Takimi i Edi Ramës me mërgatën shqiptare në Athinë bëri bujë të madhe edhe përtej kufijve të shqiptarisë. Para se ai të mbahej kishte shumë pandehma rreth suksesit apo dështimit të tij. « E çfarë u hyn në punë Rama shqiptarëve që banojnë në Greqi ?! Ata tashmë e kanë rregulluar jetën e tyre aty dhe as nuk kanë çfarë t’i japin Ramës, as nuk kanë çfarë t’i marrin ! » etj etj. Këto ishin dyzimet dhe pikëpyetjet rreth kësaj sfide të pangjarë ndonjëherë, që kur Shqipëria u bë shtet. Pra që një kryeministër shqiptar të shkonte në Athinë jo për tu takuar, buzëqeshur dhe mikluar para zyrtarëve grekë, por për tu takuar me bashkombasit e tij.
Dhe kjo sfidë e paparë përfundoi me një sukses të paparashikuar edhe nga vetë organizatorët e saj. Rreth kumteve të kryeministrit shqiptar në Athinë kemi shkruajtur tri ditë më parë prandaj nuk ia vlen t’i përsërisim. Por ia vlen të vërejmë dhe komentojmë reagimet e opozitës së përtharë dhe shushatur shqiptare.
Të gjendur të befasuar nga kjo pritje madhështore që mërgata shqiptare i bëri kryeministrit të vendit të prejardhjes, analistët dhe gazetarët e lidhur me dyshen Berisha – Meta nuk gjetën asgjë tjetër për të thënë veç se Rama i mbushi autobuzët me mbështetësit e tij që në Tiranë ! Kur dihet se në doganën greke edhe miza e ka të vështirë të kalojë dhe jo më 6- 7 mijë veta sa ishin mbledhur në tubimin e tij.
Ky helm dhe ky dëshpërim e ka një arsye dhe spjegim pas tij. Deri vitet e fundit Berisha përpiqej të hiqej si « babai i mërgatës », sikur të gjithë ata që ishin larguar nga vendi gjatë këtyre 30 viteve demokraci, vdisnin për të. Por mitingu në Athinë ia çorri maskën kësaj shpifjeje. Mërgimtarët me flamuj të shumtë u ngazëlluan dhe u kënaqën nga vizita e të parit të qeverisë shqiptare te ata, dhe u entuziazmuan në masë sidomos nga kumtet që dha Rama në këtë tubim, sa ndaj bashkëkombasve të tij të larguar nga vendi, por po aq edhe ndaj politikës greke ! Me këtë rast u thye edhe një mit tjetër i rremë, njëlloj si ai i « Anteut » , për të cilin është shkruar në këtë blog rreth 2 vjet më parë.
Dhe më e keqja nuk ka ardhur ende për Berishën. Në Athinë Rama sidoqoftë pati probleme dhe pengesa nga autoritetet vendase qoftë edhe për të siguruar sallën, por për më shumë qeveria greke ia bëri të ditur atij se ai nuk ishte i mirëpritur në vendin e tyre në këtë kohë fushate zgjedhjesh për në Parlamentin Europian.
Prandaj edhe ekzistonte frika reale që edhe mërgimtarët do të stepeshin dhe do të ngurronin të merrnin pjesë në këtë tubim, aq më shumë me flamurin kombëtar ! Por asgjë nga këto nuk ngjau. Shqiptarët e shtypën frikën dhe u grumbulluan rreth kryeministrit të vendit të tyre të origjinës si kurrë më parë.
Thamë se më e keqja nuk ka ardhur akoma se kemi parasysh mitingun tjetër të rradhës që do të mbahet së shpejti në Milano të Italisë. Dhe aty Rama e di se do ta gjejë të shtruar. Asnjë pengesë nuk do të ketë ai atje nga qeveria e Gjiorgjia Melonit me të cilën Rama ka marrëdhënie të shkëlqyera. Po ashtu ai nuk do të jetë i detyruar të përdorë alegorinë për të shprehur mesazhet e tij. Ai shkon në një tokë që i ka pritur shqiptarët në shumicë dy herë gjatë historisë së saj.
Një herë kur u larguan që t’i shpëtonin kolerës osmane në kohën e Skënderbeut dhe herën e dytë pas shembjes së sistemit komunist. Sigurisht që ekziston edhe 7 prilli famëkeq i vitit 1939, kur regjimi i Duçes pushtoi vendin tonë, apo mbytja në det e dhjetra shqiptarëve nga një anije luftarake italiane në vitin e mprapshtë 1997 ! Dhe sigurisht që Rama do i ketë parasysh edhe këto ngjarje.
Por me rëndësi vitale do të jetë fakti se askush nuk do i shikojë shtrembët shqiptarët në vendin fqinj, meqë po shkojnë me flamurin kuq e zi në duar drejt Milanos.
Dhe në këtë mënyrë do të thonim se nëse tubimi në Athinë ishte preludi, uvertyra, opera e vërtetë do të luhet në Milanon e bukur të “La Scala”-s me famë botërore.
Dhe me sa kuptohet duket se vendet dhe qytetet e caktuara për takimet e kryeministrit shqiptar me mërgatën, janë zgjedhur me kujdes dhe vëmendje. Greqia dhe Italia pash janë vendet ku jetojnë pjesa dërrmuese e emigracionit shqiptar. Dhe mërgata atje, dihet se është e majtë, mbështetëse e Partisë Socialiste.
Ndryshe do të ishte puna psh në rast se Rama do të organizonte një tubim të tillë në Bruksel. Kur dihet se në kryeqytetin e Europës gjallon që prej kohës së Luftës së Dytë Botërore një mërgatë antikomuniste, e cila nuk do ta shihte fare me sy të mirë një tubim pro –socialist “te ata”!
Kujtojmë këtu se veçse disa vite më parë në Bruksel u godit ministry i jashtëm shqiptar i asaj kohe, Paskal Milo, ndërsa një personalitet si Pëllumb Xhufi as nuk u lejua të mbante një referat mbi Skënderbeun !
Dhe pikërisht kjo është ajo që e dëshpëron më shumë Berishën. I mbyllur në kuvli ai sheh sesi uragani Rama po përhapet edhe atje ku ai kishte menduar si ishte toka e tij e xanun ! Pas humbjes së mbështetjes në Kosovë, ku as Albin Kurti, siç ka thënë ai vetë, nuk i ka telefonuar një herë të vetme, që kur është bërë kryeministër, ai tani e sheh se ka humbur mbështetjen edhe në mërgatën shqiptare në botë.
Kurse për në Shqipëri as që bëhet fjalë. Ai atje nuk ka gëzuar kurrë simpatinë dhe përkrahjen e shumicës. Madje as në vitin 1992 dhe as në vitin 2005, kur ka fituar si pasojë e tërheqjeve dhe pazarllëqeve të udhëheqësve të PS-së së asaj kohe.
Kështu vinë kohët. Kështu vjen edhe muzgu i jetës. Dhe siç thotë edhe një fjalë e urtë : « Poshtërimi më i madh për një të vjetër është kur i shpreh mëshirën për të ».
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment