Si mundet që një popull i tërë t’i nënshtrohet një tirani?! Kjo është pyetja së cilës përpiqet t’i japë përgjigje, që në vitin 1548, një i ri 18 vjeçar, i quajtur Etienne de La Boétie.
Një pyetje që mbetet aktuale edhe sot, afro 500 vjet më pas. Si mundet psh që gjermanët, një popull i ngritur dhe me tradita, u marrosën pas Hitlerit?! Si mundet që shqiptarët u kërrusën dhe u trembën aq shumë në kohën e Enver Hoxhës, saqë ai u hoqi deri edhe lirinë e fjalës?! Dhe shembuj të tillë ka me mijëra në të gjitha vendet dhe në të gjitha epokat.
Po kush ishte ky 18 vjeçar dhe si e trajtoi ai këtë problem që ekziston që nga koha kur njerëzimi ka lindur?!
*************************************************************************************
Étienne de La Boétie (1 nëntor 1530 – 18 gusht 1563) është autori i esesë së mirënjohur mbi nënshtrimin vullnetar të njerëzve. Në frëngjisht : ( Discours de la servitude volontaire ).
Dihet pak për pjesën më të madhe të jetës së La Boétie, rininë e tij, arsimin dhe vitet e para të detyrave të tij qeveritare. Por dihet se nga fundi i viteve të tij të shkollës, La Boétie u apasionua pas letërsisë klasike. Për kënaqësi personale ai shkroi poezi në frëngjisht, latinisht dhe greqisht. Ai kompozoi po ashtu pesëdhjetë e nëntë sonete dashurie dhe më vonë përktheu vepra të Plutarkut , Virgjilit dhe Aristotelit.. Në fillim të studimeve të tij universitare, studenti tetëmbëdhjetë vjeçar shkruajti atëhere edhe veprën e tij të parë, e cila më vonë do të bëhej më e rëndësishmja nga të gjitha shkrimet e tij, e famshmja Discours de la Servitude Volontaire ose ndryshe ‘Diskursi mbi skllavërinë vullnetare ».
Eseja mbi nënshtrimin apo përkuljen me dëshirë është një aktakuzë e ashpër kundër tiranisë , ese e cila të befason me erudicionin dhe thellësinë e mendimit dhe analizës së saj, megjithëse është shkruar nga një i ri afro 18 vjeçar.
Ligjërimi ngre çështjen e legjitimitetit të çdo autoriteti mbi një popull dhe përpiqet të analizojë pse njerëzit i nënshtrohen një sunduesi. Teksti i tij ilustrohet nga shembuj të shumtë, të marrë nga antikiteti, e zakonshme në atë kohë, dhe që i mundësojnë atij, nën maskën e të lexuarit, të kritikojë situatën politike të kohës. Dorëshkrimi i tij u botua në 1576, pra 14 vjet pas vdekjes së tij në moshën 33 vjeçare.
Ligjërata e tij e vendos në pikëpyetje legjitimitetin e autoriteteve, të cilët La Boétie i quan ‘zotër »’ ose ‘tiranë’, në një këndvështrim të veçantë. Pa marrë parasysh se si një tiran shkon drejt sundimit , si psh me anë të zgjedhjeve, ( si psh Hitleri.Shënimi im) dhunës apo vrasjeve ose thjesht si trashëgimtar, kjo nuk do të thotë dhe as nuk mund të legjitimojë sundimin e tyre ! Për gjeniun francez më shumë se frika nga ndëshkimi, është kryesisht zakoni i njerëzve për të qenë të nënshtruar që shpjegon dominimin e vazhdueshëm të tyre nga një epror.
Së dyti duke përdorur ideologjinë dhe bestytnitë tiranët arrijnë të dominojnë sidomos injorantët e shumtë. Prandaj « sekreti i sundimit » mbështetet te bërja e vetë të shtypurve bashkëfajtorë në mposhtjen e tyre. Sundimi dhe shtypja vjen shkallë – shkallë. Tirani si fillim u hedh disa thërrime oborrtarëve që ata të përmbushin vetëm dëshirat e tij. Kështu krijohet një piramidë pushteti: tirani sundon mbi rreth 50 persona, të cilët nga ana e tyre dominojnë 500 të tjerë, të cilët më pas dominojnë 10 mijë njerëz. Dhe kështu me rradhë.
(Për analogji mund të përmendim këtu 13 anëtarët e Byrosë Politike që urdhëronin dhe sundonin mbi afro 100 anëtarët e ish – Komitetit Qëndror të PPSH-së, të cilët nga ana e tyre komandonin 100 mijë komunistët që sundonin vendin dhe popullin në emër të diktatorit).
Në këtë tekst shumë të rëndësishëm sa filozofik aq edhe politik, të cilin partitë e të gjitha shtresave e kanë përdorur në shekuj, La Boétie vë në kontrast dhe merr si shembull rastin e pushtetit edhe midis vetë banditëve dhe mënyrën sesi ata ndajnë plaçkën e grabitur, duke nisur nga kapobanda që merr pjesën e luanit deri te më i fundit ! Edhe tirani, njëlloj si kapobanda, jeton me dyshimin se dikush mund ta vrasë për t’i zënë vendin.Dhe pikërisht për këto arsye La Boétie ende konsiderohet nga shumë njerëz si një pararendës intelektual i anarkizmit dhe mosbindjes civile .
Shumë njerëz në botë mendojnë edhe sot se nënshtrimi dhe bindja ekzistojnë vërtet, por ato mbështeten te vullneti i njerëzve, Këtë duket se dëshiron të kundërshtojë La Boétie në ‘Diskursin’ e tij. Në fakt, pyetja që shtrohet prek deri thelbin e politikës: ‘Pse duhet të bindemi?!’ Zakonisht njeriu e pranon ekzistencën e një pushteti absolut si diçka normale dhe harron të pyesë pse duhet t’i bindet dikujt apo pushtetit. Një njeri nuk mund të nënshtrojë një komb nëse ai komb nuk e pranon nënshtrimin – vëren La Boétie.
Edhe pse dhuna është mjeti i kryesor i përdorur nga tiranët, ajo nuk mjafton për të krijuar një pushtet. « Njeriu duhet vetëm të mos dëshirojë më të jetë i nënshtruar për të fituar lirinë. Jini të vendosur të mos shërbeni më dhe do të jeni të lirë !” – bën thirrje 18 vjeçari. Dhe ai pyet veten se si spjegohet që Njeriu e ka humbur dëshirën për të rifituar lirinë e tij. ‘Diskursi’ i tij synon pikërisht të shpjegojë këtë nënshtrim.
Thelbi i ‘nënshtrimit’ është se njerëzit fillimisht i japin autoritet ose pushtet dikujt dhe më pas detyrohen t’i nënshtrohen atij. Në thelb, kjo vlen për të gjitha marrëdhëniet midis eprorëve dhe vartësve sa në familje, aq edhe në zyra, kompani, ushtri dhe politikë, kudo ku njëri i thotë tjetrit se çfarë duhet të bëjë. Sipas La Boétie edhe pabarazia e ka zanafillën te pushteti i grabitur
La Boétie e fillon esenë e tij duke dalluar tre lloje tiranësh: ‘sundimi i parë duke u zgjedhur nga populli, i dyti me forcën e armëve, i fundit nga pasardhja trashëgimore’. Dy të parët sillen sikur të ishin në një vend të pushtuar. Njerëzit që lindin mbretër në përgjithësi nuk janë më të mirë, sepse janë rritur në gjirin e tiranisë. Është specia e fundit për të cilën La Boétie është më i interesuar.
Pse populli vazhdon t’i bindet verbërisht një tirani? – kjo është pyetja së cilës përpiqet t’i japë përgjigje hartuesi i esesë. Sipas tij kjo ngjan sepse njerëzit e kanë humbur lirinë e tyre nën presion, por është po aq e habitshme, sipas tij, se pse ata nuk po luftojnë për ta rifituar atë liri !
Arsyeja kryesore, sipas tij, që njerëzit mbeten të nënshtruar me dëshirë është sepse ata nuk e kanë njohur kurrë lirinë dhe janë ‘mësuar të nënshtrohen’. La Boétie e shpreh këtë në “Diskursin” e tij si vijon: “Njerëzit që lindin nën zgjedhë,, të cilët ushqehen dhe rriten në skllavëri dhe nuk shohin përpara, janë të kënaqur të jetojnë ashtu siç kanë lindur dhe mendojnë se nuk kanë më shumë fuqi dhe të drejta se ato që trashëguan që në lindje. Ata instiktivisht e konsiderojnë gjendjen në të cilën kanë lindur si natyrën e tyre të vetme”.
Arsyeja e dytë është se nën tiranët njerëzit bëhen ‘frikacakë dhe të dobët’. Njerëzve të nënshtruar u mungon zjarri dhe shpirti luftarak për të shkuar në betejë. Ata nuk luftojnë më për një kauzë. Atyre u është hequr dëshira për të fituar. Tiranët nga ana e tyre përpiqen të inkurajojnë dhe të shtojnë sa më shumë frikën që t’i mbajnë njerëzit budallenj me ‘bukë dhe cirk’.
Arsyeja e fundit është padyshim më e rëndësishmja, sepse na zbulon burimin dhe sekretin e dominimit, “shtyllat dhe themelet e çdo tiranie”. Tirani mbështetet nga një numër besnikësh, të cilët e mbajnë nën kontroll të gjithë vendin. Këta njerëz caktohen nga tirani për ‘të qenë bashkëpunëtorë të mizorisë dhe krimeve të tij’ Besnikët nga ana e tyre kanë mes tyre të tjerë që u binden. Njerëz të tjerë janë të varur nga këta të fundit dhe kanë marrë një pozicion të lartë nëpërmjet tyre. Atyre iu është caktuar apo dhuruar sundimi i krahinave apo ‘menaxhimi i myhyreve’.
Këto pushtete u jepen atyre ‘në mënyrë që përmes lakmisë ose mizorisë, t’i mbajë edhe ata nën fuqinë e tij dhe sidomos që ata të bëjnë po aq shumë të këqija sa të mund ta ruajnë veten vetëm nën hijen e zotërve të tyre dhe vetëm falë mbrojtjes prej tyre të jenë mbi ligjin dhe ndjekjen penale” !
E gjithë bota është një tirani e madhe, shkruan ai më 1548-tën. Njerëzit në fund të piramidës, fermerët dhe punëtorët, janë në njëfarë kuptimi ‘të lirë’ që të zbatojnë urdhrat e zotërve të tyre dhe ta kalojnë pjesën tjetër të kohës duke bërë gjëra që u pëlqejnë. Por të kërkosh afrimin me një tiran a është diçka e ndryshme prej largimit nga liria dhe, si të thuash, pranim i skllavërisë me të dyja duart dhe përqafim i saj? ‘A është kjo një jetë e lumtur tani? A është kjo në të vërtetë jeta?”, pyet La Boétie. Ata të preferuarit duhet të mendojnë dhe të kujtohen edhe për njerëzit që duke qënë dikur pranë tiranëve kishin fituar shumë, por në një moment të caktuar, pak më vonë, kanë humbur si pushtetin ashtu edhe kokën e tyre! .
(A na kujton kjo diçka neve shqiptarëve për ata që i qëndruan afër Enver Hoxhës dhe përfunduan ashtu si përfunduan?!)
Nga rruga, është e pamundur të miqësohesh me një tiran , sepse një person i tillë është dhe do të jetë gjithmonë mbi ty. Çfarë lloj miqësie mund të pritet vërtet nga ai, zemra e të cilit është aq e ngurtësuar, saqë ai urren një mbretëri të tërë që i bindet vetëm atij, dhe nga që ai, ngaqë nuk di të dashurojë, varfëron veten dhe shkatërron mbretërinë e tij? Duke përfunduar ligjëratën e tij, La Boétie bën një lutje:. Ai i lutet ‘Zotit të mirë dhe bujar”, që të krijojë qëllimisht një ndëshkim shumë të ashpër për tiranët dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Si përmbledhje:
- “Ka tre lloje tiranësh: sundimi i parë duke u zgjedhur nga populli, i dyti me forcën e armëve, i fundit me pasardhje trashëgimore” ( Discours de la servitude volontaire )
- ‘Bëhu i vendosur të mos jesh më i nënshtruar dhe do të jesh i lirë’. ( Discours de la servitude volontaire )
- “Ata janë të mëdhenj vetëm sepse ne gjunjëzohemi.”
- “Për të siguruar që njerëzit, për sa kohë që janë ende njerëz, të lejojnë veten të nënshtrohen, ka dy mundësi: ose të detyrohen ose të mashtrohen.” ( Discours de la servitude volontaire )
- “Nuk ka dyshim se natyra na çon atje ku do ajo, në të mirë apo në të keq, por duhet të pranojmë se ajo ka më pak fuqi mbi ne sesa zakonet tona”.
- “Kur njeriu mësohet me faktin se gjithçka është e natyrshme për të, gjithçka që mbetet në natyrën e tij është që ai të zgjedhë gjëra të vogla.’Arsyeja kryesore për skllavërinë vullnetare është zakoni’.
- “Kur mendoj për ata njerëz që i lëpijnë thembrat tiranit për të përfituar nga tirania e tij dhe skllavëria e njerëzve, shpesh habitem me keqdashjen e tyre mizore sa edhe më vjen keq për marrëzinë e tyre.” ( Discours de la servitude volontaire )
- “Kisha Katolike është e korruptuar mrekullisht nga abuzime të panumërta.”
- “Ne kemi lindur jo vetëm duke zotëruar lirinë tonë, por edhe me prirjen për ta mbrojtur atë.”
Janë këto disa nga citimet, udhëzimet dhe pyetjet që ka shtruar që më 1548-tën gjeniu i parakohshëm francez.
Përgatitur nga Viron Gjymshana

Lini një koment