Nuk kishte ngjarë asnjëherë në historinë e popullit shqiptar, gjatë këtyre 112 vjet pavarësi, që një udhëheqës i këtij vendi të ngjallte dhe gulfonte një optimizëm dhe krenari të tillë te diaspora shqiptare në Greqi. Jo se nuk kishte pasur vizita të shpeshta të politikanëve shqiptarë në shtetin grek, gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit, por sepse ato kanë qënë përqëndruar shpesh herë në disa takime diplomatike servile me zyrtarët e lartë të Athinës dhe kanë përfunduar gjithmonë nëpër buzuqet e kryeqytetit grek.
Me këtë vizitë dhe takim Edi Rama përballoi me sukses të plotë një sfidë të paparë në shtetin grek, atë të bërjes bashkë të shqiptarëve kryelartë dhe të vetëdijshëm për qënien dhe rolin e tyre. Në një stadium i mbushur plot me flamujt kuqezi , ku siç thotë edhe një shprehje popullore, nuk kishe ku të hidhnje kokrrën e mollës.
Dhe ndryshe nga sa pritej, dhe ndofta edhe nga sa shpresonin disa, Rama në këtë tubim madhështor foli si europian, larg nacionalizmit bizantin dhe ballkanas, që shpesh ka karakterizuar fqinjët tanë. Theksi i tij ishte hedhja pas krahëve e shembujve negativë të së kaluarës, ecja dorë për dorë e të dy vendeve më të vjetra të Ballkanit në rrugën e demokracisë, bashkëpunimit dhe paqes.
Por kumti më i madhërishëm u ishte dedikuar bashkëkombasve tanë në atë vend : « Ju jeni këtu europianët e këtij vendi, njëlloj si dhe grekët. Të cilët kanë nevojë për ju, aq sa dhe ju keni nevojë për ta » – iu drejtua kryeminstri shqiptar të pranishmëve që kishin mbushur platenë e stadiumit të Athinës. » Kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie » – buçiti thirrja e Ramës. Ishte ky një mesazh kyç i këtij takimi i drejtuesit të qeverisë shqiptare me diasporën e vendit të tij në Greqi. Që ndryshe mund të përkthehej si « Mbajeni kokën lart. Ju këtu jeni tashmë në vendin tuaj ».
Dhe Rama përmendi dhe kujtoi jo pa qëllim edhe historinë. Ai foli për heroinën greke, Laskarina Bubulina, arvanitasen e famshme që fliste shqip në shtëpinë e saj. Dhe megjithëse nuk e përmendi Marko Boçarin me shokë ai la të kuptohet se Greqia e sotme është çliruar dhe ndërtuar edhe me gjakun e shqiptarëve të dikurshëm, të quajtur arvanitas, apo edhe të shqiptarëve të sotëm.
Të cilët nuk gjetën asgjë të shtruar me lule, por me guximin dhe qëndresën e tyre historike i bënë vend të nderuar vetes në shtetin fqinj. « Keni fjetur nëpër lulishte, kisha, stacione treni, ju kanë shfrytëzuar dhe masakruar. Ju kanë detyruar deri të ndryshoni edhe emrat, por sot falë vullnetit dhe këmbënguljes suaj, falë shpirtit të punës dhe sakrificës, ia keni dalë të respektoheni në këtë vend. Sot askush nuk ka dhe nuk duhet të ketë turp të phojë këtu prejardhjen e tij nga Shqipëria » – pohoi nndërmjet duartrokitjeve kryeministri shqiptar.
Pa diskutim se kjo vizitë në gjirin e diasporës shqiptare në Greqi do të përcillte dhe përçonte edhe disa kumte politike. Të cilave Rama nuk ngurroi t’i paloste sheshit. « Greqia tha ai, i shpalli luftë si Italisë fashiste që e sulmoi gjatë vitit 1940, por edhe Shqipërisë së pushtuar po nga ajo fuqi imperialiste. Por ndërkohë që Athina ka që nga viti 1947 që e ka hequr ligjin e luftës me Italinë, ajo ee mban edhe sot e kësaj dite këtë ligj me Shqipërinë”! A kishte mënyrë më të mënçur për të demaskuar poltikën shoviniste shumëvjeçare të shtetit grek ndaj atij shqiptar?!
Edhe çështja çame nuk kaloi pa u përmendur nga kryeministri shqiptar. Mee legancë dhe si shkarazi ai i kujtoi Athinës se vetëm para disa vitesh ajo i ngrinte dhe i nxirrte nga shtëpitë e tyre emigrantët shqiptarë, njëlloj siç kishte vepruar edhe disa dekada më pare(!). Referenca dhe alegoria ndaj sjelljes së politikës greke ndaj çamëve mbas luftës së dytë botërore ishte më shumë se e qartë.
Fjalimi i Ramës, siç thamë ishte tejet perëndimor dhe europian, por goditjet e tij ndaj politikës shoviniste të Athinës këto 30 vitet e fundit nuk munguan në asnjë çast. Ato i ngjanin atij të një boksieri me grusht të hekurt të fshehur në një dorezë pambuku.
Pa asnjë dyshim vizita dhe takimi i Ramës me mijëra bashkatdhetarë në Greqi ishte edhe një lloj revanshi ndaj vizitave të politikanëve grekë një e dy në Dropull apo Himarë.
Dhe ai e vuri qartë shenjën e barazimit. Në Shqipëri ka pakica etnike greke. Edhe në Greqi ka pakica etnike shqiptare sa të vjetra, arvanitasit apo çamët e dëbuar, por po aq edhe emigrantët e sotëm. Që sipas vetë deklaratave të qarqeve greke e kalojnë gjysëm milionin.
Ngrijeni kokën. Ju nuk jeni më të huaj në këtë shtet – ishte edhe mesazhi kryesor që Rama u drejtoi të pranishmëve në këtë tubim kuq e zi. Dhe duke iu referuar shprehej së njohur të Jul Cezarit ai iu drejtua atyre me fjalët: “Ju erdhët, luftuat, fituat! Greqia është sot edhe e juaja. Ju, bashkë me grekët, jeni europianët e këtij vendi” nënvizoi ai para një tubimi në ekstazë.
Kjo vizitë e Ramës në shtetin fqinj të Shqipërisë do të mbahet mend jo vetëm për kumtet dhe mesazhet që përcolli, por edhe për nivelin e fjalimit sa llogjik, por po aq edhe historik, politik dhe diplomatik. “Sot ka ardhur koha e shqiptarëve në Europë” – nënvizoi Rama në fund të fjalës së tij pothuajse 1 orëshe, që u pasua nga duartrokitje të zgjatura dhe valëvitje të pafundme të flamujve kuqezin që kishin mbushur sallën e stadiumit.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment