Opinioni publik ndërkombëtar dhe sidomos qarqet diplomatike të kancelarive perëndimore po presin tashmë me ankth dhe shqetësim reagimin e shtetit izraelit pas sulmeve me dronë dhe raketa që Irani ndërmorri kundër Izraelit. Ishte hera e parë gjatë këtyre 45 vjetëve të fundit, që kur islamistët shitë morën pushtetin më 1979 në Teheran, që Irani ka sulmuar drejtpërsëdrejti Izraelin.
Dhe ndërsa “përplasja” Iran –Izrael ngjan për herë të parë, konfliktet në këtë zonë kanë nisur që në vitin 1948, kur u shpall dhe u pranua nga Fuqitë e Mëdha, krijimi i shtetit izraelit.
Siç kemi përshkruar me hollësi edhe në artikujt e mëparshëm, kronologjinë dhe arsyet e këtij konflikti, sot duket se edhe një “aktor” i ri hyn në skenën e komplikuar dhe të përgjakur arabo – izraelite. Është fjala për Iranin. Në fakt Irani nuk ka qënë kurrë “dorëjashtë” betejës ndërmjet palestinezëve dhe disa vendeve të tjera arabe, mbështetëse të kauzës palestineze dhe Izraelit dhe aleatëve të tij, në rradhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sot pyetja është: çfarë do bëjë tani Izraeli?! Si do përgjigjet?! Do përgjigjet menjëherë, apo do presë kohë më të mira?! Shqetësimi vihet re në të gjitha kancelaritë perëndimore, që nga Uashingtoni deri në Bruksel. Se gjendemi para një rreziku që i gjithë rajoni të marrë flakë, sidomos nëse “ngacmimet” ndërmjet Teheranit dhe Jeruzalemit vazhdojnë dhe ngrihen deri në nivelin e një konflikti të hapur. Perëndimi është tashmë i angazhuar fuqishêm në një front beteje: atë Ukrainë – Rusi dhe për të nuk është fare e përshtashme të përfshihet edhe në një konflikt tjetër në Lindjen e Mesme.
Sepse diçka dihet mirë. Se Izraelit i është kthyer në një ide fikse shkatërrimi i Iranit. Dhe jo sot, por që 20 – 30 vite më parë. Dhe ky pikësynim dhe kjo strategji mbështetet në dy shkaqe kryesore: Irani mbetet sot mbështetësi më i madh dhe më i vendosur i kauzës palestineze. Ndihmë e gjithanshme me armë, municione, dollarë dhe mbi të gjitha me krahun e tij të armatosur, organizatën shite “Hezbollah” që vepron në Liban.
Dikur, gjatë Luftës së Ftohtë, palestinezët gëzonin mbështetjen e mbarë të ashtuquajturit “kamp socialist”, duke përfshirë këtu edhe Kinën, Shqipërinë, ish – Jugosllavinë etj. Edhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të tij, palestinezët gjetën mbështetje te disa vende arabe gjysëm socialiste, që dikur bënin pjesë në shtetet e ashtuquajtura të “paangazhuara”, ose të Botës së Tretë. Siç ishin Libia, Siria, Iraku, Egjipti etj. Sot të gjitha këto vende janë totalisht të shkatërruara. Me përjashtim të Egjiptit, ku falë një grushti shteti, udhëheqja propalestineze dhe antiperëndimore u zëvëndësua nga një grup ushtarakësh puçistë, mbështetës të politikës së ish-diktatorit, Mubarak.
Pra ka ngelur vetëm Irani. Por Irani përbën një bezdi dhe rrezik për Izrelin edhe për një shkak të dytë. Ky vend ka disa vite tashmë që po përpiqet të prodhojë bombën atomike. Dhe sipas shumë specialistëve, më së shumti pas një ose dy vitesh, ai mund ta prodhojë këtë armë të tmerrshme të shkatërrimit në masë. Në këtë mënyrë ndërmjet Izraelit që zotëron, siç thuhet, rreth 100 koka bërthamore dhe Iranit, vendoset një ekuilibër strategjik tejet i brishtë. Dhe po aq i rrezikshëm. Prandaj edhe Izraeli po ngutet. Është përparësi e tij numër një që Irani të mos ketë mundësi ta prodhojë këtë bombë. Dhe Izraeli është betuar që nuk do ta lejojë Iranin të zotërojë bombën atomike.
Dhe duket se « zogu » i ka ardhur në dorë. Pas sulmit me mbi 200 dronë dhe raketa nga ana e Iranit kundër Izraelit, ky i fundit mund të përgjigjet duke ndërmarrë të njëjtin hap ! Pra të bombardojë sitet dhe qëndrat ku iranianët po pasurojnë uraniumin që u duhet për të prodhuar këto bomba. Problemi është se këto uzina dhe fabrika ndodhen dhjetra metra nën tokë. Dhe Izraeli nuk disponon raketa të tilla që të mund të shpojnë tokën në thellësi të tilla. Amerika e Biden-it që i zotëron këto tip raketash nuk duket shumë e gatshme t’ia vëjë në dispozicion këto mjete Izraelit. Presidenti amerikan i ka ka bërë thirrje këto ditë Izraelit për vetpërmbajtje. Po a do të vetpërmbahet Izraeli apo do nisë një luftë edhe ndaj Iranit ?! Kjo është pyetja.
Me këtë rast duhet theksuar, dhe fort madje, se regjimi iranian nuk meriton asnjë fjalë të mirë. Është një diktaturë e pastër me përmbajtje ideologjike fetare. Pra një shtet teokratik. Të drejtat e popullit, sidomos ato të grave, nuk ekzistojnë. Dalja në « ajër » e një tufe apo balluke flokësh të çon direkt në burg. Apo mos mbajtja e perçes ! Vendi ndodhet faktikisht i pushtuar nga klerikët islamistë radikalë, të quajtur mollahë apo imamë, prej afro 45 vitesh. Asnjë lloj demokracie apo të drejtash njeriu nuk ekzistojnë. Veçse ligjet e prapambetura dhe reaksionare të sheriatit. Ashtu si dikur kur Shqipëria ishte e « pushtuar » nga 100 000 komunistët në emër të ideologjisë marksiste, me anë të të cilëve Enver Hoxha kontrollonte dhe mbante nën shtypje çdo pjesë të vendit, mollahët mbajnë nën ideologjinë e sheriatit sot nën kontroll të rreptë gjithë Iranin.
Vendet perëndimore po bëjnë sot gjithçka është e mundur për të ulur tensionet dhe bindur Izraelin të veprojë me maturi dhe vetpërmbajtje. Pasi ekziston një rrezik i madh që në rast konflikti të hapur dhe të ashpër Izrael / Iran të ndizet i gjithë rajoni. Duke filluar këtu nga Iraku, deri në Egjipt, Jordani e më gjërë. Pasi dihet se « rruga » pra masat popullore në vendet arabe, ndryshe nga shumë qeveri të tyre, janë thellësisht anti-izraelite. Dhe është shumë e mundur që pas Gazës, këto turma të ngrihen edhe në mbrojtje të Iranit, duke vënë në rrezik deri edhe stabilitetin e qeverive atje.
Uashingtoni duket se nuk dëshiron kurrsesi të hyjë në një konflikt ushtarak me Iranin për hir të Izraelit. Prandaj edhe mesazhi i të gjithë kancelarive ndaj Izraelit mund të përmblidhet si “relax, relax, qetësohuni ».
Të presim dhe të shohim tani si do venë ngjarjet dhe si do reagojë Izraeli. Sipas shumë specialistëve të politikës ndërkombëtare, Izraeli, i ndeshur me refuzimin e presidentit Biden, për t’i vënë në dispozicion raketat “truallpenetruese”do të presë ardhjen në pushtet në Uashington të Donald Trumpit. Një mbështetës ky i pakushtëzuar ndaj tij. Aq më shumë që edhe dhëndrri i tij, Jared Kushner, me origjinë çifute, është një përkrahës i flaktë i Izraelit biblik, ku nuk gjendet asnjë vend për palestinezët. Sidoqoftë dhe fatkeqësisht situata ndërkombëtare është sot në zierje e sipër. Kohë të turbullta duket se po vinë.
Nga Viron Gjymshana.

Lini një koment