Europarlamentarin Beleris e kemi « peshqesh » nga ai i penxheres

    Stacioni i mirënjohur televiziv “Euronews” i hapi sot informacionet ditore me lajmin se Fredi Beleri është zgjedhur nga partia greke e kryeministrit Micotaqis si kandidat për deputet i Parlamentit Europian. Media paneuropiane theksoi me këtë rast se marrëdhëniet ndërmjet Athinës dhe Tiranës janë përkeqësuar ndjeshëm që kur Beleri u burgos për vjedhje votash.

      Lajmi tjetër i pritshëm me shumë gjasa do të shpallet më 9 qershor, kur kjo media si dhe shumë të tjera do të njoftojnë se Beleri është zgjedhur deputet në Parlamentin Europian!

      Sepse ballkanasit janë të njohur si nacionalistë të flaktë. Greqia që nuk njeh asnjë minoritet në gjirin e saj, por  zgjedh një minoritar të dënuar për  eurodeputet si të vetin, mban ndofta flamurin e nacionalizmit në gadishullin tonë. Prandaj me shumë gjasa Beleri do të fitojë mandatin e deputetit, pasi humbi atë të kryebashkiakut !

       Dhe lajmi i tretë dhe më i bujshëm do të jetë ai që do njoftojë « botën mbarë » se Shqipëria mban në burg « padrejtësisht »  një europarlamentar ! Gjë e cila nuk është parë dhe dëgjuar deri më sot. Me shpresën se Brukseli, do të rradhitet me palën greke dhe së bashku do të ushtrojnë presion të vazhdueshëm ndaj Tiranës zyrtare që ajo të lirojë sa më shpejt dhe pa kushte « eurodeputetin  grek » !

    Pavarësisht rolit të qeverisë greke në këtë « aferë », e cila mund të konsiderohet si një atentat ndaj sovranitetit të shtetit shqiptar, njëlloj si ato që Greqia ka ndërmarrë rreth viteve ’20 të shekullit të kaluar, dikush mund të jetë shumë i gëzuar nga këto zhvillime ! Pavarësisht se si do të shprehet me fjalë.

    Ta shohim a do ta shprehë hapur gëzimin e tij kur të dalë këtë mbrëmje përsëri në penxhere, apo do ta kamuflojë me ndonjë fjalor patriotik ! Por ka më shumë mundësi, që kësaj rradhe të shtiret si i sëmurë apo dhe të rrijë i heshtur si një murg.

   Sidoqoftë dëmi që i shkaktoi vendit me caktimin e Fredi Belerit, i dyshuar edhe si pjesëmarrës i masakrës së Peshkëpisë, si kandidat të Foltores, është i pamasë. Pasojat do ndihen së shpejti.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment