Gjithë opinioni publik perëndimor po ndjek me interesim të paparë, dhe po me aq shqetësim këto ditët e fundit manifestimet e disa grupeve studentore anë e mbanë Amerikës, por po ashtu edhe në shumicën e vendeve europerëndimore. Sipas specialistëve të politikës ndërkombëtare manifestime të tilla nuk ishin parë në universitetet amerikane që nga koha e luftës në Vietnam.
Stdentët amerikanë, qoftë ata të Nju Jorkut apo Teksasit, por edhe ata të Los Anxhelosit, në shumë raste, kanë bllokuar hyrjen në universitet si dhe mbajtjen atje të leksioneve. Për më shumë ata kanë ngritur edhe kampingje në oborret e këtyre institucioneve duke mbajtur « sittinge ».
Shkaku i kësaj lëvizjeje që ka përfshirë sa Amerikën dhe Europën, por po aq edhe disa universitete në botën arabe, gjendet te konflikti iraelito – palestinez! Lajmet që vinë nga ai rajon janë tepër trishtuese. Pas sulmit të Hamasit kundër civilëve izraelitë më 7 tetor të vitit të kaluar, qeveria izraelite reagoi ashpër. Ajo thjesht sulmoi me të gjitha mjetet që zotëronte Rripin e Gazës, nga ku Hamasi kishte sulmuar Izraelin. Sulme dhe bombardime që po zgjasin prej muajsh. « Shkatërrimet në Gaza, pas këtyre sulmeve disamujore izraelite ia kalojnë dhe shkatërrimeve që pësoi Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore » – pohoi pak ditë më parë vetë ministri i jashtëm i BE-së Jozef Borrell. Nga ana e tij ministri i mbrojtjes i Shteteve t¨Bashkuara të Amerikës, Lloyd Austin, ka nënvizuar se « nga mbi 30 000 të vrarët sot në Gaza, rreth 25 000 kanë qënë gra dhe fëmijë » !
Dhe vetkuptohet se ky konflikt, i cili në fakt ka nisur që në vitin 1948, nuk mund të kalonte pa u vënë re dhe pa prekur edhe ndjenjat e rinisë së shumë vendeve perëndimore. Sepse historikisht studentët gjithmonë kanë përbërë shtresën më të ndjeshme të shoqërive në vendeve ku gjallojnë. Ish byroistët e sistemit totalitar dhe diktatorial në Shqipëri mund të jenë dëshmitarët më të mirë se çfarë gjëme mund ta gjejë një pushtet kur rinia universitare revoltohet.
Në Perëndim lëvizjet e fundit studentore nuk rrezikojnë pushtetin, por ato demaskojnë në një farë mase, gjithë mbështetjen që qeveritë e këtyre vendeve i japin qeverisë izraelite. Dhe ndërsa Perëndimi mbështet pa kushte politikën izraelite, studentët e këtyre vendeve mendojnë krejt ndryshe. Madje disa vende, si psh, Kolumbia apo Ekuadori etj kanë njoftuar tashmë ndërprerjen e marrëdhëdhënieve diplomatike me Tel Avivin.
« A nuk ka të drejtë një popull i pushtuar që të ngrejë krye apo të marrë armët kundër okupatorit ? » – pyesin të revoltuar studentët që mbështesin të drejtën e popullit palestinez për të patur shtetin e tij. Pa dyshim që po, por në këtë rast Hamasi sulmoi dhe masakroi popullsinë civile. Me një fjalë ai bën përgjegjës një popull të tërë për qeverinë që ka në krye. Po njëlloj po vepron edhe Izraeli që nën justifikimin e eleminimit të Hamasit, po vret pa dallim të fajshëm dhe të pafajshëm.
Në fakt janë disa popuj sot në botë që padrejtësisht nuk kanë atdhe. Kurdët, tibetianët dhe palestinezët – janë ndër më të njohurit, të cilëve u është mohuar kjo e drejtë themelore. Por ngjarjet e fundit, dhe sidomos veprimet e qeverisë së ekstremit të djathtë në Tel Aviv, po i nxisin edhe disa shtete perëndimore të ndërmarrin veprime konkrete për të mbështetur këtë të drejtë jetike të popullit palestinez.
Kështu psh nga njëra anë Spanja dhe Irlanda janë shprehur se së shpejti ato do të njohin shtetin e pavarur palestinez në kufijtë e vitit 1967, ndërsa nga ana tjetër Turqia dhe Afrika e Jugut po e padisin shtetin çifut për veprime gjenocidare në Gaza.
Prej vitesh, sa s’mbahet më mend, Gaza ka qënë një tokë e rrethuar nga të gjitha anët nga Izraeli. Dhe bëhet fjalë për një zonë prej vetëm 378 kilometrash katrorë, pra afro 30 herë më e vogës se Kosova, ku jetojnë të rrasur si sardele, mbi 2.5 milionë palestinezë. Vendet arabe, ato perëndimore , Kryqi i Kuq Ndërkombëtar si dhe organizata për ndihmën ndaj refugjatëve « Unrra » janë kujdesur për të mbajtur dhe ushqyer këtë popull të shtypur dhe të vendosur në një gjendje aparteidi. Kjo ndihmë i shkonte për shtet edhe Izraelit që të mbante kështu nën kontroll banorët e kësaj treve.
Por që nga 7 tetori gjërat ndryshuan. Hamasi, të cilin vendet perëndimore e kanë rradhitur ndër organizatat terroriste, ndërsa për disa vende të tjera ai konsiderohet si organizatë çlirimtare, arriti ta rinxirrte nga « përgjumja » këtë çështje, të cilën shumëkush do ta dëshironte të ishte varrosur një herë e mirë.
Palestinezët kishin mbetur kështu prej vitesh pa asnjë aleat të vërtetë, duke përjashtuar këtu vetëm mullahët e Iranit. Vetë vendet arabe po nxitonin të « normalizonin » marrëdhëniet e tyre me Izraelin. Por që kur çështja palestineze shpërtheu, qeveritë e këtyre vendeve janë vënë në një pozitë tejet të vështirë. Ato dëshirojnë ose janën nën presion për tu afruar me Tel Avivin, por rruga, pra popujt e këtyre vendeve, janë krejtësisht kundër sionizmit izraelit.
Por nuk ka qënë gjithmonë kështu. Para rënies së Murit të Berlinit, çështja palestineze kishte mbështetjen e vendeve të bllokut të ashtuquajtur socialist me ish- Bashkimin Sovjetik në krye. Edhe pas shkatërrimit të këtij blloku, palestinezët mund të gjenin mbështetje te disa vende arabe të botës së tretë siç ishin Egjipti, Libia, Iraku, Siria etj. Por në Egjipt u organizua një grusht shteti, ndërsa Libia, Iraku dhe Siria janë tashmë të shkatërruara për 100 vjetët e ardhshëm!
Dhe pikërisht atëhere kur Tel Avivi, Uashingtoni, Londra, Berlini etj menduan se çështja palestineze u varros një herë e mirë dhe u fshi edhe nga agjenda e politikës ndërkombëtare, ngjau 7 tetori. Që u pasua nga reagimi i stërtepruar izraelit.
Dhe pikërisht kur shpresat ishin humbur tërësisht, popullit palestinez i doli në krah një aleat sa i papritur aq edhe i pashpresuar: lëvizja studentore mbarëperëndimore. Sepse kjo lëvizje është shtrirë sot deri në Japoni dhe Australi! Në Amerikë, ku edhe nisi kjo lëvizje, në universitetin Columbia të Nju Jorkut, situata është veçanërisht dramatike. Sepse ajo është e lidhur edhe me situatën politike në vend. Sidomos për presidentin e tashëm Biden kjo lëvizje ngjan pikërisht atëhere kur nuk duhet.
Sepse Amerika ka qënë dhe mbetet aleati i palëkundur dhe i përhershëm i Izraelit, pavarësisht se kush është në pushtet në Shtëpinë e Bardhë. 6 milionë çifutët që jetojnë atje ndikojnë fuqishëm edhe në jetën politike të vendit falë edhe lobeve të tyre të mirorganizuara. Dhe studentët që sot kundërshtojnë Izraelin dhe mbështesin thirrjen “Free Palestinë” janë pjesë e krahut të majtë të Partisë Demokratike të presidentit. Dhe ky skalion i majtë është rrënjësisht kundër politikës proizraelite të Shtëpisë së Bardhë. Gjë që rrezikon seriozisht edhe fitoren e Bajdenit në zgjedhjet e nëntorit të ardhshëm.
Dhe megjithëse konkurrenti i ti, Donald Trump, është 1 000 herë më prosionist, krahu i majtë i shoqërisë amerikanë rrezikon të mos marrë pjesë fare në këto zgjedhje, duke mundësuar kështu forcimin e shanseve për fitoren e Trump-it. Aq më shumë që policia amerikane ka filluar të ngrejë tani zgupthi studentët që kanë zaptuar hollet e universiteteve. Në këto kushte ekziston frika e rritjes së tensioneve politike në SHBA, sidomos tani kur grupe të djatha amerikane dhe proçifute janë duke sulmuar studentët propalestinezë. Siç ngjau dje në universitetin e Kalifornisë në Los Angeles.
Siç shihet çështja palestinez po ndan jo vetëm shoqërinë perëndimore, por deri në një fare mase edhe planetin. Disa janë tërësisht në mbrojtje të politikës izraelite në rajon, disa të tjera krejtësisht kundër.
Sikur mos mjaftonte lufta në Ukrainë për ta bërë botën të pasigurtë, por duhej edhe kjo në Lindjen e Mesme, që vazhdon me ulje ngritje që prej 75 vitesh!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment