjë barazimi ndërmjet Putinit dhe Netanyahut si dhe midis agresionit rus ndaj shtetit të pavarur dhe sovran të Ukrainës me atë palestinez!

       Krime lufte! Pikërisht me këtë akuzë të hartuar nga Gjykata për Krimet e Luftës në ish – Jugosllavi (TPI) mbahen sot në Hagë edhe udhëheqësit e UÇK-së së lavdishme. Dhe analistët perëndimorë nuk kanë munguar këto ditë të heqin paralele rreth krimeve të luftës që ngjajnë gjithmonë kur ka konflikte të armatosura.

       “Nuk ka luftë të pastër. Gjatë çdo lufte ngjajnë edhe krime, qoftë nga pala agresore, qoftë edhe nga ajo mbrojtëse apo viktimë” – pohojnë ata. Sepse Netanyahu është akuzuar pikërisht për vrasjet e ngjara ndërmjet popullsisë civile gjatë këtyre 7 muajve konflikti izraelito – palestinez. Dhe bëhet fjalë për afro 35 mijë burra, gra, pleq dhe fëmijë të pafajshëm. Pa folur këtu për shkatërrimin total të Gazës, që sipas sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Guterrez, ua kalojnë edhe atyre të Luftë së Dytë Botërore! “Por a mund ta bësh omeletën pa thyer vezë” – pyesin përkrahësit e veprimeve të ushtrisë izraelite në Gaza, pa harruar të përmendin me këtë rast edhe krimet e ngjara ndaj popullsive të pafajshme që gjatë Luftë së Dytë Botërore dhe deri më sot.

          Por edhe nga ana palestineze janë shprehur pakënaqësi ndaj vendimit të kryeprokurorit Karim Khan. Pasi përveç kryeministrit izraelit dhe ministrit të tij të luftës, Gallant, edhe tri drejtuesit më të lartë të organizatës së Hamasit dhe pikërisht , Yahya Sinwar, Mohammed Diab Ibrahim al Masri, i njohur më shpesh si Deif (komandant i përgjithshëm i krahut ushtarak të Hamasit, i njohur si al Brigadat Qassam), dhe Ismail Haniyeh (kreu i byrosë politike të Hamasit) janë akuzuar për vrasje, grabitje dhe përdhunime ndaj popullatës civile izraelite.  Një nga përfaqësuesit e organizatës për çlirimin e Palestinës u shpreh se CPI-ja, me këtë vendim kundër drejtuesve të lartë të Hamasit, kishte vënë shënjën e barazimit ndërmjet xhelatit dhe viktimës.

          Sidoqoftë, dhe pavarësisht të gjithave, askush nuk pret që Netanyahu të arrestohet ndonjë ditë. Ai, njëlloj si dhe Putini, veçse duhetë bëjë kujdes se në cilat vende do të udhëtojnë. Pa dyshim se ai mund të shkojë sa herë të dojë në Uashington, që siç thamë nuk e ka nënshkruar konventën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare,  por duhet të bëjë kujdes kur viziton psh vendet e Europës perëndimore.

        Dhe pikërisht kjo i shqetëson sot kancelaritë në Paris, Londër apo Berlin. Si duhet të sillen ato nëse kryeministri izraelit udhëton në kryeqytetet e tyre. Të injorojnë vendimet e kësaj gjykate të OKB-së do të thotë të hedhin poshtë gjithë strukturat e ngritura me kujdes që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Duke përfshirë këtu edhe TPI-në që mban ende të burgosur udhëheqësit e UÇK-së. Ndryshe të arrestojnë Netanyahun do të thotë të vihen në konflikt të hapur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E vetmja zgjidhje mbetet që Netanyahu të mos shkojë kurrë për vizitë në këto vende. Dhe kjo do mbetet si një njollë e pashlyeshme në gjithë historinë e këtij shteti.

      Dhe pikërisht kjo është ajo që Tel Avivi i ruhej dhe i frikësohej më shumë. Njollosja në arenën ndërkombëtare e imazhit të shtetit izraelit.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment