« Kanun » -ky është edhe titulli i librit të botuar dhe shpërndarë në të gjithë Belgjikën frankofone në tetor të vitit të kaluar. Në të vërtetë libra kushtuar ligjit të Kanunit, që kushtëzonte dhe udhëzonte dikur jetën dhe traditat e popullit shqiptar, janë botuar prej kohësh. Veçse në gjuhën franceze në librarinë “Amazon” mund të gjesh referenca për librat « La loi du Kanun » ( Ligji i Kanunit) apo « Dette de sang » – ( Borxhi i gjakut).
Po libri i sipërpërmendur është disi i ndryshëm nga të tjerët. Këtu nuk kemi të bëjmë me histori antike, me tradita folklorike, me femrat burrnesha etj etj. Jo. Libri “ Kodi i Kanunit” ka një këndvështrim krejt tjetër, tejet bashkëkohor. Autori, një emër tejet i njohur ky në fushën mediatike dhe atë gjyqësore belge, përpiqet të spjegojë gjurmët që ky ligj i lashtë, që vjen para epokës skënderbejane, ka lënë në ADN-në e shqiptarëve sot.
Ai përpiqet po ashtu të kuptojë ndërthurrjen apo lidhjen gjenetike ndërmjet krimit shqiptar në Belgjikë me rolin dhe ndikimin e kanunit në nënvetëdijën e të rinjve nga Kukësi, Puka, Repsi apo rrethinat e Shkodrës që bëjnë pjesë në mjegullnajën e krimit të organizuar sa në Anvers të Belgjikës, apo edhe te “çunat e Londrës” në Angli dhe më gjërë.
Dhe autori këtij libri, doli prapë në skenë përsëri orët e fundit. Shkak u bë vrasja këtë të dielë në Bruksel e një 45 vjeçari i quajtur Agostin. Viktima vetë nuk kishte bërë asgjë të keqe. Por vëllai i tij kishte vrarë dikë në Shqipëri para … 26 vjetësh ! Dhe njerëzit e tij u hakmorrën këtë të dielë në mbrëmje, kur qëlluan me 4 plumba vëllain e gjaksit !
Kaq mjaftoi që shumica e gazetave belge t’i riktheheshin dukurisë së gjakmarrjes në Shqipëri dhe ligjeve të ashpra të saj. Në fakt krimi shqiptar në Belgjikë, dhe sidomos në Bruksel dhe Anvers nuk përbën më lajm. Nuk ka javë që shtypi vendas të mos shkruajë dhe komentojë vrasjet apo tentativat për vrasje ndërmjet kontigjentit të mafias shqiptare në vend. Bëhet gjithmonë fjalë për prishjen e pazareve të trafikut të drogës ndërmjet kriminelëve shqiptarë.
Por kësaj rradhe, ndryshe nga ç’pritej dhe është bërë zakon, kemi të bëjmë me një krim « nderi », pra marrjen e gjakut, ose ndryshe të vendetës, nënvizojnë sot të përditshmet belge « Le Soir », « Sudinfo », « La Libre Belgique », « RTL » etj.
Dhe kush më mirë se autori i librit « Kanuni » mund t’ua spjegonte belgëve rrënjët dhe shkaqet e këtij zakoni të lashtë. Aq më shumë që autori i këtij libri, Mishel Claise, e di mirë se për çfarë bëhet fjalë. Ai është marrë vite me rradhë me krimin shqiptar, që kur ka qënë një nga prokurorët më të famshëm të Belgjikës. Është pikërisht ky prokuror/shkrimtar që i hapi « petët lakrorit» kur denoncoi me fakte dhe prova korrupsionin që gjallonte në Parlamentin Europian. Emrat e eurodeputetes greke Eva Kaili, që përfundoi disa kohë në burg dhe tani ndiqet në gjendje të lirë, të eurodeputetes italiane Maria Arena, të ish deputetit Marko Tarabella apo edhe të një farë ndërmjetësi Panzeri, zunë faqet e para të shtypit perëndimor, disa muaj më parë, gjatë zbulimit dhe shpërthimit të skandalit të njohur si « Katargejti ». Dhe ishte pikërisht Michel Claise që e zhbiroi këtë aferë, që dobësoi deri edhe imazhin e këtij institucioni të Bashkimit Europian në opinionin publik europian !
Pikërisht ky prokuror, që siç shihet nuk frikësohet të denoncojë edhe allishverishet e më të fuqishmëve, ka kaluar nëpër duart e veta gjatë karrierës së tij të gjatë edhe dhjetra dhe qindra dosje të lidhura me mafien shqiptare në Belgjikë. Prandaj ai është edhe aq i mirinformuar rreth bëmave të tyre, mënyrave të veprimit dhe organizimit si dhe “omertasë » që ekziston në gjirin e familjeve dhe klaneve mafioze shqiptare.
Familjet mafioze shqiptare kalojnë në skanerin e tij me traditat dhe zakonet e tyre, që në shumë raste të kujtojnë « Kumbarin » e Mario Pozzo-s. Klane mafioze, të mbyllura hermetikisht, të dhunshme dhe të përgjakshme, të cilët etja për para, i çon nga krimi në krim, pa pasur asnjë lloj vrasjeje ndërgjegjeje. Nisur edhe nga faktet dhe provat që ai disponon autori duket se e kërkon dhe e gjen burimin e krimit te një pjesë e shqiptarëve pikërisht në nenet dhe zakonet e Kanunit të rreptë.
(Për më shumë rreth këtij libri dhe kësaj veprimtarie mund të lexoni në këtë blog artikullin me të njejtin emër, shkruar më 23 tetor 2023)
Ndërkohë policia belge ka nisur tashmë hetimet për të gjetur dhe arrestuar autorin e vrasjes. Ekziston frika se zinxhiri i hakmarrjes brenda këtyre dy familjeve në gjak do të rindizet.
Viron Gjymshana

Lini një koment