Prej disa muajsh disa tipa të shkathët kanë filluar të bëjnë para pa bërë asnjë punë. Madje duke fjetur gjumë! Sepse ka disa muaj që po flitet për një platformë digjitale ku kushdo mund të investojë psh 250 euro dhe të presë që ato të shumohen vetë! Të duket sikur je në përrallën e Pinokut me Maçokun dhe Dhelprën!
Dy të fundit i premtuan buratinos së shkretë të fitonte shumë para duke mbjellë në mbrëmje në “Kopshtin e çudirave” një monedhë zechini të artë. Të nesërmen në mëngjes, kur të ngrihej nga gjumi, Pinoku do të gjente në vendin ku kishte “mbjellë” monedhën e tij të artë, një pemë, e cila në vend të gjetheve do të kishte monedha floririri! Dhe vetkuptohet se kur u zgjua nga gjumi buratini me kokë prej druni, jo vetëm që nuk pa asnjë pemë me sy, por edhe zechini që ai kishte “mbjellur” ishte zhdukur! Kështu e pësojnë budallenjtë që mendojnë se do të bëhen të pasur duke fjetur gjumë. Ky ishte dhe mbetet morali i fabulës.
Por historia me Pinokun është e vjetër. Në Shqipëri ne e kemi vuajtur një histori të tillë veçse 37 vjet më parë. Kur shqiptarët, e sapo dalë nga diktatura, kujtuan se u bë deti kos dhe investuan paratë e tyre te firmat piramidale si Gjallica, Vefa etj etj. Dhe ngelën me gisht në gojë. Ishte kapitalizmi ala Sali!
Diçka e tillë po ngjan tani në Francë. Njerëzit po investojnë te platforma « Immediate definity Ai » dhe po fitojnë. Dhe ndërsa në Shqipëri patëm të bëjmë me një budallallëk dhe çmenduri kolektive, në Francë dhe tjetërkund po përdoret shkalla më e lartë e Inteligjencës Artficiale për të fituar para!
Po ngjan afërsisht si në bursat legale të aksioneve. Dikush blen aksionet e një firme të veçantë me shpresën se firmës do i ecin punët mbarë dhe vlera e aksioneve të saj në bursë do rritet. Por në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me spekullime bursiere, por me ato të kriptomonedhave. Dhe dihet se vlera e tyre ndryshon vazhdimisht, herë duke u ngritur dhe herë duke u ulur. Dhe këtu hyn në veprim platforma në fjalë. Një seri kompjuterësh të fuqishëm të pajisur me programe të sofistikuara janë në gjendje të diktojnë lëvizjet dhe luhatjet në tregun e kriptomonedhave. Për të mos u gabuar logjisieli apo programi përkatës studion në sekondë 37 kritere dhe koefiçientë që parashikojnë lëvizjen lart apo poshtë të rreth 200 kriptomonedhave që ekzistojnë në treg.
Gjithçka duket shumë e bukur për të qënë e vërtetë. Sipas krijuesve të tij, programi u bazoka te Inteligjenca Artificiale, e cila shkëmben, blen dhe shet kriptomonedha. Prandaj ju nuk jeni i detyruar të bëni ndonjë veprim ose të merrni ndonjë vendim. Është vetë Inteligjenca Artificiale Vetënxënëse që bën gjithçka për ju. Dmth që ju as që keni nevojë të kuptoni se si funksionon bitcoin ose monedha të tjera elektronike. Është programi vetë që sheh dhe përcakton momentin ideal të blerjes së një monedhe në rritje, apo të shitjes të një monedhe në rënie!
Dhe duket se shumë njerëz janë duke fituar goxha para duke investuar në këtë platformë. Por ky sukses ka ngjallur sa zili aq edhe dyshime. Kush e ka krijuar këtë platformë?! Përse nuk e ka apo nuk e kanë ruajtur për vete këtë mundësi për tu pasuruar, por e kanë vënë në dispozicion të botës mbarë?! A mos kemi të bëjmë këtu me skemën e piramidave të Ponzit, të fundit paguajnë të parët?! Etj. etj.
Sepse thuhet se po të investosh vetëm 250 euro, pas 12 apo 15 javësh ti do të kesh në dispozicion 1 milionë euro?! Dhe është shumë e mundshme nga ana teknike që një program i tillë, që ndjek dhe studion në kohë rekord luhatjet e kriptomonedhave të gjenerojë edhe fitime të tilla rekord. Po përse shpikësit e tij nuk e kanë ruajtur “sekretin” për vete, por e kanë bërë të njohur botërisht?! – është pyetja pa përgjigje deri më sot.
Këtu duket se pikon çatia që përbën edhe thembrën e Akilit të kësaj platforme. Saqë shumë njerëz po ngurrojnë t’i investojnë atje paratë e tyre. Pyetja ¨shtë: A kemi të bëjmë këtu me një realitet të ri të krijuar nga Inteligjenca Artificiale, apo me një mashtrim të ri?! Me një ëndërr apo me një zgjendërr?!
Koha do ta dëshmojë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment