Atyre që ndjekin çdo ditë politikën ndërkombëtare, ngjarjet e fundit në Gjeorgji, mund tu duken sot si një film që ata e kanë parë disa vite më parë. Dhe do të kenë plotësisht të drejtë. Zhvillimet e fundit në këtë vend të vogël të Kaukazit ngjajnë si dy pika uji me ato të Ukrainës! Nga do shkojë Gjeorgjia ?! Me kë do rradhitet ?! Kjo është çështja dhe strumbullari i destabilizimit të sotëm të këtij vendi me një popullsi prej 3.7 milionë banorësh dhe me një sipërfaqe prej 70 000 kilometrash katrore.
Është një zgjedhje hamletiane midis ky kulturave, dy qytetërimeve, dy sistemeve. Nga njëra anë Europa me traditat e saj demokratike dhe lirinë dhe nga ana tjetër Rusia me konservatorizmin dhe autoritarizmin shekullor.
Ndërkohë në Tbilisi, kryeqytetin e vendit, vazhdojnë demonstratat masive kundër qeverisë. Arsyeja është aprovimi nga parlamenti vendas i një ligji mbi « agjentët e huaj » ! Që do të thotë se kushdo, qoftë organizatë jo qeveritare, ONG, qoftë parti politike apo individ, duhet të deklarojë të gjitha ndihmat në dollarë ose euro që këta individë ose institucione marrin nga shoqata apo shtete të huaja.
Ky ligj ngjan pikë për pikë me ligjin që Putini përpiloi dhe aprovoi para më shumë se 10 vitesh. Dhe pikërisht këtu rreh edhe çekani. Demonstruesit properëndimorë nuk duan as t’ia dëgjojnë emrin Rusisë. Ëndrra e tyre është afrimi me Europën. Dhe Bashkimi Europian është shprehur disa herë se Gjeorgjia për nga kultura, historia dhe qytetërimi i takon Europës.
Madje pikërisht vitin e kaluar, para 5 muajsh, më 14 dhjetor 2023 ajo i hapi dritën jeshile anëtarësimit të mundshëm të saj në BE, duke i ofruar statusin e vendit kandidat ! Por qeveria që sundon sot në Tbilis është proruse !
Ndryshe nga sa veproi me Shqipërinë, e cila kishte aplikuar më shumëse 10 vjet më parë për të fituar statusin e vendit kandidat, për Ukrainën dhe Gjeorgjinë Bashkimi Europian veproi me shpejtësi. Gjeorgjia psh aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian veçse më 3 mars 2022. Menjëherë pas kërkesës së Ukrainës për të aplikuar edhe ajo për anëtarësimin nëBashkimin Europian më 28 shkurt 2022, kur sapo kishte nisur edhe agresioni dhe pushtimi rus. Të dyja këto vende, plus Moldavia, sot janë kandidate për anëtarësim në BE.
E gjitha kjo të kujton zhvillimet e një dekade më parë në Ukrainë. Në atë kohë presidenti i atij vendi dëshiroi të nënshkruante një marrëveshje afrimi të mëtejshëm me Rusinë, përveç asaj që ishte nënshkruar me Bashkimin Europian. Kaq mjaftoi që opozita të ngrihej në këmbë. Dhe bashkë me të edhe populli opozitar. Kjo periudhë u pagëzua si revolucioni i sheshit Majdan. Presidenti i zgjedhur u largua i tmerruar në Moskë. Në vend u zhvilluan zgjedhje të reja të cilat u fituan nga kandidati pro – perëndimor, Poroshenko.
Por dy provinca rusisht-folëse në lindje të vendit, Donetsku dhe Lugansi apo edhe Krimea e pushtuar nga rusët që më 2014-tën nuk i pranuan këto zgjedhje si dhe dëbimin e presidentit pro-rus dhe shpallën pavarësinë nga Kievi. Filloi atëhere një luftë e mshehtë e cila sidoqoftë shkaktoi rreth 20 000 viktima. Vendet perëndimore si dhe Rusia zhvilluan atëhere dy takime në Minsk të Bjellorusisë për të arritur në një zgjidhje diplomatike. Por askush nga palët nuk e respektoi marrëveshjen e arritur. Kjo gjendje i shërbeu presidentit rus Putin si pretekst për të sulmuar Ukrainën më 24 shkurt të vitit 2022. Konflikt që vazhdon edhe sot e kësaj dite, me rrezikun real që të shtrihet dhe të përfshijë mbarë shtetet e Europës.
Edhe në Gjeorgji pati zëvëndësime të dhunshme pushteti. Kështu psh vendin e presidentit prorus Shevernadze e zuri më 2003-in udhëheqësi properëndimor Shakashvili, gjatë revolucionit të quajtur të “trandafilave”! Shakashvili gjendet sot në burg i akuzuar për korrupsion! Ndërsa presidentja aktuale e vendit, Salome Zurabishvili, një franko/gjeorgjiane e lindur në një familje gjeorgjianësh “të bardhë”në Paris dhe e edukuar në Francë, mbështet opozitën properëndimore, ndërsa qeveria mbështetet te Rusia.
Pa asnjë dyshim që edhe Moska i ndjek me vëmendje dhe shqetësim ngjarjet e fundit në këtë republikë ish – sovjetike dhe luan “gurët” e saj. Ajo ka frikë se kalimi edhe i Gjeorgjisë në kampin perëndimor do të formojë një “brez” anti-rus që do fillojë nga Finlanda në veri, do të vazhdojë me Poloninë, Rumaninë, Bullgarinë, Turqinë dhe do zgjatet pikërsiht deri në Gjeorgji!
Megjithatë ka disa ndryshime midis rastit të Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Banorët e Gjeorgjisë i takojnë vërtet ritit ortodoks, por ndryshe nga rusët, ukrainasit, serbët, bjellorusët etj ata nuk janë sllavë. Gjuha e tyre është e veçantë. Gjeorgjianët, si dhe shqiptarët, kanë qënë pushtuar shpesh herë nga fuqitë e huaja që kishin rrotull, duke filluar nga persët, bizantinët, turqit dhe më në fund edhe rusët dhe sovjetikët deri në vitin 1991. Por edhe ata e kanë ruajtur me fanatizëm kulturën e tyre të lashtë. Sa për kujtesë edhe Stalini ishte gjeorgjian!
Si do zhvillohen tani ngjarjet?! A do fitojnë manifestuesit properëndimorë si në Ukrainë më 2014-ën, apo qeveria do arrijë t’i shtypë këto protesta, siç ngjau vitin e kaluar. Sidoqoftë deri në fund të këtij viti në Gjeorgji do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme. Dhe atëhere do ndahet përfundimisht shapi nga sheqeri.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment