Urrejtja ndaj të aftëve

      Dje studiuesi dhe intelektuali  Auron Tare përshkroi dhe analizoi gjendjen e sotme të shoqatës së mirënjohur atdhetare “Vatra”. Vatra, shkruan ai, u legjitimua më 13 qershor 1912. (Vini re: pak para shpalljes së Pavarësisë)! Në certifikaten origjinale të ruajtur në arkivën e saj,  si themelues bien në sy emra si Faik Konica, Lambi Chikozi, Fan S. Noli, Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Cere dhe Koco Kotta. Pak më vonë janë shtuar edhe emrat e  Konstantin Anastas Chekrezi dhe Vëllezërit Pani nga Dardha e Korçës.

      Lavdia e Vatrës është e jashtëzakonshme. Fuqia e saj e dikurshme e padiskutueshme. Shpesh si një qeveri në emigracion dhe qendër e rëndësishme e mendimeve perparimtare dhe intelektualisht e parakohshme për Shqipërinë.

      Vatra me ikjen nga kjo botë të elitës së saj intelektuale u shua. Përpjekjet fshatareske, provinciale, megalomane dhe naive të një komuniteti që nuk mblidhet dot për të lobuar për çështjet me interes kombëtar apo për të ngrohur si dikur me thëngjinjtë e Vatrës çështjet e mendimit shqiptar, nuk kanë më vlerë.

     Vatra duhet të shpallet një Monument Kombëtar, një xhevahir i mendimit intelektual dhe politik shqiptar dhe të vendoset në raftet e historisë. Përpjekjet e dështuara për të ringjallur zjarrin e Vatrës nuk bëjnë asgjë më shumë se dëmtojnë lavdinë e saj të dikurshme.

     Brezat e rinj të diasporës shqiptare nëse duan të mbajnë lidhjet me vendin e origjinës së prindërve të tyre kanë të gjitha mundësitë për ta bërë në mënyra nga më të ndryshmet.  Vatra dhe vatranët e dikurshëm nuk janë më.

      Të nderojme kujtimin e tyre, asgjë më shumë nuk ka nevojë Vatra sot – e mbyll shkrimin e tij, Auron Tare.

       Dhe ai ka plotësisht të drejtë. Sot në mjediset politike, sociale dhe kulturore shqiptare gjen shumë pak figura si atö të së kaluarës. Edhe ata që kanë mbetur, si psh Rexhep Qosja apo Ismail Kadare janë në zgrip të jetës së tyre.

       Por më e rënda, më tragjikja është se sot ka një bjerrje të dukshme të mbarë mendimit intelektual kombëtar. Sot gjen shumë politikanë zyrash apo “patriotë” kafenesh që rrahin gjoksin me të madhe, madje e mbajnë veten si koka të mëdha apo edhe si “baballarë të kombit”! Kur shumica prej tyresh janë thjesht provincialë katundi që fati apo poshtërsitë i kanë ngritur në majë.

       Gjatë këtyre 30 e më shumë viteve në Perëndim kam vënë re shumë hiçkërrkushër që mbahen me të madh, që i hedhin lule vetes apo që përpiqen të bindin të tjerët se ata çoç janë!

         Ka pasur raste që garazhistë apo recepsionistë hotelesh kanë formuar shoqata me emra të bujshëm patriotikë, që merrnin përsipër mbi supe gjëra që as i mbanin dot. Njerëz që i zë gjumi kur prekin një libër me dorë. Dhe këta pretendonin se do zgjidhnin fatet e kombit! E vetmja “atu” e tyre ishte se jetonin prej dhjetra vitesh në Perëndim dhe vetkuptohet kishin fituar shumë dijeni duke larë pjatat nëpër ristorante apo duke punuar si bojaxhinj!

        Por e keqja nuk është këtu. E keqja më e madhe është se edhe në Shqipëri, dhe më pak edhe në Kosovë, nuk gjen më figura kombëtare, njerëz që shquhen dhe dallohen me vepra dhe jo me llafe.
        

         Me hapjen e vendit dhe vendosjen e një gjasme demokracie, ata që dolën në krye nuk ishin fillozofët, mendimtarët, krijuesit dhe specialistët, por në shumicën e rasteve llumi i shoqërisë.

            Punës intelektuale, studimore, shkencore iu vu kazma. Gjithçka u lidh me biznesin. Dhe kështu u krijuan edhe oligarkët e parë, lindi edhe krimi i organizuar, korrupsioni në çdo qelizë të shoqërisë etj etj. Nuk kishte dhe nuk ka më institucione shkencore, si dikur.  Ka vetëm tregti dhe pak prodhim.

          Prandaj ajo që shkruan Auron Tare ka pllakosur jo vetëm mbi “Vatrën”, por mbi mbarë kombin shqiptar. Dhe kulmi i kulmeve është gjendja dhe niveli në parlamentin dhe qeverinë shqiptare. Me dorë t’i kishe zgjedhur nuk mund të gjenje njerëz me më pak kulturë dhe dije. Në të gjithë spektrin politik. A mund të ecë përpara Shqipëria me ca Mula dhe Noka, me ca salianjër apo gazbardhë, me spiropalë dhe disa të tjerë që nuk u njihet as emri?!  

          Dhe e keqja nuk paska fund. Jo vetëm që janë injorantë, por na dolën edhe hajdutë me nam. Duke filluar nga i dyti(!), zëvendëskryeministri dhe me rradhë deri në fund.

       Sepse shpesh herë injoranca është e lidhur me makutërinë. Duke qënë se nuk shquhen për asgjë në jetën e përditshme, gjithë energjinë e tyre këta njerëz e përdorin atëhere për tu pasuruar me çdo mjet. Si e vetmja mundësi për të rënë në sy!

              Nivelin uluritës të klasës politike shqiptare sot e dallon fare qartë  edhe nëse e krahason me atë të vitit 1924, pra fiks 100 vjet më parë. Mahnitesh dhe ngelesh me gojë hapur kur lexon fjalimet e deputetëve të asaj kohe. Shumica me shkolla të mbaruara jashtë. Por me dashuri për Atdheun. Diskutimet rreth pronës së agallarëve, koncesioneve, vlerës së monedhës shqiptare të lënë edhe sot me gojëhapur për thellësinë e mendimit dhe forcën e argumentit të përdorur.

               Madje edhe Enver Hoxha mbajti për 35 vjet si kryeministër një njeri të aftë, me autoritet dhe punëtor si Mehmet Shehu. Pavarësisht se më vonë e mbushi Byronë Politike dhe qeverinë me të paaftë si  Lenka Çuka, Pali Miska, Tefta Cami dhe injorantë të tjerë.

              Praktikë që po vazhdon edhe sot. Megjithëse e kam vrarë mëndjen shumë nuk kam gjetur dot asnjë figurë të shquar, intelektual me vepra, në rrethin e ngushte apo të gjërë të Edi Ramës. As në parlament dhe as në qeveri.  Si mund të përparojë Shqipëria kështu?! Kur edhe vetë kryeministri, sado pozitiv që është, nuk shquhet dhe as i kap dot majat e diturisë apo kapacitetit njerëzor!

           Ndryshe u duk koha me fillimet e demokracisë. Rreth Partisë Demokratike u mblodh ajka e mendimit intelektual dhe kulturor të kohës. Të cilët kërkuan një revolucion të “kadifenjtë” të vendit dhe jo një përmbysje totale dhe shkretim të tij. Por pak nga pak, i zbrituri nga gërxhet e Viçidoli i dëboi ata, ndër të tjera edhe sepse nuk i rrinin gatitu. Dhe e mbushi edhe ai partinë me jesmena pa tru dhe dinjitet. Dhe rezultati u pa.

            Si spjegohet që shqiptarët nuk i duan të aftët dhe të ndershmit, njerëzit me kulturë dhe dije, me atdhedashuri dhe mirëdashje?! Por duan dhe respektojnë vetëm të fortin, cubin apo kryealabakun e lagjes?!

        Të gjithë ata që kanë drejtuar vendin që nga 1912 deri më sot, duke filluar nga Zogu, te Enveri, Berisha dhe Rama nuk janë dalluar për ngritjen dhe vënien në krye të punëve të njerëzve të aaftë dhe të ndershëm, por veçse për puthadorë .

      Dihet se që në kohët e lashta shumë shpesh mbretër dhe sulltanë të fuqishëm mbanin pranë vetes si këshilltarë njerëz më të zgjuar se ata vetë, që i emëronin psh si vezirë. Si psh Rishëlje në Francë në kohën e sundimit të mbretit Luis 14 etj etj. Sot këta njerëz në kabinetet perëndimore quhen spin- doctor dhe kanë ndonjëherë po aq fuqi sa edhe kryeministri.

        Por jo. Në Shqipëri një gjë e tillë nuk mund të ngjasë. Më i dituri, më i mënçuri, më i afti duhet vetëm t’ bëjnë temena dhe fresk të parit të partisë. Mos vallë e kemi kopjuar këtë ves që nga koha e bajrraktarëve, kur tuma ndiqte të parin e “kopesë” edhe kur ai i udhëhiqte në luftëra brenda dhe jashtë vendit?!

       “Vatra” sot meriton një vend të veçantë në muzeumin e panshqiptarizmës, por ajo as nuk mund të ringjallet, as nuk duhet të ringjallet, – shkruan Auron Tare.

       Por mos vallë vetëm “Vatra” është bërë për muzeum?!

Nga Viron Gjymshana        

Lini një koment