Shumë zhurmë u shkaktua këto ditë, pasi kryeministri Edi Rama pohoi në tubimin e shqiptarëve në Athinë, se te shtëpia e Bubulinës, heroinë e revolucionit grek, flitej shqip. Një e vërtetë kjo historike. Dhe çuditërisht, edhe më shumë se në Greqi, debati u ndez edhe më fort në Shqipëri. Disa e quajtën atë shqiptare të “kulluar”, disa greke puro, por disa të tjerë mohuan lidhjen gjenetike ndërmjet arvanitasve dhe shqiptarëve për shkaqe fetare, kohore apo historike! Ndryshe dhe nën rrogoz duket se ata mbronin tezën se ndërmjet arvanitasve, arbëreshëve dhe arbërorëve të Gjergj Kastriotit dhe shqiptarëve të sotëm myslimanë nuk ka asnjë lidhje!
Pikërisht kjo tezë ngriti temperaturat e patriotëve, nacionalistëve dhe kozmopolitëve shqiptarë. A mund ta ndërrojë feja kombësinë e një individi apo një populli?! Po koha?! Mos vallë feja është më e rëndësishme se gjuha?!
Pa dyshim që egjiptianët e sotëm nuk kanë shumë të bëjnë me egjiptianët e kohës së faraonëve. Edhe izraelitët e sotëm, megjithëse kanë po të njëjtën gjuhë, fe dhe zakone me hebrenjtë biblikë, nuk janë e njëjta farë. Po ashtu edhe për lidhjet ndërmjet grekëve të sotëm dhe helenëve të lashtë. Por sidoqoftë të gjithë këta popuj e konsiderojnë sot veten si pasardhës të të parëve të tyre të lavdishëm, pavarësisht se mund të kenë kaluar mbi 2 000 vjet!
Por një studiues shqiptar, duke marrë shkas nga deklarata e kryeministrit shqiptar, duket se do ta hedhë poshtë këtë lidhje gjaku dhe ADN-je midis shqiptarëve të sotëm dhe arbërorëve, arvanitasve dhe arbëreshëve të kohës së Skënderbeut!
Te akademiku bien në sy disa fraza që mohojnë lidhjen gjenetike, gjuhësore apo edhe kulturore ndërmjet arbërorëve dhe shqiptarëve të sotëm. Po të shkosh sipas mëndjes së tij del që shqiptarët e sotëm për shumë shkaqe nuk janë më pasardhës së arbërorëve! Sidomos për shkak të fesë! Ja disa nga shprehet e tij që mbështesin këtë ide:
“Arvanitët e djeshëm dhe shqiptarët e sotëm i ndan jo vetëm koha, por edhe tipare të tjera të identitetit kolektiv, si feja.
Tek e fundit, revolucioni grek vërtet nisi si përpjekje e armatosur kundër sundimit osman, por në realitet u shpreh edhe si revoltë anti-myslimane.
…te shqiptari mysliman arvanitët kryengritës shihnin përgjithësisht armikun mysliman, jo vëllain e gjuhës dhe të gjakut.
Dallimi identitar mes arvanitëve dhe shqiptarëve.. është dallim historik, që bëhet gjithnjë e më real, me kalimin e kohës
Përpjekjet për t’i bërë arvanitët “shqiptarë” janë… pa baza historike » etj etj.
Por ka edhe disa fakte që e hedhin poshtë këtë pandehmë të këtij anëtari të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë : A nuk flasim ne sot pothuajse po atë gjuhë që kanë folur edhe arbërorët, arvanitasit dhe arbëreshët ?
Ndryshe Vehbiu e vë theksin shumë te feja. Po shqiptarët ortodoksë si Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi, Konstandin Kristoforidhi, Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji etj etj dhe afro gjysëm milioni shqiptarë ortodoksë sot, ku rradhiten sipas Vehbiut ?! Ata kanë mbajtur të njëjtën fe si paraardhësit e tyre ! Janë grekë atëhere ?!
Po shqiptarët, që në shumicë sot e konsiderojnë veten si ateistë, agnostikë apo laikë, pra që nuk identifikohen me asnjë lloj feje, a kanë lidhje gjaku dhe ADN-je me arvanitasit ?
Gjithë kjo « gjurulldi » që krijoi ky « studiues » kot na si koti mund të përmblidhej me një fjali : »Bubulina, Xhavella, Boçari, etj etj janë grekë me prejardhje shqiptare ». Pikë. Por ai duket se nuk është dakort me këtë fakt historik, kur pohon se për shkak të fesë nuk jemi e njëjta farë !
Feja është diçka që shkon dhe vjen. Shumica e shqiptarëve që ndrruan fenë nuk u bënë turq. Thjesht u përshtatën me kushtet. Shumica e shqiptarëve që ndërruan emrat në Greqi nuk u bënë grekë. Thjesht u përshtatën. Fëmijët e tyre të lindur atje do të jenë grekë me origjinë shqiptare.
Me një fjalë origjina nuk shuhet kurrë. ADN-ja, gjaku i të parëve, janë më të forta se feja apo marrja e emrave grekë. Ata që vënë kombin para fesë, që kanë për hero kombëtar Gjergj Kastriotin – janë thjesht shqiptarë.
Dua Lipa është britanike me origjinë shqiptare. Po të kishte mbetur në Kosovë më e shumta do të ishte bërë ndonjë mësuese. E njëjta gjë për Nënë Terezën, Xhejms Belushin etj etj.
Është fakt historik që shqiptarët myslimanë, arnautët, u rreshtuan në shumicë dërrmuese me Turqinë kundër grekërve dhe arvanitasve ortodoksë, sidomos suliotëve. Gjatë Lidhjes së Prizrenit megjithatë një pjesë e shqiptarëve myslimanë luftuan fort kundër perandorisë turke.
Por deri vonë patëm edhe islamistë shqiptarë si Haxhi Qamili që kishin për babë Turqinë dhe jo Skënderbeun. Madje deri sa u shpall Shqipëria e pavarur këta shqiptarë muhamedanë, siç tregon bashkëkohasi i tyre H. I. Dalliu më 1930 te libri i tij “Patriotizma në Tiranë” këta shqipfolës këndonin “Gjithë të zezat i kam punue, veç me fol shqip, nuk kam pranue”!
Si përfundim arbëreshët, arbërit e Gjergj Kastriotit dhe arvanitasit janë paraardhësit tanë. Haxhi Qamili me pasuesit e tij, ata që na zënë sheshin e heroit tonë kombëtar 2 herë në vit, ndofta janë të vetmet mbetje otomane në Shqipëri.
Si përfundim: Një komb përbëhet dhe dallohet në rradhë të parë nga gjuha. Feja është dytësore. Italianët dhe portugezët psh janë të dy palët katolikë. Por janë dy popuj që flasin dy gjuhë të ndryshme. Po ashtu edhe francezët me austriakët, arabët me turqit etj etj.
E veçantë dhe e rëndësishme është kjo sidomos për shqiptarët, të ndarë në dy fe (të krishterë dhe muhamedanë) dhe në katër bashkësi fetare : (sunitë me xhami, bektashinj me teqe, katolikë dhe ortodoksë). Por për fat të mirë shumica e shqiptarëve, të paktën që nga viti 1970 e këtej, e mbajnë veten për ateistë, agnostikë dhe laikë. Pra që nuk i takojnë asnjë feje të veçantë. Jo më kot i madhi Pashko Vasa pat deklaruar që para 100 vjetësh se feja e shqiptarit është Shqiptaria.
E gjithë kjo zhurmë është veçse një furtunë në një gotë me ujë. Apo një qorollepsje e dikujt që do të hiqet si shumë i ditur! Siç i thonë një fjale: Hedh budallai një gur në lumë, 100 të mënçur nuk e nxjerrin dot.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment