Po të jetë kjo në dorë të kryetarit të sotëm të Bashkimit Europian, Sharl Mishel, apo edhe në dorën e presidentes së Komisionit të tashëm Europian, Ursula von der Leyen, përgjigja do të ishte pa ngurrimin më të vogël dhe pa asnjë dyshim tejet positive. Jo vetëm se Shqipëria po i përmbush çdo ditë e më shumë kërkesat dhe standartet e BE-së, por po aq edhe sepse kryeministri shqiptar ka krijuar marrëdhënie personale tejet të afërta, deri miqësore, me të dy personalitetet e sipërpërmenduara.
Që 2030 do të jetë viti i zgjerimit të ardhshëm të BE-së këtë e pohoi me forcë edhe z Mishel, gjatë një interviste që i dha së përditshmes së njohur belge, “Le Soir” si dhe agjencisë franceze të lajmeve, AFP.
“Ne duhet të jemi gati për zgjerimin e ardhshëm të Bashkimit Europian në vitin 2030” – pohon zyrtari i lartë europian që në fillim të intervistës. “Dhe kjo si nga ana teknike, ashtu edhe ajo financiare” – sqaron ai, para se të shtojë se « zvarritja e mëtejshme e këtij procesi do të përbëjë një gabim të tmerrshëm dhe do të dëshmojë për një papërgjegjshmëri të madhe”.
Pikërisht këtë të mërkurë, 1 Maj 2024, Bashkimi Europian, feston 20-vjetorin e zgjerimit më të madh në historinë e tij. Për Europën zgjerimi përbëri një sukses të pamohueshëm në fushën politike dhe gjeo-strategjike. Por edhe për banorët e këtyre vendeve, konkretisht të Polonisë, Hungarisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Çekisë, Estonisë, Lituanisë, Letonisë si dhe Qipros dhe Maltës, anëtarësimi i tyre në BE jo vetëm që forcoi demokracinë dhe liritë e Njeriut atje, por rriti dukshëm edhe mirëqënien e tyre. Kështu psh mesatarja e Prodhimit të Brendshëm Bruto e këtyre vendeve në vitin 2004 ishte sa 50 deri 55 përqind e asaj të vendeve të BE-së. Sot ajo llogaritet në 80 përqind të mesatares së BE-së. Ndryshe falë edhe investimeve europiane edhe papunësia atje është pakësuar ndjeshëm.
Për zyrtarin e lartë europian këto vende realizuan ëndrrën e tyre të bashkimit me qytetërimin europian, të cilit i përkisnin si nga kultura ashtu edhe nga historia. Ndryshe falë këtij Bashkimi ato iu shmangën edhe një hegjemonie të mundshme politike apo strategjike nga Rusia. “”Perdja e hekurt” u zhvendos deri në kufijtë e Rusisë dhe Bjellorusisë” – vë në dukje Sharl Mishel, para se të pohojë se “Lufta e tashme në Ukrainë i ka dhënë një shtytje të re strategjisë së zgjerimit. Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk përbëjnë më shumë se 17 milionë banorë. Pra është lehtësisht e mundshme që Europa të dijë ta administrojë këtë zgjerim. Ndryshe është puna me Ukrainën që është tashmë në luftë dhe ka një popullsi prej mbi 40 milionë banorësh » – nënvizon kryetari i Këshillit të Ministrave të BE-së.
Megjithatë jo gjithçka duket kaq rozë siç shprehet z Mishel. Sepse me shumë gjasa as Charles Michel dhe as Ursula von der Leyen nuk do të jenë pjesë përbërëse e ekipit të Bashkimit Europian, pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian më 9 qershorin e ardhshëm. Por kjo nuk është më e keqja. Më e keqja është rrjedha që do marrë ky institucion i rëndësishëm i BE-së pas 9 qershorit. Sepse ekziston një rrezik konkret që gjatë këtyre zgjedhjeve që do të zhvillohen në të 27 vendet anëtare të BE-së, pas jo më shumë se 40 ditësh, forcat nacionaliste, identitare, antiemigracion dhe antimyslimane të forcohen ndjeshëm. Ende nuk dihet nëse këto parti të ekstremit të djathtë do të përbëjnë forcën kryesore politike të Parlamentit Europian, por është e sigurt që ato do të pengojnë çdo zgjerim të ardhshëm të BE-së.
Këtë strategji e pohoi vetëm pak ditë më parë kryetari i partisë franceze “ Bashkimi Kombëtar”, Jordan Bardella. “Ne do të votojmë kundër anëtarësimit të Ukrainës dhe vendeve ballkanike në BE”- deklaroi prerazi ai. Problemi është se këto forca nacionaliste dhe ksenofobe po forcohen çdo ditë e më shumë në pothuajse shumicën e vendeve anëtare të BE-së, duke filluar nga Portugalia, aq edhe në Francë, në Hollandë, Gjermani, Austri, Suedi etj etj. Frika është se gjatë këtyre viteve dhe deri në vitin 2029 kur do të mbahen edhe zgjedhjet e tjera të rradhës për në BE, këto forca regresive të forcohen edhe më shumë. Dhe pa aprovimin e Parlamentit Europian nuk mund të zgjidhet asnjë komisioner ose ministër i jashtëm i Këshillit të Ministrave të BE-së.
Por edhe në vetë popullin europian ndjehen shumë rezerva dhe kundrshti për një zgjerimt të ardshëm. Me 27 vende dhe me votën e detyruar unanime shihet se sa të vështira janë reformat në BE, – shkruhet në sitin Euroaktiv. Po sipas tij 50 përqind e gjermanëve dhe 45 përqind e francezëve janë kundër pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Edhe Sharl Mishel duket se është i ndërgjegjshëm për këtë rrezik. Por ai shprehet se pavarësisht nga të gjitha kundërshtitë dhe frikërat e arsyeshme, ideali europian me siguri do të triumfojë ndaj forcave të errta dhe regressive që kërcënojnë madje deri edhe vetë ekzistencën e Bashkimit Europian.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment